Botë

Lodhja e vazhdueshme “misterioze” që shfaqet pas infektimit virusal

Vaksina e COVID-19

Vaksina e COVID-19

Foto: Associated Press

Lodhja afatgjatë është lloj lodhjeje që është e vazhdueshme dhe kufizuese. Nga kjo lodhje keni rraskapitje të pashpjegueshme, të vazhdueshme dhe të përsëritur. Është e ngjashme me lodhjen kur keni grip ose s’keni vënë shumë gjumë në sy. Lodhja postvirusale për kohë të gjatë nuk ka qenë e kuptuar mirë dhe shpesh është cilësuar si psikologjike. Por ky lloj i lodhjes është i lidhur me lloje të ndryshme të infektimeve nga Sars e deri te Ebola

Para “long Covid” (gjendje kronike që shfaqet pas infektimit me SARS-CoV-2 dhe është e pranishme për të paktën 3 muaj) është shfaqur lodhja post-virusale – grup me sëmundje të shkaktuara nga infeksione të tjera. Tani shkencëtarët kanë filluar t’i zbulojnë sekretet e saj. 

Që nga infektimi akut me Covid-19 në verën e vitit 2023, Rachael Edwards ka qenë duke luftuar me lodhje shumë të rëndë, që ndonjëherë e ka lënë të shtrirë në shtrat për javë të tëra. Dikur, menaxhere e shëndetshme marketingu që jeton në Amsterdam, 31-vjeçarja përshkruan se është ndier sikurse “rëndohesha nga një spirancë”. 

“Lodhja e ‘long Covid’ ndryshon nga lodhja e prindërve me foshnje ose ditët e gjata në zyrë, në disa mënyra”, ka thënë Edwards. “Imagjinojeni sikur keni përfunduar maratonën më të vështirë të jetës tënde, pa gjumë dhe pa energji. Pastaj, pasi adrenalina ka ndaluar, të përpiqesh t’i ngjitësh rreth 100 shkallë. Kështu ndihet trupi im. Muskujt e mi nuk lëvizin. Nuk mund as ta mbaj dorën mbi kokën time”.

Me pandeminë Covid-19 ka ardhur edhe “long Covid”, simptoma të zgjatura që vijnë pasi infektimi virusal është larguar nga trupi. Tani është “long Covid” ai që ka hapur një dritare të re në studimet për lodhjen post-virusale – sëmundje e ngjashme me lodhje të vazhdueshme, të cilën disa njerëz e përjetojnë pas shërimit nga lloje të tjera të infektimit.

Lodhja postvirusale për kohë të gjatë nuk është kuptuar mirë dhe për shumë vjet shpesh është cilësuar si psikologjike. Por ky lloj i lodhjes afatgjatë nga shkallë të ndryshme të ashpërsisë është lidhur me lloje të ndryshme të infektimeve nga Sars deri te Ebola, virusi Epstein-Barr dhe gripi. Gjithashtu edhe me infektimet nga patogjenët e rriqrave, siç është bakteria Borrelia burgdorferi, e cila shkakton sëmundjen e rriqrave.

“Një problem enigmatik”

Mjekja familjare nga Aberdeeni i Skocisë, Rosalind Adam, është e mësuar me pacientët që vuajnë nga kjo lodhje problematike. Por me kalimin e kohës ajo është befasuar gjithnjë e më shumë nga natyra e termit dhe mënyra se si e përdorim këtë frazë të vetme për të përfshirë gjithçka, nga lodhja e përditshme e deri te mungesa e energjisë që i lë njerëzit të mbyllur në shtëpi dhe të paaftë për të punuar.

“Nuk mendoj se duhet ta shohim lodhjen si entitet të vetëm dhe do të doja ta kuptoja nëse modelet e ndryshme të lodhjes reagojnë ndryshe ndaj qasjeve të ndryshme”, ka thënë Adami.

Si studiuese akademike në Universitetin e Aberdeenit, Adami ka publikuar një studim të 40 njerëzve që vuajnë nga forma të ndryshme të lodhjes problematike, nga pacientët me “long Covid” e deri te ata me probleme me zemër ose me kancer. 

