Botë

Lufta shuan futbollin në Gaza

Derisa Palestina përgatitet për kualifikimet e ardhshme të Kupës së Botës, futbollistët i nënshtrohen dhunës izraelite

Në dhjetor të 2008-s, mes sulmeve ajrore vdekjeprurëse izraelite në Rripin e Gazës, Hazem Alrekhawi, atëherë 19 vjeç dhe një lojtar premtues i klubit “Shabab Rafah”, hipi në një autobus me nëntë nga shokët e tij të klasës nga kolegji teknik ku po vijonte mësimet në qytetin e Gazës.

Një raketë e lëshuar nga një avion luftarak izraelit F-16 goditi autobusin, duke lënë të vrarë të gjithë udhëtarët. Trupat e pajetë u dërguan në spitalin “Al-Shifa”. Alrekhawi, trupi i të cilit ishte i mbuluar me copëza metali, u mbështoll dhe u fut në frigoriferin e morgut.

Pesë orë më vonë, nëna e tij mbërriti në spital, duke kërkuar të identifikonte kufomën e djalit të saj. Me bisht të syrit ajo vuri re një dorë që lëvizte. Alrekhawi ishte gjallë.

Alrekhawi shpëtoi, por dukej e pamundur që mbrojtësi të mund të vazhdonte karrierën e tij futbollistike për shkak të lëndimeve të tij.

Megjithatë, në vitin 2011, ai u zhvendos në Bregun e pushtuar Perëndimor – ku lojtarët paguhen më mirë – dhe luajti për tetë klube të ndryshme për më shumë se 10 vjet.

Këtë verë vendosi të kthehej në klubin e qytetit të tij “Shabab Rafah”, pjesërisht për t’iu bashkuar vëllait të tij Mohammed, 38 vjeç, i cili do të tërhiqej nga futbolli në fund të sezonit 2023-2024.

Më 11 tetor, në mes të bombardimeve intensive izraelite në Gaza, pas sulmeve të Hamasit në Izrael, Mohammedi u godit për vdekje. Në fotografi shihej se si sulmuesi u nxor nga rrënojat e shtëpisë së tij i gjakosur dhe veshur mbante një palë pantallona të shkurtra të klubit “Shabab Rafah”.

Sulmet e Izraelit në Gaza vetëm sa janë intensifikuar që atëherë. Derisa nuk ka pasur asnjë lajm të mëtejshëm për sigurinë e vëllezërve, ata nuk janë paraqitur as në listat e të vdekurve të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë e Palestinës.

Ashtu si vëllezërit Alrekhawi, futbolli palestinez është menduar si i vdekur por është rikthyer.

Shoqata Palestineze e Futbollit (PFA) u themelua në vitin 1928 dhe iu bashkua FIFA-s vetëm pas një viti. Por me kalimin e kohës ajo u bë një organizatë ekskluzivisht hebraike dhe ndryshoi emrin e saj në Shoqata e Futbollit e Izraelit në vitin 1948, pas themelimit të shtetit të Izraelit.

E ekipet kombëtare të Palestinës luajtën në dekadat e mëvonshme, vetëm në vitin 1998 u rilind PFA-ja dhe Palestina u bë anëtare e plotë e FIFA-s - gjysmë dekade pas Nakbas (“katastrofës” në arabisht), ku mbetën të vrarë mijëra palestinezë dhe më shumë se 750 mijë u çrrënjosën për të krijuar shtetin e Izraelit.

Futbolli palestinez u mbijetoi trazirave të Intifadës së Dytë nga viti 2000 në 2005, pushtimit dhe pesë luftërave izraelite në Gaza, me ekipin kombëtar që u kualifikua me sukses në tri gara radhazi të Kupës së Azisë.

Por pa një përfundim të qartë të luftës së fundit në Gaza, përgatitja për fillimin e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026 në nëntor dhe Kupën e Azisë në janar të 2024-s, mund të jetë sfida më e vështirë deri më tani.

Image

“Do të vdesim në heshtje”

Mohammed Balah, 30 vjeç, u largua nga Gaza për në Jordani gjashtë vjet më parë për të krijuar një karrierë profesionale. Kjo i ofroi atij një debutim në ekipin kombëtar dhe një karrierë në pesë klube në ligat më të mira të Jordanisë, Omanit dhe Egjiptit.

Ashtu si Alrekhawi, Balah vendosi të kthehej në Gaza këtë verë pas një dëmtimi të ligamentit anterior (ACL) ndërsa luante për “Al-Masrym” në Premierë Ligën egjiptiane. Ai kishte shpresuar që të rikthehej në ekipin kombëtar. Kjo nuk ka gjasa të ndodhë tani.

Balah u kishte mbijetuar sulmeve të mëparshme në Gaza; në maj të 2021-s, shtëpia e tij u shkatërrua nga një sulm ajror izraelit. Por në një nga postimet e tij të fundit në rrjetet sociale, të datës 10 tetor, ai ishte më pak optimist për t’i mbijetuar luftës kësaj radhe.

“Ndoshta [në] disa orë, ne do të shkëputemi nga bota, për shkak të një ndërprerjeje të energjisë. Izraelitët kanë bombarduar kompaninë e telekomunikacionit dhe internetit, kompaninë e energjisë elektrike dhe gjeneratorët e energjisë në rrugë”, shkroi ai.

