Lituania e ka konsideruar mundësinë e dërgimit të trupave ushtarake në Ukrainë, në një mision paqeruajtës, ka njoftuar komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Raimundas Vaiksnoras, ka raportuar mediumi Kyiv Independent.
Ai ka thënë se do të diskutohet ky opsion dhe duhet të merret përgjegjësi për stabilitetin në Evropë.
“Nëse ju pyesni nëse Lituania duhet të dërgojë paqeruajtës në Ukrainë, po, ndoshta do ta konsiderojmë këtë”, ka deklaruar komandanti lituanez.
Deklarimi i tij vjen mes diskutimeve të vazhdueshme mes vendeve perëndimore rreth vendosjes së trupave paqeruajtëse, në rast se negociohet një armëpushim. Kjo çështje është hapur edhe nga Gjermania dhe Britania e Madhe, por është kundërshtuar nga Kremlini.
Zëdhënësja ruse, Maria Zakharova, ka deklaruar ditë më parë se vendosja e një kontingjenti paqeruajtës të NATO-s në Ukranë do të përshkallëzonte situatën.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se presidenti amerikan, Donald Trump, mund të ndërmjetësojë përfundimin e luftës, derisa ka shtuar se Kievi duhet të jetë pjesë e diskutimeve. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka deklaruar se është i hapur për bisedime me Trumpin.