Për studimin, atyre u janë dhënë sensorë digjitalë për të gjurmuar një sërë parametrash fizikë, nga frekuenca e frymëmarrjes deri te temperatura e trupit, cilësia e gjumit, aktiviteti i zemrës dhe nivelet e aktivitetit, së bashku me një aplikacion për ta vlerësuar lodhjen e tyre fizike dhe mendore gjatë gjithë ditës.

Synimi është përdorimi i AI-së për të identifikuar modele në të dhënat që mund ta përfaqësojnë atë që Adam i quan “tipa të lodhjes” - tipare të dallueshme që mund të përdoren për t’i kategorizuar nëntipat e lodhjes më saktësisht. Ajo shpreson që gjetjet mund të çojnë në prova klinike për lodhjen dhe potencialisht të hapë rrugën për ilaçe të reja.

Sfida e përditshme 

Kjo lloj ndalese fiziologjike është e lidhur ngushtë me përkeqësimin e simptomave pas mungesës së aktivitetit ose PEM-it, një fenomen më i rëndë dhe më kompleks në krahasim me lodhjen e zakonshme postvirusale. Me PEM, pacientët si Edwardsi e gjejnë veten të mbyllur në një gjendje, në të cilën mbisforcimi më i vogël mund të rezultojë në një lodhje që zgjat me muaj e ndonjëherë edhe me vite.

David Putrino, profesor në departamentin e rehabilitimit në shkollën e mjekësisë “Icahn”, beson se ka të paktën 10 shpjegime të ndryshme të mundshme se pse njerëzve u shfaqet PEM-i, që varion nga çrregullimet e gjumit e deri te dëmtimet hormonale dhe inflamacioni i enëve të gjakut. Por në qendër të shumë prej këtyre teorive janë strukturat tubulare, që krijojnë energji, të quajtura mitokondrie, të cilat gjenden në çdo qelizë tonën.

Kur viruset futen në qelizat tona, ato sulmojnë mitokondriet, iu rrëmbejnë ca energji që e prodhojnë për përfitimet e trupit. Këtë energji e përdorin për t’u shumuar dhe për të lëshuar më shumë viruse nëpër trup. 

“Tani ke një qelizë që punon mbi kapacitetin e saj për të prodhuar energji për shumimin e virusit, si dhe për funksionet e përgjithshme që duhet t’i kryejë”, ka thënë Putrino.

Monitoruesi i aktivitetit të trurit dhe frymëmarrjes Foto: AP

Sipas Putrinos, kjo do të thotë se teksa përpiqemi të shërohemi nga infektimi, trupi gjithashtu përballet me atë që ai e quan “borxh i energjisë”, meqë ka qenë duke prodhuar dyfishin e kërkesës gjatë fazës së infektimit.

Një nga teoritë se pse Sars-CoV-2 dhe viruset e tjera mund ta shkaktojnë PEM-in është sepse sasi të vogla të virusit mund të mbesin në ndonjë pjesë të trupit.

Si i tillë, rikthimi në aktivitetet normale përpara rikuperimit të trupit nga borxhi i energjisë mund të shkaktojë përplasje, gjatë së cilës kohë virusi mund të intensifikohet ose t’i riaktivizojë viruset e fjetura dhe të shkaktojë dëme të mëtejshme mitokondriale.

Në raste të tjera, dobësia e muskujve dhe e dëmtimeve fizike, që shumë njerëz me lodhje të rëndë postvirusale dhe PEM-i e përshkruajnë, mendohet se ndodhin për shkak të infektimit fillestar që shkakton një gjendje autoimuniteti, duke e ndryshuar sjelljen e qelizave imune dhe duke i nxitur ato t’i sulmojnë fibrat nervore që e mundësojnë kontraktimin e muskujve.

Te të mbijetuarit e sëmundjes Ebola, autoimuniteti i rëndë ka treguar të jetë i lidhur me simptomat e lodhjes afatgjatë, të cilën e përjetojnë shumë prej tyre, teksa proceset e ngjashme janë lidhur gjithashtu me lodhjet dhe paaftësitë kronike të përjetuara nga të mbijetuarit e shpërthimit të virusit Sars në fillim të viteve 2000.

“Infektimet virusale mund të shkaktojnë dëme afatgjata dhe të qëndrueshme në sistemin e imunitetit të dikujt”, ka thënë Avik Roy, zyrtar shkencor kryesor në organizatën “Simmaron Research”, i cili kryen kërkime në trajtimin e sëmundjeve neuroimune. 

