Botë

Lugina Silikon e Indisë po përballet me krizë të ujit, të cilën softuerët s’e zgjidhin

Qyteti Silikon - Indi

Në zonën përtej qendrës së Bengalurus, ku rriten ëndrrat për pasurimin nga teknologjia, shkollat nuk kanë ujë nëpër tualete. Makinat e larjes së rrobave nuk përdoren më. Koha për dush është duke u shtyrë dhe fëmijët, me vetëm ujë të pistë për të pirë, janë duke u shtrirë në spital me ethe tifoide.

Qyteti Bengaluru, shtëpi e shumë kompanive teknologjike dhe kërkimore të nivelit të lartë, ka mjaft reshje të shiut. Por qyteti nuk është përshtatur siç duhet për shkak se popullsia e tij në rritje është duke tharë burimet tradicionale të ujit.

Cisternat e ujit që nevojitej të mbusheshin kaluan përtej liqeneve të thara të kryeqytetit teknologjik të lulëzuar të Indisë. Shoferët e tyre me sy të zymtë prisnin në radhë për të marrë çfarë të mundnin nga puset e shpuara, një milje të thella, nëpër zonat me pluhur midis zyrave dhe ndërtesave - të gjitha të ndërtuara përpara se uji dhe kanalizimi të arrinin te to.  

Në një pus, ku fqinjët ankoheshin për humbjen e një peme të mangos, një libër evidence i shkruar me dorë rendit mungesën e ujit: 3:15 dhe 4:10 një mëngjes; 12:58, 2:27 dhe 3:29 në tjetrin. 

“Unë marr 50 thirrje në ditë”, ka thënë Prakash Chudegowda, vozitës cisterne në jug të Bengalurut, i njohur edhe si Bangalore, teksa ka lidhur një gyp në bunar. “Unë mund të shkoj vetëm te 15”.

Silicon Valley (Lugina e Silikonit) i Azisë Jugore ka problem natyror – problem të cilin as softuerët nuk mund ta zgjidhin. Në zonën përtej qendrës së Bengalurus, ku rriten ëndrrat për pasurimin nga teknologjia, shkollat nuk kanë ujë nëpër tualete. Makinat e larjes së rrobave nuk përdoren më. Koha për dush është duke u shtyrë dhe fëmijët, me vetëm ujë të pistë për të pirë, janë duke u shtrirë në spital me ethe tifoide. 

Dështimi i shtetit 

Problemi i madh që ka prekur Bengalurun nuk është mungesa e shiut, por çka e mban prapa këtë vend gjigant dhe energjik: qeverisje artritike.

Ndërsa qyteti është i fokusuar në të ardhmen digjitale, duke trefishuar popullsinë e tij në 15 milionë që nga vitet ’90 dhe duke ndërtuar ekosistem të gjallë teknologjik, menaxhimi i ujit ka mbetur prapa dhe nuk është zhvilluar më, pasi akuiferët e shëndetshëm janë tharë për shkak të përhapjes së pakontrolluar të puseve urbane.

Dështimet e kujdesit mjedisor janë të shpeshta përgjatë këtij vendi me ndotje të rëndë dhe nevojë akute për rritje të ekonomisë për të siguruar për 1.4 miliardë banorë.  Po ashtu ka ndarje politike veri-jug në Indi. 

Por problemi i ujit të Bengalurusë është mjaft shqetësues për shumë – dhe motivues për ata që mendojnë për shitje të ujit ose reformë – sepse qyteti e sheh veten si novator. Dhe në këtë rast, shkaqet dhe zgjidhjet janë të njohura mirë. 

“Nuk ka krizë të disponueshmërisë së ujit”, ka thënë Vishwanath Srikantaiahi, studiues i ujit dhe planifikues urban në Bengaluru. “Është e qartë se është krizë që vjen nga dështimi i shtetit”. 
E shikuar nga një këndvështrim tjetër, ka shtuar ai në një intervistë të bërë nga shtëpia e vet, ku librat për ujërat dhe lumenjtë ishin të radhitur deri në çati, është krizë e shkaktuar nga mungesa e imagjinatës.

