Botë

Mark Carney do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kanadasë

Mark Carney

Foto: Associated Press

Mark Carney, ish-bankieri qendror që mbikëqyri përgjigjen ndaj krizave financiare në Amerikën e Veriut dhe në Mbretërinë e Bashkuar, do të bëhet kryeministri i ardhshëm i Kanadasë pas ka fituar garën për të udhëhequr partinë federale liberale të vendit.

Carney, 59 vjeç, merr rolin teksa Kanadaja është e përfshirë në një luftë tregtare me SHBA-në, prej kohësh aleatin e saj më të ngushtë dhe partnerin më të madh tregtar, raporton The Guardian.

Javën e kaluar presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar një taksë prej 25% për mallrat kanadeze. Tarifat kanë fuqinë për ta shtyrë ekonominë e brishtë të Kanadasë në një recesion.

“Amerika nuk është Kanada. Dhe Kanadaja nuk do të jetë kurrë, kurrë, pjesë e Amerikës në asnjë mënyrë, apo formë”, u ka thënë Carney mbështetësve, duke nxjerrë në pah krizën ekzistenciale që ka zemëruar kanadezët, ka prishur marrëdhënien e gjatë me SHBA-në dhe premton të jetë tema kryesore në mandatin e tij si kryeministër.

“Ne nuk e kërkuam këtë luftë. Por kanadezët janë gjithmonë gati kur dikush tjetër i lëshon dorezat. Kështu që amerikanët, ata nuk duhet të gabojnë, në tregti ashtu si në hokej, Kanadaja do të fitojë”, ka deklaruar Carney. 

Është e paqartë se kur Carney, i cili ishte guvernator i Bankës së Kanadasë nga viti 2008 deri në 2013 dhe guvernator i Bankës së Anglisë nga viti 2013 deri në 2020, do të marrë detyrën. Trudeau dhe lideri i ri liberal pritet të zhvillojnë biseda në ditët në vijim për të përcaktuar ditën e fundit në detyrë të kryeministrit në largim.

Carney do të jetë kryeministri i dytë në historinë kanadeze pa një vend në Parlament. Ndonëse asnjë rregull nuk e ndalon këtë, konventa sugjeron që Carney do të duhet të shpallë shpejt planet për të kandiduar për një vend federal.

Ai do të jetë gjithashtu kryeministri i parë liberal nga Kanadaja perëndimore, një identitet i vlefshëm në një vend që është i ndarë politikisht përgjatë vijave gjeografike.