"Rregullat e lojës kanë ndryshuar"

Macroni alarmon: Evropa jonë mund të vdesë

Emmanuel Macron

Emmanuel Macron

Foto: Associated Press

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar të enjten se Evropa përballet me kërcënim të ekzistencës nga agresioni rus, derisa ka bërë thirrje për kontinentin që të adoptojë një strategji “të besueshme” të mbrojtjes, më pak të varur nga SHBA-ja, ka raportuar AFP. 

Macroni e ka përshkruar sjelljen e Rusisë pas pushimit të Ukrainës, si “të pafrenuar”, dhe ka shtuar se nuk është e qartë se ku janë “kufijtë” e Moskës. 

Në një fjalim pothuajse dy-orësh në një universitet në Paris, Macroni po ashtu ka theksuar alarmin e asaj që e ka quajtur si mosrespektim të rregullave globale të tregtisë si nga SHBA-ja ashtu edhe nga Kina, dhe ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që ta rishikojë politikën e saj të tregtisë.

“Evropa jona, sot është e vdekshme, dhe mund të vdesë. Ajo mund të vdesë dhe kjo varet vetëm në zgjedhjet tona”, ka deklaruar Macroni, duke paralajmëruar se Evropa “nuk është e armatosur kundër rrezikut me të cilin përballet” në një botë ku “rregullat e lojës kanë ndryshuar”.

“Rreziku është që Evropa të përjetojë një rënie dhe ne tashmë kemi filluar ta shohim këtë pavarësisht të gjitha përpjekjeve tona”, ka paralajmëruar ai, duke thënë se kontinenti është në një situatë “rrethimi” nga fuqitë e tjera rajonale. 

"Ne jemi ende shumë të ngadaltë dhe jo mjaftueshëm ambicioz”, ka thënë ai, duke kërkuar një "Evropë të fuqishme", e cila "respektohet", "siguron sigurinë e saj" dhe rifiton "autonominë e saj strategjike".

Sipas AFP-së, Macroni ka kërkuar nga Evropa të jetë zotëruese e fatit të vet, duke deklaruar se në të kaluarën ajo ka qenë shumë e varur nga Moska për energjinë dhe nga Uashingtoni për sigurinë. 

Ai ka thënë se "kushti" i domosdoshëm për sigurinë evropiane është "që Rusia të mos fitojë luftën e agresionit në Ukrainë". 

"Ne duhet të ndërtojmë këtë koncept strategjik të një mbrojtjeje të besueshme evropiane për veten tonë”, ka thënë Macroni, duke shtuar se Evropa nuk mund të jetë "një vasal" i SHBA-së.