Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar se Qeveria franceze duhet ta konsiderojë kontrollin dhe ndërprerjen e rrjeteve sociale kur gjërat dalin jashtë kontrollit në vend, raportoi të mërkurën “The Guardian”.
Kjo deklaratë e presidentit francez u bë pasi ministrat kanë fajësuar të rinjtë që përdorin platforma të tilla si “Snapchat” dhe “TikTok” për organizimin dhe inkurajimin e trazirave dhe dhunës.
“Duhet të mendojmë se si të rinjtë përdorin rrjetet sociale. Kur gjërat dalin jashtë kontrollit, ne mund të na duhet t'i rregullojmë ato ose t'i ndërpresim”, ka thënë Macroni në një takim me më shumë se 200 kryebashkiakë, komunat e të cilëve u goditën nga dhuna.
Kritikët kanë thënë se shqyrtimi i masave të tilla do ta vendoste Francën përkrah vendeve autoritare si Kina, Rusia, Irani dhe Koreja e Veriut.
“Vendi i të drejtave të njeriut nuk mund të rreshtohet krah Kinës, Rusisë dhe Iranit”, ka thënë kreu i Partisë Socialiste, Olivier Faure.
Ndërsa Olivier Marleix nga Les Republicains e qendrës së djathtë ka krahasuar këtë veprim me të tilla që ndodhin në Kinë, Iran e Kore të Veriut.
“Të ndalen rrjetet sociale? Si Kina, Irani, Koreja e Veriut? Edhe nëse është një provokim për të tërhequr vëmendjen, është me shije shumë të keqe”, është shprehur ai.