Botë

Lirohet themeluesi i “WikiLeaks”

Julian Assange

Themeluesi i “WikiLeaks”, Julian Assange, është kthyer në vendlindje në Australi të mërkurën pasi një gjykatë amerikane e la të lirë. Kjo i jep fund sagës 14-vjeçare të Assanges në përballjen me drejtësinë amerikane.

Assange kishte arritur marrëveshje që ta pranonte fajësinë për shkelje të aktit të spiunazhit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

52-vjeçari u dënua me 62 muaj burgim nga gjykata në Saipan, ishulli më i madh në ishujt Mariana Veriore, territor amerikan. Por e ka kryer këtë periudhë dënimi gjatë pesë vjetëve sa qëndroi i burgosur në Britani të Madhe.

“WikiLeaks” më 2010 pati publikuar qindra mijëra dokumente sekrete të ushtrisë amerikane mbi luftërat në Afganistan e Irak. Kjo ishte rrjedhja më e madhe e dokumenteve e këtij lloji në historinë e ushtrisë amerikane.

Sipas prokurorisë, 52-vjeçari kishte nxitur e ndihmuar ish-analisten e zbulimit në ushtrinë amerikane, Chelsea Manning, të vidhte kabllogramet diplomatike dhe dosjet ushtarake që i publikoi “WikiLeaks”, duke vënë në rrezik jetët e njerëzve.

Problemet ligjore të Julian Assangit filluan në vitin 2010, kur u arrestua në Londër me kërkesë të Suedisë, e cila donte ta merrte në pyetje në lidhje me akuzat për përdhunim dhe sulm seksual të bëra nga dy gra. Në vitin 2012, ai shkeli rregullat e lirimit me kusht duke mos u paraqitur në gjykatë, e cila kishte vendosur të lejonte ekstradimin e tij në Suedi, dhe kërkoi strehë brenda ambasadës ekuadoriane në Londër, ku autoritetet britanike nuk kishin autoritet të ndërhynin. Ai qëndroi atje për shtatë vjet për të shmangur ekstradimin në Suedi.

Marrëdhënia e tij me ekuadorianët u përkeqësua dhe u dëbua nga ambasada në prill të vitit 2019. Policia britanike e arrestoi menjëherë dhe e dërgoi në burgun e Belmarshit. Që nga viti 2019, ai ndodhej në burgun e sigurisë së lartë në Britani dhe për pesë vjet ka luftuar për të kundërshtuar ekstradimin në Shtetet e bashkuara.

Gjatë periudhës së burgosjes në Belmarsh, Assange u martua me partneren Stella me të cilën bëri dy fëmijë.