Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka dënuar të mërkurën kërcënimet me vdekje në drejtim të gjyqtares, Benedikte de Perthuis, e cila ishte në mesin e tre gjyqtarëve që ka dënuar lideren e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, duke i cilësuar si absolutisht të papranueshme dhe të patolerueshme, raporton The Guardian.
Gjyqtarja De Perthuis është vënë nën mbrojtjen e policisë, me autoritetet që kanë konfirmuar se një hetim është duke u zhvilluar lidhur me kërcënimet ndaj saj.
Macroni gjithashtu ka komentuar për herë të parë vendimin e gjykatës për ta dënuar Le Penin, duke theksuar, siç citon zyrtarja qeveritare për komunikim, Sophie Primas, se “dega gjyqësore është e pavarur” dhe se “të gjithë janë të barabartë pata ligjit”.
Macroni ka shtuar se “të gjithë të akuzuarit kanë të drejtë të ndjekin rrugët ligjore”.
Le Pen është shpallur fajtore të hënën për përvetësim të fondeve të BE-së për ta financuar partinë e saj.
Ajo përveç që është ndaluar nga kandidimi për poste publike për 5 vjetët e ardhshme, është dënuar edhe me katër vjet burgim, dy prej të cilave me kusht dhe dy të tjera mund t’i kryejë në liri duke mbajtur hallkë elektronike, dhe po ashtu me gjobë në vlerë prej 100.000 euro.
Dënimi me pamundësinë e garimit për poste publike është me efekt të menjëhershëm, teksa ai me burgim dhe gjobë nuk do të zbatohen derisa të shteren të gjitha apelet nga Le Peni.