Ekipet e shpëtimit po kërkojnë dëshpërimisht për të mbijetuarit nën rrënojat e ndërtesave pas dy tërmeteve të mëdha të së hënës, që deri në mbrëmjen e së martës morën jetën e më shumë se 7200 personave në Turqi e Siri, por ka paralajmërime se ky numër mund të rritet vazhdimisht. Familjarët e viktimave që jetonin në ndërtesat e shembura janë bashkuar në përpjekjet e furishme të shpëtimit, duke përdorur kazma e duke gërmuar edhe me duar
Familjet e personave të ngujuar nën rrënojat e objekteve të shembura nga tërmeti i fuqishëm në Turqi dhe Siri ende shpresojnë se do t’i gjejnë të gjallë më të dashurit e tyre. Ekipet e shpëtimit po kërkojnë dëshpërimisht për të mbijetuarit nën rrënojat e ndërtesave pas dy tërmeteve të mëdha të hënën, që deri në orët e vona të së martës morën jetën e më shumë se 7200 personave, por ka paralajmërime se numri i të vdekurve mund të rritet vazhdimisht.
Një punonjës shpëtimi i tha BBC-së se ai duhet të "përqendrohet te të gjallët", ndërsa përpjekjet për të gjetur të mbijetuarit po zhvillohen në natën e dytë të ftohtë të dimrit.
Familjet në ankth
Familjarët e viktimave që jetonin në ndërtesat e shembura janë bashkuar me përpjekjet e furishme të shpëtimit duke përdorur kazma e duke gërmuar edhe me duar.
Disa familje të shqetësuara kanë thënë se shërbimeve të shpëtimit iu desh shumë kohë për t'u përgjigjur në disa zona.
Tërmeti i parë me magnitudë 7.8 goditi afër Gaziantepit në orët e para të së hënës, i ndjekur nga një lëkundje me magnitudë 7.5 orë më vonë.

Në Malatya, ekipet e kërkim-shpëtimit ia dolën ta nxirrnin të gjallë një burrë nga rrënojat. Temperaturat e ulëta dhe pasgoditjet po sfidojnë përpjekjet e ekipeve në terren. Janë rreth gjashtë mijë objekte që janë shembur nga tërmeti në Turqi.
Në Siri, mbrojtja civile ka gërmuar në rrënoja. Në pamje të mediave ndërkombëtare, Helmetat e Bardha shihen derisa shpëtojnë një fëmijë në gërmadhat e një ndërtese në Jinderis, qytet nën kontroll të kryengritësve të opozitës.
Pjesëtarët e kërkim-shpëtimit mund të dëgjohen duke i thënë fëmijës “fol me babanë, fol me babanë”, derisa e nxjerrin vajzën nga rrënojat.
Autoritetet druajnë se numri i viktimave do të rritet për shkak se të mbijetuarit janë ngujuar në rrënoja metalike e betoni në mbarë rajonin, edhe ashtu të goditur nga tmerri i luftës civile që shpërtheu para dymbëdhjetë vjetësh.
Helmetat e Bardha thonë se janë qindra familje ende të ngujuara nën gërmadha.
Siria veriperëndimore, nën kontroll të opozitës, është mbingarkuar me katër milionë refugjatë të pjesëve të tjera të vendit.
Gjendja e jashtëzakonshme tremujore
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme tremujore në dhjetë provincat e prekura më së shumti nga tërmeti. Ankarasë zyrtare i janë lajmëruar vullnetarisht 45 shtete për ndihmë.
Ekipet e shpëtimit nga vende të ndryshme të botës janë mobilizuar për të ndihmuar dy vendet e goditura. Katari tashmë ka hapur një urë ajrore, duke nisur më shumë se 100 tonelata ndihma. Trupat ushtarake dhe ato civile të Katarit kanë ngarkuar tenda, ushqime dhe batanije për banorët e mbetur pa kulm mbi kokë.
Ndërkohë kontingjenti kërkim-shpëtues i Forcës së Sigurisë i Kosovës është pritur me duartrokitje në Aeroportin e Adanasë në Turqi, pasi Kosova vendosi të dërgojë një ekip ushtarësh si pjesë e operacionit ndërkombëtar humanitar në Turqi, pas tërmetit shkatërrues të së hënës.
Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se skuadra e kërkim-shpëtimit dhe e ndihmës shtetërore e dërguar nga Shqipëria ka mbërritur në Turqi në mision humanitar.
Franca ka dërguar 75 pjesëtarë të njësiteve të sigurisë civile në zonat e tërmetit për të ndihmuar autoritet turke. Ata janë nisur nga Aeroporti i Parisit. Atyre do t’u bashkohen edhe 65 pjesëtarë të ekipeve të zjarrfikësve.
Mbi 50 pjesëtarë të ekipeve ruse të kërkim-shpëtimit kanë zbarkuar në Siri për të ndihmuar përpjekjet për ndihmë autoriteteve vendase, të cilët edhe ashtu po përballen me mungesë kapacitetesh për shkak të ndikimit shkatërrimtar të luftës civile 12-vjeçare.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka mbajtur një minutë heshtjeje për viktimat e tërmeteve në Turqi dhe Siri. Shefat e diplomacive të Gjermanisë dhe Armenisë kanë shprehur gjithashtu gatishmërinë për ndihmë Sirisë dhe Turqisë.

Ekipi amerikan që do t'i ofrojë ndihmë Turqisë pas tërmetit pritet të mbërrijë në Adana të Turqisë në mëngjesin e së mërkurës, u tha gazetarëve të martën udhëheqësi i ekipit, Stephen Allen.
Ekipi i Rimëkëmbjes së Ndihmës në Katastrofa i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID DART) përfshin dy ekipe kërkim-shpëtimi nga Los Anxhelos dhe Fairfax.
Fokusi tani është në "shpëtimin e jetëve", tha Allen. Ekipet amerikane do të jenë "ende të dobishme" dhe do të kenë ndikim në rikuperimin e jetëve, tha ai. Nuk ka asnjë ekip tjetër kërkim-shpëtimi në Adana për momentin.
Thirrjet siriane për ndihmë
Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, tha të martën se rreth 7500 ushtarë turq po punojnë në rajonin e tërmetit për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit. Akar tha gjithashtu se do të ketë 1500 pjesëtarë shtesë në ekip të mërkurën. Ai shtoi se 75 avionë ushtarakë u dërguan në rajon. Gjithsej nëntë batalione komando mbërritën në rajon nga perëndimi dhe katër batalione të tjera komando nga Qiproja do të arrijnë gjithashtu.
Në Siri, kreu i Gjysmëhënës se Kuqe Arabe-Siriane u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që të heqin sanksionet e vjetra të vendosura ndaj Sirisë për ta ndihmuar vendin e shkatërruar nga tërmeti.
Khaled Houbati, gjatë një konference për shtyp në kryeqytetin sirian Damask, ka thënë se ata kanë shumë nevojë për makineri të rënda për operacionet e shpëtimit.
Sanksionet nga SHBA-ja, BE-ja dhe nga disa vende arabe kanë qenë në fuqi që nga viti 2011, pasi qeveria e presidentit Bashar Assad i kishte shtypur protestat kundër sundimit të tij.
Përgatiti: Rexhep Maloku