Botë

Mali i Zi i reagon Dodikut: Përmbahu nga retorika nacionaliste

Mali i Zi i ka reaguar liderit të Republikës Serbe, Millorad Dodik, që gjatë së shtunës ka deklaruar se gjatë këtij shekulli, serbët duhet të formojnë një shtet të vetëm, “të përbërë Serbia, Republika Serbe dhe Mali i Zi”.

Ministria e Jashtme ka thënë se Mali i Zi është vend i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht dhe anëtar i NATO-s, e një bashkim i mundshëm, sipas këtij shteti, do të bëhej vetëm në Bashkimin Evropian. Ajo e ka ftuar Dodikun të përmbahet nga retorika nacionaliste, ka raportuar Vijesti.

“Si shtet laik dhe shumetnik, jemi të përkushtuar ndaj raporteve të fqinjësisë së mirë që duhet të bazohen në respektin e ndërsjellë për sovranitetin dhe integritetin territorial, vlerat themelore dhe angazhimet e politikës së jashtme, sepse vetëm një fqinjësi e qëndrueshme mund t’i sjellë prosperitet shtetet tona dhe rajoni në tërësi”, thuhej në deklaratën e ministrisë së Malit të Zi.

Deklarimin e Dodikut, Ministria e Jashtme e ka konsideruar ide retrograde, duke shtuar se s’është hera e parë që Mali i Zi bëhet objekt i mendimeve “të papërshtatshme dhe të papranueshme për synime të situatave politike lokale në rajon”.

“Ftojmë Dodikun që të përmbahet nga retorika ekspansioniste dhe nacionaliste dhe të veprojë politikisht me përgjegjësi shtetërore, në frymën e raporteve miqësore, siç ushqehen nga Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina”.

Dodiku ka thënë se formimi i një shteti të vetëm të serbëve do të bëhet nëpërmjet “mjeteve demokratike, e jo nëpërmjet luftës”.