Për rreth dy dekada, dy administrata republikane dhe dy demokrate u munduan që t’i luftojnë korrupsionin dhe abuzimin e të drejtave të njeriut madje edhe duke i pranuar shumicën prej tyre derisa po zotoheshin që ta ringjallnin demokracinë dhe sundimin e ligjit, të ndërtonin një ushtri të fortë afgane dhe t’i mbanin të angazhuar amerikanët e lodhur prej luftës
Lufta më e gjatë e Amerikës po i afrohet fundit të saj, me humbje kundruall një armiku të mposhtur në Afganistan para afro 20 vjetësh, me shokimin se qeveria dhe ushtria që kanë mbështetur kanë rënë kaq shpejt dhe me operacionet kaotike njëmbëdhjetëorëshe të evakuimit.
Dhe tani njëzetvjetori i sulmeve të 11 shtatorit 2001 në New York dhe Washington do të shënohet me rikthimin e talebanëve në pushtet, ka shkruar agjencia e lajmeve Reuters, në një analizë mbi gjendjen në Afganistan para dhe pas rënies së sërishme në duart e militantëve.
“Kjo nuk ishte një luftë 20-vjeçare. Ishin luftëra njëvjeçare të zhvilluara 20 herë”, ka thënë një zyrtar ushtarak amerikan për ta përthekuar zemërimin ndaj të menduarit afatshkurtër, gabimeve të shumëfishta dhe mungesën e konsistencës në katër administrata amerikane që atëherë.
Zhbërja e mundit 20-vjeçar
Intervistat e kryera nga Reutersi me dhjetëra zyrtarë aktualë dhe të dikurshëm amerikanë, si dhe me ekspertët e shumtë i kanë spikatur dështimet që i kanë mbërthyer përpjekjet amerikane për ta stabilizuar Afganistanin në të cilin Washingtoni ka shpenzuar më shumë se 1 biliard dollarë dhe i ka humbur mbi 2.400 ushtarë amerikanë, përderisa më shumë se dhjetëra mijëra afganë kanë vdekur, shumë prej të cilëve civilë.
Dy administrata republikane dhe dy demokrate u munduan që t’i luftojnë korrupsionin dhe abuzimin e të drejtave të njeriut madje edhe duke i pranuar shumicën prej tyre derisa po zotoheshin që ta ringjallnin demokracinë dhe sundimin e ligjit, të ndërtonin një ushtri të fortë afgane dhe t’i mbanin të angazhuar amerikanët e lodhur prej luftës, ka shkruar Reuters.
“E promovuan një qeveri të fuqishme qendrore në një vend ku për shekuj me radhë fiset kanë gëzuar autonomi lokale. Programet e tyre të çrrënjosjes së drogës i armiqësuan edhe më shumë njerëzit në vatrat rurale talebane, të cilët vareshin prej kultivimit të bimës së opiumit për të mbijetuar”, ka analizuar agjencia.
Një peshë të majme në gjithë këtë e kishte edhe mungesa e të dhënave të Inteligjencës, si në rastin e javës së shkuar kur administrata e presidentit Joe Biden llogariti se do të duheshin disa muaj që talebanët të hynin në Kabul. Atyre në fakt iu deshën vetëm pak ditë.
Ka pasur gjithashtu edhe suksese të pamohueshme.
Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre, kujton Reuters, ndihmuan në përmirësimin e panumërt të jetëve në njërin prej vendeve më të varfra të botës, duke i avancuar të drejtat e grave dhe vajzave, duke e mbështetur median e pavarur dhe duke ndërtuar shkolla, spitale dhe rrugë.
E tani, krejt këto janë në rrezik që të zhbëhen.

Përqendrimi në Irak
Presidenti George W. Bush i kishte shpallur “luftë terrorizmit” dhe e kishte rrëzuar qeverinë talebane në Kabul që u bëri konak militantëve të Al-Qaedas, përgjegjës për rrëmbimin e aeroplanëve për sulmet e 2001-s në SHBA. Strategjia funksionoi. Për ca kohë talebanët u shpartalluan dhe Al-Qaeda u vu në ikje.
Por ish-zyrtarët dhe ekspertët e intervistuar nga Reutersi pretendojnë që në vend se të punohet në sigurimin e Afganistanit karshi rezistencës së talebanëve, administrata Bush i devijoi burimet, personelin dhe kohën për ta pushtuar Irakut, bazuar në një pretendim të pajustifikuar se qeveria autoritare e Saddam Husseinit kishte armë të palejuara të asgjësimit në masë.
“Shtetet e Bashkuara u shpërqendruan nga lufta në Irak për disa vjet”, ka thënë Lisa Curtis, ish-analiste e CIA-s dhe eksperte rajonale që ka shërbyer në presidencat Bush dhe Trump, ndërsa tani punon si anëtare e lartë e Qendrës për Siguri të Re Amerikane. “Rrëzimi i talebanëve ishte gjëja e duhur për t’u bërë... Mjerisht, pak kohë pasi që i shpartalluam talebanët, vëmendje më e madhe nisi t’i kushtohej luftës në Irak”, ka thënë Curtis, për Reuters.
Zyrtarët aktualë dhe të dikurshëm thonë se obsesioni i administratës Bush me Irakun e la strategjinë për Afganistanin në mëshirë të fatit.
“A po mundoheshim faktikisht të ndihmonim në ndërtimin dhe reformimin e këtij kombi (Afganistanit) apo thjesht po përpiqeshim që të iknim që aty?”, ka thënë Jonathan Schroden, ekspert në institutin politik CNA, i cili ka shërbyer si këshilltar për Komandën Qendrore amerikane.
