Botë

Macron: Fitorja e së majtës ekstreme ose së djathtës ekstreme do të ndezë luftë civile

Emmanuel Macron

Emmanuel Macron

Foto: Associated Press

Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar se partia e ekstremit të djathtë “Rally National” (RN) dhe koalicioni i majtë “Fronti i Ri Popullor” rrezikojnë të sjellin luftë civile në Francë.

Macron në ‘podcastin’ “Generation Do It Yourself” ka kritikuar partinë RN, e cila sipas sondazheve është në vend të parë. Sipas presidentit francez, zgjidhjet e tyre për krimin dhe emigracionin bazohen në “stigmatizim ose ndarje”.

“Mendoj se zgjidhjet e dhëna nga e djathta ekstreme janë jashtë diskutimit, sepse ajo po i kategorizon njerëzit në aspektin e fesë ose origjinës së tyre dhe kjo është arsyeja pse çon në ndarje dhe në luftë civile”, ka thënë Macron.

Macron bëri të njëjtën kritikë ndaj partisë së majtë ekstreme “La France Insoumise” (LFI), e cila është pjesë e koalicionit të Frontit të Ri Popullor.

“Por edhe kjo, ka një luftë civile pas kësaj, sepse ju po i kategorizoni njerëzit vetëm në aspektin e këndvështrimit të tyre fetar ose komunitetit të cilit i përkasin, që në një farë mënyre është mjet për të justifikuar izolimin e tyre nga komuniteti më i gjerë kombëtar, dhe në këtë rast, do të kishte luftë civile me ata që nuk ndajnë të njëjtat vlera”, ka thënë ai.

Në një reagim, kryetari i “Rally National”, Jordan Bardella, ka thënë se një president “nuk duhet t’i thoshte këto gjëra”.