Të dyja ushtritë, ruse dhe ajo ukrainase kanë pretenduar suksese në Detin e Zi dhe veçanërisht mbi Ishullin e Gjarpërinjve të pushtuar nga Rusia, raportoi të dielën CNN-i.
Serhiy Bratchuk, zëdhënës i administratës ushtarake të rajonit Odesa, ka thënë të dielën se një helikopter rus në ishull është goditur dhe shkatërruar të shtunën mbrëma. Ushtria publikoi një video me dron që supozohet se tregon sulmin.
Ai gjithashtu tha se një varkë e vogël zbarkimi me një kapacitet prej rreth 80-100 personash është eliminuar, si dhe dy varka patrullimi të klasit Raptor.
Bratchuk shtoi se sipas informacioneve paraprake, rreth 40 ushtarë rusë janë vrarë.
Një imazh satelitor nga mëngjesi i së dielës tregoi të paktën një kolonë tymi që ngrihej nga ishulli.
Ministria ruse e Mbrojtjes të dielën dha një version shumë të ndryshëm të ngjarjeve.
Gjeneralmajor Igor Konashenkov, tha se gjatë mbrëmjes të së shtunës, dy bombardues të tjerë ukrainas Su-24 dhe një helikopter Mi-24 i Forcave Ajrore të Ukrainës u shkatërruan nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore mbi ishull.
Të dyja palët raportuan gjithashtu sulme pranë portit të Odesës.
Rusët kanë pretenduar se kanë rrëzuar një dron luftarak Bayraktar-TB2 pranë Odesës, ndërsa ushtria ukrainase tha se kishte kapur dy raketa lundrimi të lëshuara nga aeroplanët rusë.
Bratchuk tha se gjithsej 10 raketa lundrimi ruse janë gjuajtur në rajonin e Odesa të shtunën. Pista në aeroportin kryesor është goditur sërish bashkë me një lagje banimi.