Siç thonë ekspertët e politikave publike, Bengaluru dhe shteti i Karnatakas kanë qenë shumë të ngadalta sa u përket planifikimit e zhvillimit, të ndara nëpër agjenci dhe tepër të shtangëta sa i përket mbështetjes së tyre për pompimin e ujit nga rezervuarët përgjatë lumit Kaveri më shumë se 50 milje (80 kilometra) larg.

Pavarësisht historisë së gjatë të hidrologjisë vendore - Nadaprabhu Kempegowda, themeluesi i Bengalurusë në shekullin XVI, ka ndërtuar qindra liqene për ujitje – zyrtarët kanë ngecur me opsionin tradicional të inxhinierisë, të cilin paraardhësit e tyre e nisën në vitet ’50 dhe ’60.

Kjo është situata pa marrë parasysh sfidat dhe shpenzimet. Vetëm kostoja e energjisë për pompim shpenzon rreth 75 për qind të të ardhurave të Bordit të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizime në Bangalore, që përmbush vetëm rreth gjysmën e nevojave të qytetit.

Pjesa tjetër e ujit, për dekada, ka ardhur nga puset e shpuara – vrima rreth 15 centimetra që funksionojnë si pipa për ujin që del nga akuiferët nën tokë. Një autoritet tjetër, i ndryshëm nga bordi i ujit, ka shpuar 14 mijë puse të tilla në tokë, gjysma e të cilave tashmë janë tharë, sipas zyrtarëve. Ekspertët kanë vlerësuar se banorët kanë shpuar rreth 450 mijë deri 500 mijë puse shtesë në qytet, pa njohurinë e vendndodhjes së tyre nga qeveria ose pa pasur kuptim të qartë të ndikimit të tyre. 

Përdorimi i krizës për përfitime financiare

Në shumicën e qytetit, puset janë si zile të dyerve, të shumta, por në pamje të padallueshme derisa dikush të tregojë se ku janë. Shpimet e dështuara vërehen si rrathë në rrugët e qeta; ato të suksesshme shpesh janë të mbuluara me lule, me një gyp të zi që i lidh me një shtëpi në rrugë. 

Të kalosh një ditë në kabinën e kamionit cisternë të Chudegowdas të ofron një shfaqje të shpejtë se si funksionon sistemi i tillë. Në një ndalesë, shoferët kanë shënuar kohën e tyre në librin e evidencës, teksa kamerat kanë vëzhguar se me sa shumë ujë kanë mbushur cisternën. Te një ndalesë tjetër furnizimi ka qenë i ngadaltë dhe i organizuar: gjashtë shoferëve u janë dashur 20 minuta për të mbushur rreth 6,000 litra, disa hapa larg një liqeni të varfëruar në një pellg. Në ndalesën e tretë, një pronar i një ndërtese i ka shitur një ngarkesë me ujë Chudegowdas pa pasur nevojë të priste.

“Çdo minutë është e rëndësishme”, ka thënë ai teksa ka hipur në kamion.

Konsumatorët e tij variojnë nga një fabrikë e jelekëve me 100 punëtorë deri në një ndërtesë e vogël me apartamente, të gjitha brenda disa miljeve për t’i maksimizuar fitimet. Ai u ka shitur çdo ngarkesë të cisternës për 18 dollarë, më shumë se dyfishi prej muajve të kaluar, të cilën ai e konsideron të justifikuar, sepse çmimet janë rritur.

Shpuesit shpesh dështojnë të gjejnë ujë ose u duhet të shpojnë më thellë, çka do të thotë më shumë rrymë dhe gaz për pompat që tërheqin ujin nga toka. 

Efektet janë bërë më të dukshme gjatë javëve të fundit, sidomos në korridoret e teknologjisë, me turbullimin nga apartamentet luksoze, lagjet e varfra, dyqanet e telefonave celularë, qendrat tregtare, klinikat e frytnimit të asistuar dhe zyrat vezulluese.

Në Whitefield, një lagje e ngarkuar softuerësh, Sumedha Rao, mësuese në një shkollë të re publike, ka ofruar që të pyetet klasa e saj me 12-vjeçarë për eksperiencat e tyre me mungesën e ujit. Korridoret ishin të ngjyrosura me ngjyra të ndezura dhe me fjalë frymëzuese -  qëndrueshmëri, qytetari, bashkëpunim. Në klasë, ata janë pyetur se sa shpesh kanë ujë në shtëpi.

