Presidenti francez, Emmanuel Macron, është duke iu adresuar një takimi me liderë të bizneseve, i cili për temë qendrore ka mbrojtjen e ekonomisë franceze nga tarifat e reja të presidentit amerikan, Donald Trump, raportoi të enjten The Guardian.
Macron e ka hapur takimin duke i quajtur vendimet e presidentit amerikan si “brutale dhe të pabazuara”, përderisa ka shprehur shqetësim rreth ndikimit të tarifave në Francë dhe më gjerë.
Ai ka sinjalizuar se do të ketë kundërpërgjigje ndaj kësaj lëvizjeje.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shpallur të mërkurën tarifat e reja ndaj partnerëve tregtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë një fjalimi të mbajtur në ambientet e jashtme të Shtëpisë së Bardhë, në atë që e ka cilësuar si “dita e çlirimit” për SHBA-të nga varësia e mallrave të huaja.
Në kuadër të fjalimit, Trump ka paraqitur një grafikë të tarifave reciproke për pothuajse secilin partnerë tregtarë, ku figuruan tarifa prej 10 për qind për Britaninë e Madhe, 20% për Bashkimin Evropian, 34% për Kinën dhe për shumë vende të tjera rreth botës.
Në takim po marrin pjesë kryeministri francez, Francois Bayrou dhe disa ministra të tjerë.