“Shitësi më i mirë në histori” e kishte quajtur presidenti amerikan Donald Trump para një kohe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për shkak të ndihmës së madhe që SHBA-ja i ka dërguar Ukrainës. Që prej takimit të tensionuar në Shtëpinë e Bardhë me Trumpin dhe zëvendëspresidentin, JD Vance, ekspertët vlerësojnë se Zelensky ka zbutur qasjen e tij, paralelisht me këshillat e aleatëve evropianë, të cilët e shohin ndihmën e SHBA-së si të domosdoshme për t’i parandaluar agresionet e mundshme të Rusisë. “Ka një trekëndësh midis Washingtonit, Kremlinit dhe Kievit. Ukraina konsiderohet si pjesa e dobët e këtij trekëndëshi. Për Trumpin, Zelensky nuk është në kategorinë e njëjtë dhe këtu qëndron problemi”, ka thënë Maria Zolkina, drejtoreshë në think-tankun për studimet e konfliktit dhe sigurisë rajonale, “Fondacioni i Iniciativave Demokratike”.
Qoftë krahasim i drejtë ose jo, roli i Volodymyr Zelenskyt në mbajtjen e Ukrainës në qendër të vëmendjes dhe bindja e aleatëve për të investuar ka qenë absolutisht e rëndësishme për mbrojtjen e Ukrainës që nga fillimi i pushtimit rus.
Transformimi i tij prej një komediani në presidentin e kohës së luftës ka përfunduar që një kohë të gjatë – me pikënisje në vitin 2022 kur ai vendosi të qëndronte në Kiev përderisa trupat ruse avanconin. Si rezultat i vendimit, Ukraina e ka mbrojtur veten deri në ditët e sotme.
Zelensky tani paraqet një figurë më autoritare, ndoshta të kalitur nga lufta, e formuar pjesërisht nga izolimi gjithmonë e në rritje i tij në skenën ndërkombëtare.
Por, me shkallën e paparashikueshmërisë që e rrethon mandatin e dytë të presidentit amerikan, Donald Trump – veçanërisht pas përplasjes së tyre në Zyrën Ovale në muajin shkurt – Zelenskyt mund t’i duhet të transformohet përsëri.
Në rrafshin politik, kjo nuk është më histori e shtypësit dhe të shtypurit. Përkundrazi, ajo mjegullohet nga sfida e dyfishtë e shprehjes së dëshirës për paqe, ndërkohë që ai mbron interesat e vendit të tij.
Por a ka gjasa që një lider, i cili ka shumë autoritet brenda vendit dhe njëkohësisht ndikim jashtë vendit, të pësojë transformim të madh për të dytën herë, duke e zhvendosur fokusin te diplomacia e periudhës së Trumpit? Apo do të vendosë se mënyra më e mirë për ta mbrojtur Ukrainën është të mos lëshojë asgjë?
Shumë i zgjuar dhe i kalkuluar
Para se të fillonte kapitulli i dytë i Trumpit, lideri ukrainas kishte pasur sukses sa i përket lobimit për mbështetje perëndimore. Ai bëri kërkesë për sisteme ajrore të mbrojtjes, tanke, raketa dhe avionë luftarakë. Vendet si Gjermania që në fillim patën hezituar për shkak të frikës se lufta do të përshkallëzohej, e që më vonë iu përgjigjën kërkesave.
Mesazhi i tij ishte i pandryshueshëm dhe ai ishte i suksesshëm për të siguruar mbështetje.
“Zelensky ishte shumë i zgjuar dhe i kalkuluar në ditët e para të luftës”, ka thënë Ed Arnold, hulumtues në think-tankun për siguri dhe mbrojtje, Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara.
Arnold argumenton se vendimi i Zelenskyt për të shkuar në Konferencën e Sigurisë në Munih dy javë para pushtimit, pavarësisht se ishte këshilluar të mos e bënte pasi asokohe kjo shihej si rrezik i sigurisë, ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm.
“Ai e bëri mbështetjen për Ukrainën diçka personale në mendjet e atyre që morën pjesë në konferencë”, ka thënë ai.
