Botë

Macroni do ta dërgojë shefin e diplomacisë në Liban për ta ndaluar luftën Izrael-Hezbollah

Emmanuel Macron

Foto: Associated Press

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë të mërkurën se do ta dërgojë ministrin e tij të Jashtëm në Liban këtë javë si pjesë e përpjekjeve për të parandaluar një luftë të plotë, duke i bërë thirrje Izraelit dhe Hezbollahut në Liban që të ndalojnë menjëherë armiqësitë.

"Nuk mund të ketë, nuk duhet të ketë luftë në Liban”, ka thënë Macroni në një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York, raporton Reuters.

Franca ka lidhje historike me Libanin dhe para tensioneve të fundit kishte punuar me muaj në propozime për të zbutur tensionet midis dy palëve.

Ajo ka punuar me Shtetet e Bashkuara në Kombet e Bashkuara për një iniciativë për të ndaluar luftimet dhe për të hapur derën për më shumë diplomaci, thanë diplomatët.

“Ne po i bëjmë thirrje me vendosmëri Izraelit të ndalojë përshkallëzimin në Liban dhe Hezbollahut të ndalojë së qëlluari drejt Izraelit”, ka deklaruar Macroni.

Ai tha se ministri i tij i Jashtëm i sapoemëruar, Jean-Noel Barrot do të udhëtojë në Liban në fund të javës.

Për konfliktin në Gaza, Macroni ka thënë se ndërsa Izraeli kishte të drejtë të mbrohej pas sulmit nga grupi islamik palestinez Hamas më 7 tetor 2023, lufta kishte zgjatur shumë dhe duhej të përfundonte tani.

"Nuk ka asnjë justifikim, asnjë shpjegim për mijëra vdekje të civilëve palestinezë. Shumë civilë kanë vdekur”, është shprehur Macroni.