Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se nuk do të pajtohet me një qeveri të udhëhequr nga aleanca e majtë e Frontit të Ri Popullor (NFP), e cila fitoi shumicën e vendeve në zgjedhjet legjislative të muajit të kaluar.
Koalicioni katërpartiak fitoi shumicën e vendeve në zgjedhjet parlamentare të muajit të kaluar dhe ka thënë se kandidatja e tij, nëpunësja civile e Parisit, Lucie Castets, duhet të emërohet kryeministër, edhe pse ata nuk kanë një shumicë të nevojshme, raporton BBC.
Macroni ka thënë se Franca ka nevojë për stabilitet institucional dhe se e majta nuk do të mund të fitonte një votë besimi në parlament, raporton BBC.
NFP-ja, e cila paraqiti nëpunësen civile relativisht të panjohur, Castets si kandidaten e tij për kryeministre, si përgjigje bëri thirrje për protesta në rrugë dhe shkarkimin e Macronit.
Macroni, centristët e të cilit u mundën, duke u renditur të dytit në korrik, ka thënë se do të fillonte konsultimet e reja me liderët e partive të martën, dhe i kërkoi të majtës të bashkëpunonte me forcat e tjera politike.
Ai u ka bërë thirrje tri nga katër partive të majta, socialistëve, të gjelbërve dhe komunistëve, që të punojnë me "forcat e tjera politike" për të gjetur një rrugëdalje nga ngërçi, pa përmendur të majtën radikale “France Unbowed”.
Megjithatë, të tri palët refuzuan kërkesën e tij.
Asnjë grup nuk arriti të fitonte shumicën në zgjedhje, pasi NFP-ja fitoi më shumë se 190 vende, aleanca qendrore e Macronit 160 dhe Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë (RN) 140.
Macroni ka mbajtur bisedime për një qeveri të re që nga zgjedhjet dhe ka deklaruar se do të vazhdojë ta bëjë këtë.
“Përgjegjësia ime është që vendi të mos bllokohet apo dobësohet”, thuhet në deklaratën e tij të hënën.
"Partia Socialiste, të Gjelbërit dhe Komunistët nuk kanë propozuar ende mënyra për të bashkëpunuar me forcat e tjera politike. Tani u takon atyre ta bëjnë këtë”, ka shtuar ai.
Koalicioni i majtë ka refuzuar më parë të marrë pjesë në çdo konsultim të ardhshëm nëse nuk diskutohet kandidatura e zonjës Castets për kryeministre. Mirëpo partia e Macronit dhe “Tubimi Kombëtar” janë zotuar të hedhin poshtë kandidatët nga NFP-ja.
Pas takimit me Macronin për bisedime të hënën, udhëheqësit e “Tubimit Kombëtar” Marine le Pen dhe Jordan Bardella e përshkruan NFP-në si një "rrezik" për Francën.
Ndër emrat e tjerë të diskutuar në qarqet politike janë ish-ministri i brendshëm socialist, Bernard Cazeneuve dhe Xavier Bertrand, i cili është një udhëheqës rajonal nga republikanët e qendrës së djathtë.