Serhiy Leshchenko, këshilltar në zyrën e Zelenskyt, ka shpjeguar rëndësinë e bindjes së opinionit publik botëror, tek ka thënë “duhet të jemi të dukshëm për botën. Nëse opinioni publik është në anën e Ukrainës, ka më shumë gjasa të marrim ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar”.
Leshchenko i përdor si shembull adresimet ditore të Zelenskyt nëpërmjet videolidhjes, të cilat ai i ka publikuar në vazhdimësi që prej fillimit të pushtimit.
“Është e pazakontë të jesh kaq i hapur”, ka shtuar ai.
Fitorja e Ukrainës në betejën e Kievit e ka etabluar Zelenskyn si simbol të mbijetesës së vendit, dhe po ashtu forcoi argumentin e tij për ndihmë të vazhdueshme ushtarake nga aleatët perëndimorë.
Në fazat e hershme të luftës, Zelensky ishte i aftë të demonstrojë dallimin që ndihmat ushtarake ishin duke bërë në çlirimin e territoreve ukrainase, përfshirë qytetin e Khersonit. Ai kishte pasur sukses me aleatët evropianë.
“Ata ishin investuar personalisht në Zelenskyn dhe Ukrainën”, ka thënë Arnold.
“Që nga fillim i luftës, ai ka kaluar katër kryeministra britanikë...dhe që të gjithë kanë nënshkruar deklarata të reja për Ukrainën, përsëri nëpërmjet Zelenskyt. Ai ka qenë i zoti t’i përballojë ndryshimet në politikat brenda shteteve evropiane përgjatë mandatit të tij”, ka shtuar ai.
Por, kur sukseset e mëtutjeshme dështuan të materializoheshin, mesazhi i Zelenskyt nuk ndryshoi – dhe me kalimin e kohës, kjo e dëmtoi atë.
Pas kundërofensivës së dështuar të Ukrainës në verën e vitit 2023, mbështetja për Kievin ishte vendosur në pikëpyetje nga një pakicë me ndikim brenda Partisë Republikane dhe lutjet për ndihmë po fillonin të injoroheshin në disa qarqe.
Maria Zolkina, drejtoreshë në think-tankun për studimet e konfliktit dhe sigurisë rajonale, “Fondacioni i Iniciativave Demokratike”, beson se Zelensky është pjesërisht fajtor.
“Ai dhe rrethi i tij i ngushtë u varën mbi logjikën se ata gjithmonë duhet të parashtronin kërkesa kur bisedonin me partnerët e tyre – duke e shtyrë argumentin se Ukrainës i duhet diçka. Kjo kishte funksionuar shumë mirë gjatë vitit 2022, por me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të tjerët, ky lloj i mesazhit nuk ishte më efektiv në vitin 2023”, ka argumentuar Zolkina. “Diplomacia e tij nuk u përshtat aq shpejt”.
Zelensky s’ka qenë asnjëherë diplomat
Më 27 shtator 2024, në një korridor në New York, gjërat vërtet ndryshuan për Ukrainën. Por, forca lëvizëse nuk ishte përballja me armatimin rus, mirëpo ringjallja politike e aleatit më të madh të Ukrainës: SHBA-së.
Në atë ditë, rreth një muaj para zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, Zelensky pati një takim të minutës së fundit me Trumpin në Kullën e këtij të fundit.
Tensionet ndërmjet të dyve kishin kulmuar para këtij takimi, Zelensky kishte pohuar disa ditë më herët se Trumpi nuk dinte “si t’i jepte fund luftës”, pasi që ai kishte premtuar se nëse zgjidhet president do ta ndalonte luftën në Ukrainë “për një ditë”:
Pas takimit në Kullën e Trumpit, të dy burrat dolën duke u dukur të bezdisur.
Pavarësisht se reflektuan një “pikëpamje të përbashkët” për t’i dhënë fund luftës, gjuha e tyre e trupit sugjeronte mungesë të raporteve ndërpersonale.
Dyshja do të takoheshin përsëri pesë muaj më vonë në Zyrën Ovale, ku edhe ndodhi përplasja famëkeqe që rezultoi në katastrofë diplomatike për Kievin zyrtar.
“Trump duhej ta kishte pëlqyer atë”, ka thënë Vadym Prystaiko, që ishte i pranishëm kur dyshja u takua për herë të parë, pas fitores zgjedhore të Zelenskyt në vitin 2019.
