Botë

Lufta e Ukrainës vë në rrezik kredibilitetin e SHBA-së

Konsensusi politik i SHBA-së rreth konfliktit është zbehur. Kur filloi lufta në vitin 2021, demokratët kontrollonin Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin dhe ata mund të mbështeteshin në ndihmën e republikanëve për të miratuar paratë për Ukrainën

(AP) - Një nga historitë e preferuara të presidentit Joe Biden është samiti i tij i parë ndërkombëtar pas marrjes së detyrës, kur deklaroi se “Amerika është kthyer” pas udhëheqjes së çrregullt dhe izoluese të Donald Trumpit. “Për sa kohë?”, pyeti një nga zyrtarët e tjerë në zyrë.

Është pyetje që bëri jehonë këtë javë gjersa Bideni përpiqet të sigurojë mbështetjen e Kongresit për vazhdimin e ndihmës amerikane për Ukrainën. Edhe pse atij i është premtuar vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin Ukrainën për “për aq kohë sa duhet” për ta mposhtur pushtimin rus, nuk ka asnjë shenjë të një marrëveshjeje dypartiake për ta ruajtur rrjedhën e furnizimeve ndërsa lufta i afrohet vitit të tretë.

Një udhëtim i organizuar me ngut në Uashington nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, duke përfshirë vizitën në Shtëpinë e Bardhë të martën, nuk dukej se i tronditi ligjvënësit nga mosveprimi i tyre.

Aksionet janë më të lartat në Ukrainë, e cila përballet me pakësimin e furnizimeve të predhave të artilerisë dhe municioneve të mbrojtjes ajrore të nevojshme për t’i zmbrapsur përparimet ruse. Por gjithashtu i varur në balancë është lloji i besueshmërisë së SHBA-së që Bideni u zotua të rivendoste. Dështimi për të miratuar financime të reja do të minonte pikën qendrore të politikës së jashtme të presidentit demokrat, duke e kthyer një shëmbëlltyrë të vendosmërisë amerikane në një përrallë paralajmëruese për paqëndrueshmërinë amerikane.

“Ata shkuan duke u thënë të gjithëve se Amerika është e besueshme dhe e sigurt”, ka treguar Max Bergmann, ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit, tani drejtor në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. “Dhe është shumë e qartë se ne nuk jemi”.

Është ende e mundur që ligjvënësit të arrijnë marrëveshje, edhe nëse do të zgjasë më shumë sesa do të dëshironin Bideni ose Zelenskyy. Negociatat vazhdojnë për një pako të gjerë legjislative që do ta mbështeste Ukrainën, do ta ndihmonte Izraelin ta mposhtte Hamasin në Rripin e Gazës dhe do ta rriste sigurinë në kufirin jugor të SHBA-së me Meksikën.

Image

Gëzimi i Putinit

Mirëpo vonesa dhe spektakli publik i grindjeve politike në një moment me pasoja të rënda gjeopolitike, e ka trimëruar presidentin rus Vladimir Putin dhe mund të jehojë në vende të tjera ku siguria varet nga garancitë amerikane.

“Çfarë do të mendojnë tajvanezët?”, ka pyetur Bergmann. “Çfarë do të mendojnë japonezët dhe koreanët?”.

“E ardhmja e lidershipit global amerikan”, ka shtuar ai, “po vritet pikërisht tani në Kongres”.

Duke qëndruar përkrah Zelenskyyt të martën, Bideni ka theksuar se “Unë nuk do të largohem nga Ukraina dhe as populli amerikan”. Por në vend që të zotohej sërish se SHBA-ja do ta mbështeste Ukrainën “për aq kohë sa të duhet”, Bideni këtë herë dha një premtim më të kufizuar se ndihma do të jepej “për aq kohë sa të mundemi”.

Bideni ka treguar se po i mbaron me shpejtësi ndihma e autorizuar ushtarake dhe ai shprehu hutim për situatën e rrezikshme. “Është mahnitëse që kemi arritur në këtë pikë”, ka thënë ai.

Bllokada në Kongres është përmbysje e fatit për Bidenin, suksesi i të cilit në Ukrainë fillimisht u festua brenda dhe jashtë SHBA-së. Administrata e tij ka ndihmuar që Rusia të mos nënshtrojë vendin, i cili ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik përpara se të arrinte pavarësinë në vitin 1991.

Bideni ruajti unitet me aleatët evropianë pavarësisht nga goditjet ekonomike nga lufta, si rritja e çmimeve të gazit, dhe udhëhoqi zgjerimin e NATO-s me shtimin e Finlandës dhe me gjasë Suedinë, dy vende tradicionalisht të paangazhuara.

Jo vetëm që Ukraina ka mbetur e lirë, qasja e Bidenit ndaj konfliktit ndihmoi në justifikimin e qasjes së tij ndaj politikës së jashtme pas tërheqjes kaotike të administratës së tij nga Afganistani në vitin 2021.

