Kryetarja pro-perëndimore Maia Sandu ka fituar një mandat të dytë në detyrë në zgjedhjet presidenciale në Moldavi, kanë treguar rezultatet paraprake, duke shënuar një veprim të rëndësishëm për aspiratat e vendit për në BE dhe një qortim të qartë për Moskën.
Zgjedhjet e balotazhit u panë si një tregues vendimtar nëse shtrirja afatgjatë gjeopolitike e vendit do të jetë me Rusinë apo Evropën, raporton The Guardian.
Presidentja pro-perëndimore, Sandu, i cili ka intensifikuar përpjekjet e vendit për t'u shkëputur nga ndikimi i Moskës, po përballej me të sapoardhurin politik miqësor ndaj Kremlinit, Alexandr Stoianoglo, nga partia Socialiste, në rundin e dytë të votimit të dielën.
Me 98% të votave të numëruara, Sandu kryesoi me 54.35%, ka bërë të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Rezultatet e hershme treguan se diaspora e madhe moldave, që përbën rreth 20% të elektoratit, kishte votuar me shumicë dërrmuese për Sandu. Rezultati do të jetë një nxitje e rëndësishme për Sandu dhe agjendën e saj afatgjatë të BE-së.
Në fjalimin e saj të fitores, të mbajtur pasi u numëruan pothuajse të gjitha votat, Sandu ka thënë se kishte dëgjuar zërat e mbështetësve të saj dhe të kundërshtarit të saj, Stoianoglo.
Ajo tha se synimi i saj parësor për vitet në vijim do të jetë që të shërbejë si presidente për të gjithë qytetarët.
“Sot, të dashur moldavë, ju keni dhënë një mësim për demokracinë, të denjë për t'u shkruar në librat e historisë... Liria, e vërteta dhe drejtësia kanë triumfuar”, ka thënë ajo.