“Zelensky e pa Trumpin pak a shumë si vetja, si një person mediatik që kishte depërtuar në politikë, i cili ishte kundër elitave tradicionale”, ka shtuar ai.
Prystaiko shërbeu edhe në pozitën e ambasadorit të Ukrainës në Britaninë e Madhe, para shkarkimit të tij në vitin 2023. Kievi nuk dha ndonjë arsye zyrtare rreth vendimit të shkarkimit, por kjo ndodhi pasi Prystaiko kritikoi përgjigjen e Zelenskyt ndaj një mosmarrëveshjeje për mirënjohjen ndaj ndihmës-ushtarake britanike. Ai ka thënë se kishte pasur “pak sarkazëm” në përgjigjen e presidentit të tij, të cilën ai besonte se ishte “e dëmshme”.
“Zelensky s’ka qenë asnjëherë diplomat. Ai s’ka qenë asnjëherë një lider i zakonshëm politik që përqafon foshnjat dhe shtrëngon duart”, ka shtuar Prystaiko.
Një “marrëdhënie” e pasigurt
“Marrëdhënia me Trumpin është e pasigurt”, ka thënë Volodymyr Fesenko, drejtor në Qendrën për Studime Politike të Pentos.
“Nganjëherë ka bashkëpunim konstruktiv dhe pastaj, papritmazi, del në sipërfaqe ndonjë lloj i krizës”, ka shtuar ai.
Pastaj fillon një luftë fjalësh. Trumpi e ka akuzuar Zelenskyn për fillimin e luftës, duke e quajtur atë “diktator”, teksa lideri ukrainas e ka akuzuar homologun e tij amerikan se po “jeton brenda një hapësire të keqinformimit rus”.
Përderisa Fesenko beson se Zelensky është duke ndryshuar taktikat e tij në mënyrë që të garantojë një marrëdhënie funksionale me Washingtonin, nga ana tjetër Zolkina beson se çështja shkon më thellë se kaq.
“Ka një trekëndësh midis Washingtonit, Kremlinit dhe Kievit. Ukraina konsiderohet si pjesa e dobët e këtij trekëndëshi. Për Trumpin, Zelensky nuk është në kategorinë e njëjtë, dhe këtu qëndron problemi”, ka thënë ajo.
Përplasja në Zyrën Ovale ishte hera e parë që Zelenksy u pa duke mbetur pa alternativa politike, derisa ai akuzohej se “nuk ka treguar mjaftueshëm mirënjohje” dhe “se po luante lojëra me Luftën e Tretë Botërore”.
Gjuha mbrojtëse e trupit, kryqëzimi i krahëve, gjithashtu ishte diçka e re.
Zelensky është paraqitur zakonisht i relaksuar kur priste ose vizitonte liderët botërorë. Ai është i qetë dhe kohë pas kohe përdorë sensin e tij të humorit – por kësaj radhe ishte ndryshe.
Marrëveshja mbi mineralet, të cilën Zelensky e kishte propozuar në frymën e shkëmbimit të një pjese të mineraleve të rralla të Ukrainës në këmbim të vazhdimit të ndihmës ushtarake, nuk është nënshkruar ende, dhe që nga atëherë ka evoluar në marrëveshje të pafavorshme për vendin e tij.
SHBA-ja gjithashtu do të pezullonte përkohësisht ndihmën ushtarake dhe ndarjen e inteligjencës për të garantuar se Ukraina “do të vallëzonte” në ritmin e saj.
Por, këndvështrimi zyrtar nga disa është se takimi në Zyrën Ovale nuk ishte një fatkeqësi.
“Askush nuk e mori si fundin e diçkaje”, ka thënë Ihor Brusylo, zëvendëskryetari i Zyrës së Presidentit, që udhëtoi me Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë.
“Ne diskutuam si të lëvizim përpara. Nuk ishte katastrofë”, ka shtuar ai.
Kur këshilltari i lartë për Sigurinë Kombëtare, Mike Waltz, iu tha atyre se takimi kishte mbaruar, “ne thjesht ngritëm supet dhe vendosëm të ktheheshim në hotel”, ka rikujtuar Brusylo.
