Përshkallëzimi i vazhdueshëm i tensioneve midis Izraelit dhe Iranit dhe luftërat në Gaza e në Ukrainë do të dominojnë agjendën e ministrave të jashtëm nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Italia, Gjermania, Kanadaja dhe Japonia, të cilët janë mbledhur në ishullin italian të Caprit, të mërkurën, për tre ditë bisedime.
Nën drejtimin e Italisë, liderët e G7-ës pritet të bëjnë thirrje të përbashkët për Izraelin që të përmbahet pas sulmit të paprecedentë të Iranit në fundjavë.
Vendet e G7-ës kanë premtuar mbështetje për Izraelin pas këtij sulmi, i cili erdhi si përgjigje ndaj sulmit ajror izraelit në Konsullatën e Iranit në kryeqytetin sirian, Damask, më 1 prill, ku si pasojë mbetën të vrarë dy gjeneralë dhe disa oficerë të tjerë iranianë.
SHBA-ja ka njoftuar se po planifikon vendosjen e sanksioneve të reja ndaj programit të raketave dhe dronëve të Teheranit në ditët në vijim dhe ka shprehur pritjen që edhe aleatët e saj ta ndjekin këtë shembull.
Pushtimi rus i Ukrainës do të jetë gjithashtu temë kryesore në Capri, me ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, të planifikuar për t’iu bashkuar bisedimeve të enjten.
Gjermania ka bërë të ditur se ministrat e G7-ës do të diskutojnë mbi dërgimin e më shumë mbrojtjeje ajrore për Ukrainën, pasi Kievi po përballet me sulme të vazhdueshme ruse.
Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani për agjencinë e lajmeve “Associated Press” ka pranuar se ngecja e fondeve të SHBA-së po e dëmton Ukrainën ushtarakisht në terren, por ka shprehur shpresën se ngërçi do të zgjidhet.
Një tjetër çështje kyçe do të jenë edhe mënyrat e shfrytëzimit të rreth 300 miliardë dollarëve asete sovrane ruse të mbajtura në Perëndim për të ndihmuar Ukrainën, mes hezitimeve të disa vendeve anëtare të Bashkimit Evropian mbi ligjshmërinë e një lëvizjeje të tillë.
Sesioni i hapjes së takimit të mërkurën në mbrëmje do të fokusohet në Gaza dhe Iran.
Ministrat e G7-ës do të diskutojnë gjithashtu për stabilitetin në rajonin Indo-Paqësor, si dhe do të zhvillojnë debate për çështje që përfshijnë infrastrukturën, sigurinë kibernetike, inteligjencën artificiale dhe luftën kundër lajmeve të rreme.