Botë

“Mallkuar qoftë kjo luftë!”

Ukrainë

Larysa, njëra prej pak banorëve të mbetur në Pokrovsk, mendon se ka ardhur koha për të negociuar me Rusinë, gjë që mund të ketë qenë e paimagjinueshme për shumicën e ukrainasve disa kohë më parë. Por, ajo nuk është e vetmja. Njëjtë mendojnë edhe ukrainas të tjerë, të lodhur nga lufta

“Kjo është më e rrezikshmja nga të gjitha vijat e frontit”, thotë Oleksandr, udhëheqësi i njësisë mjekësore ushtarake të Brigadës së 25-të të Ushtrisë së Ukrainës. 

Ai gjendet në dhomën e trajtimit të një njësie të improvizuar fushore, e cila është edhe ndalesa e parë për ushtarët e plagosur.

“Federata Ruse ka intensifikuar sulmet. Nuk kemi mundur ta stabilizojmë frontin. Sa herë që vija e parë e frontit zhvendoset, zhvendosemi edhe ne”.

Ky vend gjendet afër Pokrovskut, një qytet i vogël minierash rreth 60 km në veriperëndim të kryeqytetit rajonal, Donetsk.

Mjekët thonë se kohëve të fundit, brenda vetëm një dite kanë trajtuar rreth 50 ushtarë, shifra këto që kanë qenë të rralla gjatë tërë rrjedhës së kësaj lufte. Të plagosurit sillen për trajtim në këtë vend sekret pas muzgut, kur ka më pak shanse për t’u sulmuar nga dronët rusë.

Ushtarë të shumtë ukrainas janë plagosur në betejën e tyre për mbrojtjen e Pokrovskut. Muaj më parë, ky vend konsiderohej si relativisht i sigurt. 

Pokrovsku është shtëpia e rreth 60 mijë njerëzve. Rrugët e tij janë të mbushura me restorante e kafene. Ushtarët madje e shfrytëzonin edhe si vend për të pushuar.  

Tani, qyteti pothuajse është boshatisur. Më shumë se tri të katërtat e popullsisë së tij janë larguar.
Me pushtimin e qytetit ukrainas të Avdiivkas në muajin shkurt, Rusia arriti të intensifikonte sulmet me goxha shpejtësi në të gjithë rajonin e Donestkut. Në fillim të tetorit, ajo pushtoi edhe qytetin kyç të Vuhledarit.

Kërcënimet e vazhdueshme nga sulmet me dronë

Qeveria ukrainase pajtohet me atë që ushtarët thonë, se luftimet rreth Pokrovskut janë më të forta.
“Pokrovsku kryeson me numrin më të madh të sulmeve të armikut”, deklaroi Kievi zyrtar, javën e kaluar, duke pretenduar se, në total, Forcat e Armatosura të Ukrainës kanë zmbrapsur rreth 150 sulme “të armikut” në dy javët e fundit.

Në njësinë mjekësore ushtarake, 10 kilometra larg frontit, mjekja ushtarake, Tania mban për krahu Serhiin, një ushtar, fytyra e të cilit është e lidhur me një fashë të gjakosur, dhe e drejton atë për në dhomën e ekzaminimit.  

“Gjendja e tij është e rëndë”, thotë Tania.

Si pasojë e predhave, Serhii ka pësuar lëndime të rënda në njërin sy, në kafkë dhe në tru. Mjekët i pastrojnë shpejt plagët dhe i injektojnë antibiotikë.

Pesë ushtarë të tjerë mbërrijnë menjëherë pas tij, në shok, të pasigurt për komplikimet e plagëve që kanë marrë. Breshëria e plumbave mund të jetë aq e ashpër dhe e papritur, saqë nuk mund të dihet as natyra e plagëve të tyre. Ato mund të shkaktohen nga armët e thjeshta, të njohura si mortaja apo edhe nga eksplozivët e hedhur nga dronët. 

“Është situatë e rrezikshme. Është e vështirë, mendërisht dhe fizikisht. Jemi të gjithë të lodhur, por po ia dalim”, thotë Yuriy, komandanti i të gjitha njësive mjekësore ushtarake të brigadës.

Të gjithë ushtarët ishin plagosur gjatë mëngjesit, por kanë mbërritur në njësinë mjekësore ushtarake, vetëm pasi ka rënë nata, kur siguria është më e madhe. 

Vonesat e tilla mund ta rrisin rrezikun për vdekje dhe invaliditet. 

Një ushtar tjetër, Tarasi, ka lidhur një rrip rreth krahut të tij për të ndaluar gjakderdhjen, por tani, kur kanë kaluar më shumë se 10 orë pa marrë trajtim, krahu i tij është ënjtur dhe ka ndryshuar ngjyrë. Një mjek thotë se ka mundësi që do t’u duhet t’ia amputojnë.  

Në 24 orët e fundit dy ushtarë janë sjellë në njësi, pa shenja jete.

Ajo që shihte në terren tregon qartë për egërsinë e betejës për Pokrovskun, një qendër e rëndësishme transporti. Linja hekurudhore që kalon nëpër qytet është përdorur rregullisht për t’i evakuuar civilët nga qytetet e vijës së parë të frontit, në pjesë më të sigurta të Ukrainës, si dhe për të transportuar furnizimet ushtarake për ushtrinë. 

Ukraina e di se çfarë po ndodh këtu.

Kërcënimet nga sulmet me dronë janë gjithmonë të pranishme, me njërin prej ushtarëve që bën rojë tërë kohën. Kjo e bën evakuimin nga vija e frontit jashtëzakonisht të vështirë. Dritaret e ndërtesës janë të mbyllura, por në momentin që dikush del nga dera, rrezikohet të goditet nga dronët.