“Hamendësimi im është se në nivelin personal, ata [Trumpi dhe Zelensky] kanë raporte të mira. Ata e kuptojnë njëri-tjetrin, dhe janë të hapur e të sinqertë”, ka shtuar ai.
Pavarësisht se cila është e vërteta për marrëdhënien e tyre, ka pasur shenja të gatishmërisë për t’u përshtatur nga Zelensky që prej takimit. Vlerësohet se aleatët evropianë e kanë bindur atë të ndryshojë qasjen, për shkak të realitetit të hidhur se atyre, si dhe Ukrainës, i duhet ndihma e SHBA-së për t’u ballafaquar me një Rusi agresive.
Ka të tjerë që argumentojnë se nevojitet qasje edhe më e butë.
“Është shumë e vështirë ta zbusësh Zelenskyn”
“Lufta i ndryshon të gjithë, na ka ndryshuar të gjithëve në një kuptim. Por unë nuk mendoj se Zelensky ka ndryshuar në thelb – për të mirë ose për të keq në disa raste”, ka thënë Olga Onuch, profesoreshë e politikave krahasimtare në Universitetin e Manchesterit.
“Është e qartë se disa aktorë të caktuar kanë vendosur se është e vështirë të negociosh me Zelenskyn. Pse? Sepse ai ka vija të kuqe të cilave iu qëndron deri në fund”, ka shtuar ajo.
Brusylo pajtohet me këtë këndvështrim.
“Është shumë e vështirë të zbutësh Zelenskyn”, ka thënë ai.
Dhe megjithatë, sa herë që Ukraina sulmohet, në rrafshin politik apo atë diplomatik, pason një unitet i hatashëm popullor. Përplasja në Zyrën Ovale nuk ishte përjashtim, pasi niveli i popullaritetit të Zelenskyt u rrit në rreth 70%.
“Zelensky është shumë i fuqishëm, dhe autoriteti i tij përbëhet nga ai dhe rrethi i caktuar i njerëzve”, ka argumentuar Zolkina.
Orysia Lutsevych, kryetarja e Forumit të Ukrainës në “Chatham House”, ka thënë se është interesante se si ukrainasit u mblodhën rreth Zelenskyt pas takimit në Zyrën Ovale.
“Njerëzit mblidhen rreth tij, asaj që ai përfaqëson dhe se si ai sillet”, ka thënë ajo.
Prystaiko ka argumentuar se amerikanët dëshironin ta zëvendësonin atë.
“Ata e gjuajtën veten në këmbë sepse ai mund të rizgjidhet shumë lehtë”.
Disa ekspertë politikë, sikurse Zolkina, nuk mendojnë se kjo është e sigurt.
“Nuk mendoj se ai e kupton që kjo rritje është një reagim i drejtpërdrejtë ndaj asaj që po bën Trumpi, jo pozita e tij personale”, ka thënë ajo.
“Ai ka ambicie të forta politike për një mandat të dytë dhe është mjaft egocentrik politikisht, siç janë të gjithë liderët në nivelin e tij”, ka shtuar Zolkina.
Onuch nuk mendon se ndjekja e pushtetit politik është faktori i vetëm motivues për Zelenskyn.
“[Ai është] shumë më i kujdesshëm, i menduar dhe një strateg politik sesa njerëzit i japin atij merita”.
Megjithatë, të imagjinosh një mandat të dytë të Zelenskyt mund të jetë e vështirë, thjesht për shkak të kërkesave të mëdha të punës. Edhe sfidat e pasluftës do të ishin të vështira.
Tani për tani, Arnold dyshon se një Zelensky i lodhur nuk do të dëshironte të kandidojë përsëri.
Sa i përket planit afatshkurtër, Zelensky nuk mund të përballojë një tjetër takim në Zyrën Ovale. Pra, duke pasur parasysh se Trump është një lojtar i përkushtuar, si rrjedhojë shtrohet pyetja se a do t’i bashkohet ndonjëherë lideri ukrainas atij për një lojë të golfit?
“Ai i mëson gjërat shpejt. Kur ka nevojë të luajë golf, jam i sigurt se ai do ta përballojë këtë detyrë”, ka thënë Brusylo.