“Një herë në javë, zonjë”, ka thënë një vajzë.

“Ne kemi vetëm një kovë me ujë”, ka thënë një djalë gati në fund të klasës.

“Nuk ka ujë në puset e shpuara”, ka bërtitur një tjetër.

Shumë prej tyre marrin sasi të vogla të ujit të pijshëm nga çezmat e shkollës për familjet e tyre – vetëm një shishe për fëmijë, sepse shkolla duhet të kursejë. Prapa një fushe të lojës qëndronte një grumbull metalesh: një pus i shpuar e i prishur.

“Motori nuk i funksionon më”, ka thënë Shekar Venkataswamy, mësues i edukatës fizike.

Plani novator 

Duke ecur drejt shtëpisë së tij pas mësimit, ai ka treguar me gisht drejt një vrime të tharë ku shpimi ka dështuar dhe aty ku ishte një tjetër që ka funksionuar. Mijëra familje përdorin ujin me radhë, një orë secila, orar ky i planifikuar dhe i menaxhuar me kujdes.

Udhëheqësit e komunitetit kanë shprehur krenari me mënyrën se si po e trajtojnë krizën, duke zbutur sakrificën që janë duke kaluar. Shumë të tjerë janë frymëzuar për veprim më të gjerë.

Një mëngjes, katër punonjës të teknologjisë që janë bërë aktivistë të ujit janë shfaqur në një qoshe veriore të qytetit ku Srikantaiahu, studiuesi i ujit, ka punuar me komunitetin vendor për të rinovuar një liqen që dikur ka qenë i mbushur me mbeturina. Një rrjet i vogël i filtrave dhe gypave dërgon rreth 200 mijë litra ujë të pijshëm në ditë.

“Shumë shpejt do të arrijë në 600 mijë”, ka thënë Srikantaiahu. Dhe çmimi për konsumatorët: gati një e treta e asaj që janë duke kërkuar shoferët e cisternave. 

Punonjësit e teknologjisë kanë thënë se kanë planifikuar t’i ndajnë detajet me fqinjët dhe zyrtarët, për ta shpërndarë fjalën se një liqen, duke përdorur ujë të shirave dhe ujëra të zeza të trajtuara, mund të kthehet në burim uji të sigurt, të përballueshëm dhe të besueshëm. 

Në një intervistë në zyrën e tij, kryetarit të Bordit të ujit, Ram Prasath Manohara, 43-vjeçar, administrator me përvojë i qeverisë i cili ka nisur punën tre muaj më parë, tha se i pëlqen ideja.
Duke pranuar se disa ish-zyrtarë nuk kanë menduar gjerësisht për menaxhimin e ujit, ka thënë se shpreson të tërheqë para publike dhe private për një qasje më inovative, duke përzier metoda të bazuara në të dhëna, të cilat mund të rikthejnë liqenet dhe të lejojnë akuiferët të rimbushen dhe kështu kjo mund të zgjerojë mbledhjen dhe ruajtjen e ujit të shiut.

“Ne jemi duke ndjekur një zgjidhje më të gjelbër”, ka thënë ai. “Një zgjidhje më efektive”.

Megjithatë, deri më tash, progresi ka qenë i ngadaltë. Ai nuk ka qenë në gjendje të punësojë staf shtesë, ka thënë, dhe është duke punuar çdo ditë nga 6 deri në 2 të mëngjesit.

Lehtësimi afatshkurtër, është lutur ai, do të vijë në javët e ardhshme, me rezervuare të ujit të zgjeruara në disa pjesë të qytetit dhe shirat e pritura pranverore. Mbi të gjitha, si shumica e të tjerëve në Silicon Valleyn e Indisë, ai shpreson se e gjithë vëmendja ndaj mungesës së ujit do të shtojë ritëm për ndryshim afatgjatë. 

Në një nga qoshet e zyrës së tij ishte e printuar një thënie e Benjamin Franklin në një copë letre dhe e vendosur në një dritare: “Kur të thahet pusi, ne do ta dimë rëndësinë e ujit”.

“Kjo krizë”, ka thënë ai duke fërkuar sytë e lodhur, “do të na japë një mundësi”.

Përgatiti: Latra Gashi