Zyra e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut ka thënë se mund të ketë pasur krime lufte nga forcat izraelite dhe grupet e armatosura palestineze, ndërlidhur me bastisjen që forcat izraelite kryen për t’i liruar katër pengje gjatë fundjavës dhe vrasjen e qindra palestinezëve.
Zëdhënësi i zyrës, Jeremy Laurence ka shprehur shqetësimin për shkeljet e mundshme të rregullave të proporcionalitetit, dallimit dhe masës paraprake nga forcat izraelite në bastisjen e së shtunës në kampin urban të refugjatëve, Nuseirat.
Zyrtarët palestinezë shëndetësorë kanë thënë se të paktën 274 palestinezë, duke përfshirë dhjetëra gra dhe fëmijë, u vranë në operacion.
Laurence ka theksuar se grupet e armatosura palestineze që po mbajnë pengje në zona me popullsi të dendur po i vënë në rrezik jetën e civilëve dhe pengjeve nga armiqësitë, raporton Associated Press.
“Të gjitha këto veprime nga të dyja palët mund të përbëjnë krime lufte”, ka thënë ai në një konferencë të rregullt të OKB-së në Gjenevë.
Duke përmendur sprovën me të cilën përballen pengjet dhe familjet e tyre, ai ka thënë se lirimi i pengjeve është lajm shumë i mirë, por “këto pengje nuk duhet të ishin marrë kurrë në radhë të parë”. “Kjo është një shkelje e të drejtës ndërkombëtar humanitare. Ata duhet të lirohen. Të gjithë ata. Menjëherë”, ka shtuar ai.
Izraeli filloi luftën kundër Hamasit pas sulmit të grupit të 7 tetorit, në të cilin militantët hynë në jug të Izraelit, vranë rreth 1200 njerëz - kryesisht civilë - dhe rrëmbyen rreth 250.
Lufta e Izraelit kundër Hamasit në Gaza ka vrarë më shumë se 36 mijë e 730 njerëz, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila nuk bën dallim midis luftëtarëve dhe civilëve në numërimin e saj.
Palestinezët po përballen me krizë urie, sepse lufta ka ndërprerë kryesisht rrjedhën e ushqimit, ilaçeve dhe furnizimeve të tjera. Agjencitë e OKB-së raportojnë se mbi 1 milion në Gaza mund të përjetojnë nivelin më të lartë të urisë deri në mes të korrikut.