“Përgjigjet autoimune për shkak të sjelljes së ndryshuar të qelizave imune, siç janë limfocitet T, qelizat natyrore vrasëse dhe makrofagët mund të shkaktojnë dëme në shtresën e mielinës së nervave periferike, duke rezultuar në dobësi dhe në lodhje të muskujve”, ka shtuar ai.

Ideja e tretë, të cilën Putrino dhe të tjerët kanë qenë duke e studiuar, lidhet me pastrimin e mbetjeve të dëmtuara. Puna jashtë orarit do të thotë që mitokondriet shkaktojnë shumë stres oksidativ, por trupi nuk është në gjendje të pastrohet në mënyrë adekuate, meqë sistemi imunitar është në gjendje lodhjeje pas luftës me virusin.

Kjo mund të kontribuojë në simptoma fizike, të tilla si mjegullimi i trurit dhe lodhja e muskujve, duke ndikuar në aftësinë për të lëvizur dhe funksionuar normalisht. Një studim ka treguar se pacientët me “long Covid” kanë akumulim të produkteve të mbetjeve toksike në fibrat e muskujve të tyre.

Për shkak të kësaj, një qasje e njohur si “ritmi” - me anë të së cilës pacientët përpiqen t’i rikthejnë ngadalë nivelet normale të aktivitetit fizik, duke e shtyrë veten të veprojë fizikisht më shumë në mënyrë progresive - nuk funksionon gjithmonë. Në disa sëmundje si ajo e rriqrave, ME/CFS (Encefalomieliti mialgjik/sindroma e lodhjes kronike) dhe pacientët me “long Covid”, mosfunksionimi themelor i qelizës do të thotë se ritmi mund t’i përkeqësojë ata.

“Pacientët me ‘long Covid’ duhet ta arrijnë njëfarë përmirësimi në statusin funksional përmes mjekimit, përpara se të nisin çfarëdo forme të ushtrimeve fizike”, ka thënë David Systrom, pulmolog në spitalin “Brigham & Women”.

Por gjetja e mjekimit adekuat përfshin identifikimin e shkakut themelor të simptomave.

Një zgjidhje e mundshme

Gjatë disa dekadave të studimit të njerëzve me ME/CFS, Batsy Keller, profesoreshë në departamentin e shkencave të ushtrimeve dhe të sportit në kolegjin “Ithaca” në New York, ka dëgjuar frazën “mosfunksionim mitokondrial” të cituar vazhdimisht si shkak të mundshëm të lodhjes së gjatë.

Megjithatë, ajo thotë se pyetja kryesore është çka po e shkakton dëmtimin e mitokondries.

Në disa raste të lodhjes postvirusale që e shkaktojnë viruset Ebola, Zika dhe influenza (gripi), studimet kanë sugjeruar se shkaku i lodhjes është dëmi i drejtpërdrejtë virusal i shkaktuar në ADN-në e mitokondries.

Studimet që i hulumtojnë mekanizmat e mundshëm kanë zbuluar se pushtimi virusal mund ta pengojë prodhimin e fosfokreatinës, kimikal thelbësor në procesin e krijimit të energjisë. Por ka raste të tjera kur mitokondria thjesht mund të jetë duke vuajtur nga mungesa e oksigjenit.

Sars-CoV-2 dhe viruset e tjera duket të jenë në gjendje ta nxisin formimin e mikro-mpiksjeve - grimca të vogla që lëvizin nëpër enët e gjakut, duke bllokuar proteina të ndryshme dhe duke dëmtuar rrjedhjen e oksigjenit - ndërsa në raste të tjera, dëmtimi virusal mund të ndikojë në ritmin normal të zemrës, funksionimin e frymëmarrjes dhe qarkullimin e gjakut. 

Nëse mitokondria nuk arrin të marrë mjaftueshëm oksigjen për të funksionuar normalisht, Keller ka thënë se trupi kalon në prodhimin e energjisë anaerobe, mjet për prodhimin e energjisë që zakonisht përdoret vetëm për shpërthime të shkurtra dhe intensive të aktivitetit, si sprinti me shpejtësi të lartë. 