“Amerikanët e të gjitha prejardhjeve politike vendosën që të rriten”, ka thënë ai gjatë një udhëtimi të papritur në Kiev në shkurt. “Populli amerikan e di se ka rëndësi. Agresioni i pakontrolluar është kërcënim për të gjithë ne”.

Mirëpo ushtria ruse, në vend që të shembet, e zvogëloi dhe e mposhti kundërsulmin e Ukrainës këtë vit. Trajnimi dhe pajisjet perëndimore ishin të pamjaftueshme për të rimarrë sasi të konsiderueshme të territorit të pushtuar në lindje dhe jug të vendit, dhe lufta tani shihet gjerësisht si një ngërç.

Konsensusi politik i SHBA-së rreth konfliktit është zbehur. Kur filloi lufta në vitin 2021, demokratët kontrollonin Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin dhe ata mund të mbështeteshin në ndihmën e republikanëve për të miratuar paratë për Ukrainën.

Peizazhi ndryshoi kur republikanët fituan shumicën e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet afatmesme të vitit 2022. Për shkak të përkrahjes së zbehtë, anëtarët e vijës së ashpër të grupit parlamentar u fuqizuan dhe shumë janë kundër ndihmës së Ukrainës. Një kërkesë për financim emergjent për Ukrainën nuk shkoi askund gjatë negociatave të fundit të buxhetit.

Por Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë në mënyrë rutinore pyetjet në lidhje me qëndrueshmërinë e SHBA-së. E pyetur më 2 tetor në lidhje me lodhjen e mundshme për luftën, sekretarja e shtypit Karine Jean-Pierre ka theksuar “nëse Putini mendon se mund të na mbijetojë, ai e ka gabim”.

Përplasjet e brendshme

Charles Kupchan, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, ka theksuar se Bideni “mund të ketë nënvlerësuar vështirësinë e mbajtjes së një konsensusi të brendshëm, veçanërisht teksa po shkojmë në një vit zgjedhor, kur partishmëria shumë rregullisht tejkalon politikën e mençur”.

“Politika e brendshme e luftës është bërë shumë më e ndërlikuar në këtë anë të Atlantikut”, ka theksuar Kupchan, i cili ishte drejtor i lartë për çështjet evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare nën presidentin Barack Obama. “Dhe ka filluar të bëhet më e ndërlikuar edhe në Evropë. Evropianët po vëzhgojnë ngërçin në Kongres lidhur me kërkesën për ndihmë të Bidenit. Dhe kjo është, në njëfarë mase, fuqizimi i zërave në Evropë që gjithashtu hezitojnë të ofrojnë ndihmë të mëtejshme”.

Më shumë se 130 ligjvënës evropianë u dërguan një letër homologëve të tyre amerikanë duke u kërkuar atyre që të miratojnë më shumë fonde për Ukrainën. Megjithatë, ata përballen me vështirësitë e tyre politike. Udhëheqësit e Bashkimit Evropian po takohen këtë javë për të diskutuar rreth dhjetëra milionë dollarëve për Ukrainën, gjë që kundërshtohet nga kryeministri hungarez, Viktor Orban. Ai konsiderohet aleati më i ngushtë i Putinit në kontinent.

Kryeministri i sapozgjedhur i Polonisë, Donald Tusk, u ankua të martën se disa liderë nuk duan të vazhdojnë të ndihmojnë Ukrainën.

“Unë nuk mund të dëgjoj më disa politikanë evropianë dhe ata nga vendet e tjera perëndimore që thonë se janë të lodhur nga situata në Ukrainë”, ka thënë Tusk. “Ata i thonë në fytyrë presidentit Zelensky se nuk kanë më forcë, se janë të rraskapitur”.

Shtetet e Bashkuara kanë ofruar 111 miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe humanitare për Ukrainën që nga fillimi i luftës. Gjatë vizitës së Zelenskyyt, Pentagoni njoftoi se do t’i transferonte Ukrainës 200 milionë dollarë të tjerë në municion dhe pajisje, përfshirë fishekë artilerie dhe plumba.

Kanë mbetur vetëm 4.4 miliardë dollarë në ndarjet e armëve dhe Bideni ka kërkuar 61.4 miliardë dollarë të tjerë. Rreth gjysma e parave do t’i shkonte Pentagonit për të rimbushur armatimin që po furnizon dhe gjysma tjetër për ndihmë humanitare dhe për të ndihmuar qeverinë ukrainase të funksionojë me reagues emergjence, punë publike dhe operacione të tjera.

Por tani për tani propozimi ka ngecur.

“E gjithë bota po shikon atë që ne bëjmë”, është shprehur Bideni. “Pra, le t’u tregojmë atyre se kush jemi”.

Përktheu: Blerta Haxhiu

LEXO EDHE: