Presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka kërkuar të hënën Ukrainës që të ketë pritshmëri "realiste", ndërsa lufta e saj kundër pushtimit rus po shkon drejt vitit të katërt.
Rusia, e cila ka pushtuar Ukrainën në shkurt të vitit 2022, aktualisht ka nën kontroll rreth 20 për qind të territorit të vendit fqinj.
Macroni ka deklaruar se ai nuk sheh "zgjidhje të shpejtë dhe të lehtë" të konfliktit, raporton Reuters.
“Nuk do të ketë zgjidhje të shpejtë dhe të lehtë në Ukrainë”, është shprehur Macroni në një fjalim para ambasadorëve francezë të mbledhur në Pallatin Elysee.
Në të njëjtën kohë ai ka paralajmëruar se ukrainasit duhet të kenë "diskutime realiste për çështjet territoriale".
Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka premtuar se do t'i japë fund të shpejtë luftimeve gati trevjeçare, pa ofruar ndonjë propozim konkret për një armëpushim apo marrëveshje paqeje.
Të dyja palët po kërkojnë të sigurojnë një pozicion më të mirë në fushën e betejës përpara inaugurimit të Trumpit, më 20 janar.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të na ndihmojnë për të ndryshuar natyrën e situatës dhe për të bindur Rusinë që të vijë në tryezën e bisedimeve”, ka thënë Macron.
Sipas tij, evropianët në anën tjetër, do të duhet të ofrojnë "garanci sigurie" për Ukrainën.
“Presidenti i ri amerikan e di vetë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë shans për të fituar asgjë nëse Ukraina humbet”, është shprehur Macron.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu se besueshmëria e vendeve perëndimore do të "shpartallohej" nëse ata do të pranonin të bënin kompromis për Ukrainën për shkak të "lodhjes".
"Një kapitullim nga Ukraina nuk mund të jetë i mirë për evropianët dhe amerikanët”, është shprehur Macron.