Botë

Lirohet nga burgu ish-këshilltari i Trumpit, Steve Bannon

Steve Bannon

Foto: Associated Press

Ish-këshilltari i Donald Trumpit, Steve Bannon është liruar nga burgu pasi kaloi katër muaj pas hekurave.

Bannon, 70 vjeç, u lirua nga një institucion korrektues në Danbury, Connecticut, të martën, ka thënë për BBC Benjamin O'Cone, një zëdhënës i Byrosë së Burgjeve.

Bannon, i cili ishte personazh i rëndësishëm në fushatën presidenciale të Donald Trumpit në vitin 2016, është dënuar për dy akuza, për shpërfillje të Kongresit në vitin 2022 dhe për refuzimin e thirrjes së Kongresit në lidhje me një hetim për trazirat e Kapitolit të 6 janarit.

Sipas New York Times, pas lirimit, Bannon ka deklaruar se "nëse njerëzit mendojnë se politika amerikane ka qenë përçarëse më parë, ju nuk keni parë asgjë".

Bannon pritet të mbajë një konferencë shtypi në New York City.

Para se të dërgohej në burg, Bannon transmetoi një mesazh të qëndrueshëm besnikërie ndaj Trumpit dhe armiqësi ndaj figurave demokrate.

"Unë jam një i burgosur politik i Nancy Pelosit, unë jam një i burgosur politik i Merrick Garland, unë jam një i burgosur politik i Joe Bidenit dhe establishmentit të korruptuar të Bidenit”, ka thënë ai përpara se të shkonte në burg.

Ai kishte premtuar se do të vazhdonte të ndihmonte Trumpin dhe fushatën e tij edhe nga pas hekurave.

Bannon ende përballet me probleme të tjera ligjore pasi është paditur me akuzat për pastrim parash, mashtrim dhe komplot në një çështje të veçantë të shtetit të New Yorkut në vitin 2022.

Ai është akuzuar se ka mashtruar donatorët për një mbledhje fondesh me premtimin për të ndërtuar  një pjesë të një muri në kufirin SHBA-Meksikë. Bannon është deklaruar i pafajshëm për akuzat.

LEXO EDHE: