Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë të enjten se NATO-ja ndodhet në grahmat e “vdekjes klinike” teksa i paralajmëroi vendet e Evropës se tanimë nuk mund të mbështeten në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në aspektin e mbrojtjes.
Lideri francez, duke folur për të përjavshmen britanike “The Economist”, e përmendi faktin se SHBA-ja nuk është konsultuar me NATO-n para se t’i tërhiqte trupat nga veriu i Sirisë dhe ngriti dilemën nëse Aleanca ushtarake Veriatlantike është përnjëmend e përkushtuar për mbrojtjen kolektive, raporton Reuters, transmeton Koha.net.
“Aktualisht jemi dëshmitarë të vdekjes klinike të NATO-s”, citohet të ketë thënë Macroni për “The Economist”. I pyetur nëse beson në kriteret e Nenit Pesë për “mbrojtje kolektive” të traktatit themeltar të NATO-s – nën të cilin sulmi ndaj një aleati konsiderohet sulm ndaj të gjithë aleatëve – Macroni u përgjigj shkurt: “Nuk e di”.
“(NATO-ja) funksionon vetëm nëse garantuesi i opsionit të fundit funksionon si i tillë. Do të argumentoja se duhet ta rivlerësojmë realitetin se çfarë është NATO-ja pa përkushtimin e SHBA-së”, ka shtuar Macron.