Kur presidenti Barack Obama erdhi në pushtet më 2009, mesazhet e përziera vazhduan.
Ai e synonte reduktimin e numrit të forcave amerikane në Afganistan por u dakordua për rritje, në përpjekje për të ushtruar presion mbi talebanët rreth bisedimeve paqësore. Në një fjalim në West Point gjatë nëntorit të 2009-s, Reuters kujton se si ai kishte thënë se do të dërgonte 30.000 trupa shtesë, por ka shtuar se “pas 18 muajsh, trupat tona do të nisin që të kthehen në shtëpi”.
Në përpjekjen për të qetësuar audiencën e brendshme, Obama faktikisht u tha talebanëve se mund ta presin largimin e Shteteve të Bashkuara.
Korrupsioni epidemik
Si i nominuar presidencial, Obama e quajti Afganistanin “një luftë e mirë”, duke e krahasuar atë me katastrofën ushtarake në Irak.
Niveli i trupave amerikane u bymua në më se 90.000 deri më 2010, njëjtë sikurse fondet e derdhura, ka shkruar Reuters.
Në nevojën e dëshpëruar dhe konstante për një qeveri stabile, SHBA-ja punoi me afganët që kishin ndikim porse ishin të zhytur në korrupsion dhe në abuzimin me të drejtat e njeriut.
Peter Galbraith, ish-ambasador amerikan që shërbeu si zëvendëspërfaqësues i OKB-së për Afganistanin, ka thënë se doktrina amerikane e kundërkryengritjes e theksoi nevojën për “një partner lokal”. Kjo gjë, sipas tij, i shtyri SHBA-në, OKB-në dhe vendet e tjera që t’i legjitimojnë qeveritë e njëpasnjëshme afgane, faktikisht duke e pranuar korrupsionin mbizotërues ani pse i promovonin përpjekjet antikorrupsion.
“Nuk e kemi kutinë me vegla për ta çrrënjosur korrupsionin epidemik mes shoqërive”, ka thënë një zyrtar i lartë qeveritar duke folur për Reutersin nën kushtin e anonimitetit.
Korrupsioni ka infektuar edhe ushtrinë afgane, për të cilën SHBA-ja ka ndarë 88 biliardë dollarë brenda dy dekadash.
Për shembull, SHBA-ja kurrë nuk e tejkaloi plotësisht problemin e “ushtarëve fantazmë”, trupave joekzistuese të përfshirë në lista nga komandantët e kërrusur që e morën hisenë e tyre.
Andaj, derisa forcat afgane të sigurisë kishin në letër 300.000 trupa, numri i saktë i tyre ishte shumë më i vogël. Një raport i 2016-s, përpiluar nga qeveria amerikane, ka treguar se vetëm në krahinën Helmand rreth 40 deri në 50 për qind e forcave të sigurisë nuk ekzistonin, ka shkruar Reuters.

Çështja e Pakistanit
Zyrtarë të dikurshëm e të tanishëm amerikanë pretendojnë se talebanët nuk do të kishin fituar sikur administratat e njëpasnjëshme amerikane të vepronin për t’i dhënë fund strehimit dhe mbështetjes tjetër që Pakistani dhe agjencia e saj e Inteligjencës u ofronin kryengritësve.
“Pa Pakistanin talebanët do të ishin thjesht një bezdi”, ka thënë Christine Fair, një eksperte për ushtrinë pakistaneze në Universitetin e Georgetownit. “Nuk do të ishin një forcë konkurruese luftarake”, ka shtuar ajo për Reutersin.
Islamabadi zyrtarisht i ka mohuar tërë kohës pretendimet për mbështetjen e talebanëve, si pjesë e asaj që ekspertët thonë të ishte një strategji për qeverinë aleate në Afganistan që të shmangë ndikimin e Indisë.
Lodhja e amerikanëve nga lufta
Presidenti Donald Trump erdhi në detyrë më 2017 me premtimin për t’u dhënë fund atyre që i quajti “luftëra të marra e të pafundme”.
Pjesërisht kalkulimi i Trumpit ishte se amerikanët thjesht nuk lodhen fort për Afganistanin sa të shpenzojnë me biliarda dollarë në vit, teksa ushtarët amerikanë po vdisnin.
Bideni, nga ana tjetër, e çoi përpara tërheqjen me gjithë këshillën e liderëve ushtarakë amerikanë dhe pa e shqyrtuar mundësinë e vizave speciale për afganët në rrezik, pasi që kishin bashkëpunuar me Qeverinë amerikane, duke e hapur rrugën për një operacion kaotik evakuimi, ka shkruar agjencia e lajmeve.
Skepticizmi rreth përpjekjes ushtarake në Afganistan iu përforcua pas një udhëtimi në Kabul më 2009, i cili e bindi se SHBA-ja është ngujuar në një luftë të pafitueshme.
Një zyrtar amerikan ka thënë për Reutersin, nën kushtin e anonimitetit, se sondazhet e brendshme tregojnë që amerikanët e mbështesin tërheqjen, duke e betonuar bindjen e Bidenit.
Çfarë mbetet e paqartë është se si amerikanët do ta shohin vendimin e Bidenit, pas pamjeve të helikopterëve ushtarakë amerikanë që evakuojnë Ambasadën amerikane dhe afganët në kërkim të largimit.
Bideni insistoi se në Kabul nuk do të përsëritet evakuimi famëkeq amerikan nga Santiagoja më 1975, kujton Reuters.
“Nuk do të ketë aso rrethanash, në të cilat do të shihni njerëz tek merren nga çatia e një ambasade të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Afganistan”, kishte thënë Bideni në korrik.