“Jam e tmerruar”

Dronët janë gjithashtu një kërcënim edhe për qytetarët e mbetur të Pokrovskut.

“Ne dëgjojmë zhurmën e tyre vazhdimisht. Ata ndalojnë dhe vëzhgojnë brenda dritareve”, thotë Viktoriia Vasylevska, njëra prej banorëve të mbetur. Së fundmi edhe ajo ka pranuar që të largohet nga shtëpia e saj, drejt një vendi më të sigurt. 

Ajo është e befasuar nga përparimi dhe zgjerimi i luftimeve drejt perëndimit të Pokrovskut.

“Gjithçka ndodhi kaq shpejt. Kush e di se çfarë do të ndodhë këtu më pas. Po e humb mendjen. Kam sulme paniku. Kam frikë nga netët”.

Viktoriia thotë se do t’i duhet ta fillojë jetën e saj nga e para diku tjetër, meqë është shumë e frikshme që të qëndrosh në këtë qytet.

“Unë dua që lufta të përfundojë. Duhet të ketë negociata. Edhe ashtu nuk ka mbetur asgjë në tokat e okupuara nga Rusia. Gjithçka është shkatërruar dhe të gjithë njerëzit kanë ikur”, thotë ajo.

Shumica e banorëve të mbetur, janë të thyer e të gërryer emocionalisht e fizikisht. 

Pjesa më e madhe e Pokrovskut nuk ka as energji elektrike e as ujë.  

Në njërën prej shkollave të qytetit, njerëzit mbajnë radhën për të mbushur shishe me ujë. Thonë se pak ditë më parë punonin katër çezma, por tani funksionale ka mbetur vetëm njëra prej tyre.
Në qytet, dëmet janë të dukshme, ndonëse nuk është bombarduar si vendet e tjera, për të cilat është luftuar ashpër.

Larysa, një grua 69-vjeçare, teksa blen thasë me patate nga pak tezga ende të hapura në tregun qendror, tregon për frikën e saj. 

“Jam e tmerruar. Nuk mund të jetoj pa qetësues”, thotë ajo. Me pensionin e saj të vogël, ajo nuk mendon se do të jetë në gjendje të përballojë qiranë diku tjetër. “Qeveria mund të më çojë diku dhe të më strehojë për një kohë. Por çfarë pas kësaj?”

Një tjetër blerëse, Raisa, 77-vjeçare, ndërhyn. 

“Nuk mund të shkosh askund pa para. Kështu që ne thjesht rrimë në shtëpinë tonë dhe shpresojmë që kjo të marrë fund”.

Larysa mendon se ka ardhur koha për të negociuar me Rusinë, një gjë që mund të ketë qenë e paimagjinueshme për shumicën e ukrainasve disa kohë më parë. Por të paktën këtu, pranë vijës së frontit, shumë e shprehnin këtë dëshirë.

“Shumë nga djemtë tanë po vdesin, shumë janë plagosur. Ata po sakrifikojnë jetën e tyre dhe kjo po vazhdon e vazhdon”, thotë ajo.

E shtrirë në dyshekun brenda një furgoni që evakuon banorët, gjendet 80-vjeçarja, Nadiia. 
“Mallkuar qoftë kjo luftë! Unë do të vdes”, vajton ajo. “Pse Putini po dëshiron më shumë tokë? A nuk ka mjaftueshëm ai? Ai ka vrarë kaq shumë njerëz”.

Nadiia nuk mund të ecë. 

Nën kërcënimin e vazhdueshëm të bombardimeve, ajo ka vendosur të largohet edhe pse nuk e di se ku do të shkojë.

Por ka nga ata që ende nuk po largohen nga qyteti.

Midis tyre, ka vendës që punojnë për riparimin e infrastrukturës së dëmtuar nga lufta.

“Unë jetoj në një nga lagjet afër vijës së frontit. Gjithçka është djegur rreth shtëpisë sime. Fqinjët e mi vdiqën pasi shtëpia e tyre u granatua”, na thotë Vitaliy, teksa ai dhe bashkëpunëtorët e tij përpiqen t’i rregullojnë linjat elektrike. “Por unë nuk mendoj se është e drejtë të braktisim ushtarët tanë. Ne duhet të luftojmë derisa të fitojmë dhe Rusia të dënohet për krimet e saj”.

Vendosmëria e Vitaliy për të qëndruar në qytet, nuk përkrahet nga 20-vjeçari, Roman.

“Unë nuk mendoj se ky territor ia vlen sa për të humbur jetën. Shumë ushtarë tanë kanë vdekur. Të rinj që mund të kishin të ardhme, gra dhe fëmijë. Por ata duhej të shkonin në vijën e parë të frontit”.

Ushtari ukrainas, Vadym, gjuan me një armë artilerie, të epokës sovjetike. Arma lëshon një tingull shurdhues dhe çon përpjetë pluhurin dhe gjethet e thara. Ai vrapon për t’u strehuar në një bunker nëntokësor, duke u ruajtur kështu nga hakmarrja ruse dhe duke pritur për koordinatat e sulmit të ardhshëm.

“Ata [Rusia] kanë më shumë njerëz dhe armë. Ata i dërgojnë njerëzit e tyre në fushën e betejës sikur të ishin material shpenzues”, thotë ai.

Ai e di se nëse Pokrovsku bie në duart e Rusisë, shanset për ta pushtuar rajonin e Dnipros, i cili gjendet vetëm 32 km larg nga Pokrovsku, do të ishin tepër të larta, dhe kjo do ta bënte edhe më të vështirë luftën e tyre. 

“Po, jemi lodhur dhe shumë nga njerëzit tanë kanë vdekur e janë plagosur, por ne duhet të luftojmë, përndryshe rezultati do të jetë katastrofik”.