“Pjesa tjetër e gjeneratorëve nuk ka karburant. Do të vdesim në heshtje, larg syve të botës dhe miqve”.

Kur Balah u largua për herë të parë nga Gaza, ai e bëri këtë me mikun dhe shokun e tij të skuadrës Mahmoud Wadi.

Wadi, tani 28 vjeç, shkoi në Egjipt dhe u bë transferimi më i shtrenjtë në futbollin palestinez kur u transferua te “Pyramids FC” në vitin 2021 për një tarifë prej 17 milionë paundë egjiptianë (1.1 milion dollarë në atë kohë).

Në një intervistë më 22 tetor në kanalin “OnTime Sports”, Wadi shpjegoi ndjenjën e përjetimit të luftës së vitit 2014 në Gaza.

“Shkoja në shtrat natën dhe shikoja tavanin duke pritur që ai të më përplasej në kokë në çdo moment”, tha ai.

“Shumë lojtarë me të cilët kam luajtur kundër ose me të cilët isha në Gaza kanë vdekur”, ka shtuar Wadi.

Mes të vdekurve të konfirmuar janë atletë dhe administratorë nga një gamë e gjerë sportesh, duke përfshirë basketbollistin e “Al-Breijinit”, Bassim al-Nabahin, 27 vjeç; futbollisti Rashid Dabbour (28 vjeç), i cili luajti për “Al-Ahli Beit Hanoon”; dhe Ahmad Awad (21 vjeç).

Komuniteti sportiv palestinez në Bregun e pushtuar Perëndimor është prekur gjithashtu pasi tensionet atje janë rritur. Mesfushori nëntëmbëdhjetëvjeçar i “Markaz Balatas”, Mohammed Maree Sawafta, u vra nga forcat e sigurisë të Autoritetit Palestinez (PA) gjatë një proteste në qytetin e tij të lindjes, Tubas, afër Nablusit, më 27 tetor.

Image

Përfaqësimi i Palestinës

Të gjitha llojet e ngjarjeve sportive janë ndalur në Gaza, Bregun e pushtuar Perëndimor dhe Izrael.

Me futbollin në një pauzë të pacaktuar, lojtarët e Kombëtares së Palestinës janë përpjekur të largohen në vende të tjera. Përkeqësimi i situatës së sigurisë në Bregun e pushtuar Perëndimor bëri që shumë prej tyre të mos ishin në gjendje të udhëtonin midis qyteteve për shkak të dhunës nga kolonët izraelitë në rrugë.

“Mjeku ynë i ekipit u përpoq të udhëtonte nga fshati i tij për në Ramallah, por u desh të kthehej pasi kolonët sulmuan makinën e tij. Ata hodhën një gur të madh në drejtim të tij, duke i thyer xhamin e përparmë”, tha për “Al Jazeeran” një lojtar aktual i Kombëtares, i cili dëshiron të mbetet anonim. “Ai ishte me fat që shpëtoi i gjallë”.

Një skuadër prej 20 lojtarësh nën menaxhimin e Makram Daboubit do të përgatitet për kualifikimet e Kupës së Botës 2026 kundër Libanit (16 nëntor) dhe Australisë (21 nëntor).

Gjërat kanë qenë në rrugën e duhur për Palestinën, e cila ka një rekord 100 për qind në ndeshjet konkurruese nën drejtimin e Daboubit.

Kishte gjithashtu shpresë se një kupë botërore që ka rezervuar tetë vende për ekipet aziatike në vitin 2026, mund të çonte në paraqitjen e parë të Palestinës në shfaqjen e futbollit.

Por nëse Palestina do të planifikojë një rrugë drejt Kupës së Botës së ardhshme, ata do të duhet ta bëjnë këtë pa avantazhin e të luajturit në shtëpi.

Palestina, e cila nuk ka humbur kurrë një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës në tokën vendëse, në vend të kësaj do të duhet të presë Australinë në terren neutral në Kuvajt.

Ekipi kombëtar ka filluar të mbështetet më pak në lojtarët me bazë në Gaza vitet e fundit, me talentët më të mirë të territorit që dynden në ligat e Bregut Perëndimor dhe egjiptian në kërkim të pagave dhe kushteve më të mira.

Por ekipi kombëtar dhe futbolli palestinez “do të ndikohen patjetër nga lufta e Izraelit ndaj Gazës”, ka thënë Khalil Jadallah, komentator palestinez i futbollit dhe analist.

“Janë vrarë lojtarë që mund të kishin vazhduar të luanin për ekipin kombëtar. Stadiumi Yarmouk në Gaza është shkatërruar gjithashtu”, ka shtuar ai.

“Mungesa e një avantazhi në fushë do të ketë një efekt të madh në skuadër kundër një ekipi të fortë si Australia. [Palestinës] do t’i duhet gjithashtu të gjejë një mënyrë për të kapërcyer betejat mendore me të cilat janë përballur gjatë luftës”.

Ekipi i futbollit i Palestinës është cilësuar i vdekur edhe më parë.

Për Mahmoud Wadin, futbolli siguroi një rrugë shpëtimi.

“Futbolli më ndihmoi të largohem nga Gaza dhe është përgjegjësia jonë që të përpiqemi të përfaqësojmë Palestinën sa më mirë që mundemi”, ka thënë Wadi.

Përktheu: Forca Jashari