“Kur ky ndryshim në prodhimin e energjisë anaerobe ndodh para kohe gjatë përpjekjeve fizike të nivelit të ulët, edhe aktivitetet e thjeshta të jetës së përditshme do të rezultojnë në lodhje”, ka thënë Keller.

Putrino tani po udhëheq një provë klinike, për të parë nëse enzima e quajtur lumbrokinaza, e cila e zbërthen fibrinën, proteinë që mendohet të jetë në bërthamën e mikro-mpiksjeve, mund të ndihmojë në përmirësimin e funksionit mitokondrial dhe niveleve të energjisë te pacientët me “long Covid” dhe me ME/CFS.

Kjo është vetëm një nga gamat e zgjidhjeve të mundshme që po eksplorohen. Në pacientët me “long Covid” ku qëndrueshmëria virusale ose viruset e riaktivizuara duket se janë pas PEM-së, Putrino po eksploron nëse medikamentet e ndryshme të HIV-it mund të ndihmojnë në kthimin e infektimeve në formë të fjetur.

Simmaron Research së bashku me Klinikën Mayo dhe Qendrën për Sëmundjet Kronike, kanë nisur një provë klinike, duke përdorur një dozë të vogël të ilaçit rapamycin të njerëzit me ME/CFS, për të parë nëse mund ta përmirësojë funksionin e mitokondrieve dhe kualitetin e jetës, duke stimuluar një proces kryesor trupor të quajtur autofagi, duke inkurajuar qelizat t’i largojnë dhe t’i riciklojnë komponentët e dëmtuar. 

Mikroskop Foto: AP

“Deri tani prova ka treguar rezultate fillestare shumë premtuese”, ka thënë Roy.

Ky kërkim po i identifikon gjithashtu barnat që mund t’i ndihmojnë njerëzit me lodhje më të lehtë post-virusale të shërohen më shpejt pas infektimit. 

Koenzima Q10, përbërës i përdorur nga mitokondria për ta prodhuar energjinë, e cila është gjetur të jetë varfëruar te pacientët me ME/CFS, tani është e disponueshme pa recetë në SHBA dhe Mbretëri të Bashkuar - është vendosur si shtesë e dietës - dhe nga disa studime është gjetur se e redukton lodhjen.

Kelleri ka thënë se ky studim gjithashtu po ndihmon në identifikimin e nëngrupeve të njerëzve, që duket se janë më të rrezikuar nga lodhja post-virusale. Ajo beson se njerëzit që veçse kanë tension muskulor ose nervor për shkak të zakoneve të jetesës, lëndimeve kronike ose operacioneve mund të jenë më të rrezikuar, sepse këta faktorë themelorë veçse do ta pengojnë shpërndarjen e oksigjenit në trup.

“Kemi gjetur se tensioni nga ulja e shpeshtë dhe e gjatë, ose tensioni në muskujt e qafës, gjoksit dhe shpatullave për shkak të kohës së tepërt para ekranit, kalimit të kohës në telefona celularë dhe forca dhe qëndrueshmëria e ulët e muskujve që e mbështesin shtrirjen e duhur të shtyllës kurrizore mund të jenë faktor kontribues”, ka thënë ajo. “Lëndimet ose operacionet që shkaktojnë shenja në indin lidhor, si prerja cezariane ose zvogëlimi i gjoksit, gjithashtu mund të kontribuojnë në këtë tension”.

Putrino ka thënë se është vitale që të zhvillohemi në identifikimin e faktorëve precizë, të cilët i bëjnë njerëzit ta arrijnë gjendjen e lodhjes afatgjatë, meqë kjo do ta bëjë të mundur zhvillimin e diagnozave më të mira dhe në fund trajtime të sakta për disa nëngrupe të individëve.

“Ka shumë shkaktarë dhe është naive të mendohet se një ilaç ose intervenim i vetëm do t’i adresojë të gjitha”, ka thënë Putrino.  

“Por për sa kohë që jemi metodikë në studimin e barnave të mundshme dhe ta kuptojmë pse ato nuk funksionojnë te njerëzit e ndryshëm, atëherë kemi shans për të fituar prova më të sofistikuara të barnave brenda 12 deri në 24 muajve të ardhshëm. Kjo mund të çojë në një shpresë të vërtetë për njerëzit që jetojnë me këto kushte kronike të lidhura me infektime”, ka shtuar ai.