Bombardimi izraelit në Bejrut i ka thelluar tensionet midis Izraelit e Hezbollahut, dy armiq të kahershëm. Një ditë pas këtij sulmi, numri i viktimave është rritur në 37. Si pasojë e zhvillimeve, autoritetet libaneze e kanë vlerësuar si në rrezik gjendjen e sigurisë në vend. E Organizata e Kombeve të Bashkuara ka dhënë alarmin se rajoni ndodhet në prag të një katastrofe
Ka shkuar në 37 numri i të vdekurve në kryeqytetin libanez, Bejrut, si pasojë e sulmit të rrallë ajror që ushtria izraelite e ndërmori të premten. Në mesin e të vdekurve, sipas autoriteteve libaneze, janë tre fëmijë dhe shtatë gra, teksa të paktën 68 persona janë të lënduar.
Ministri i Brendshëm i Libanit, Bassam Mawlawi, ka thënë se ngjarja përbën një situatë të rrezikshme për sigurinë e Libanit.
“Situata e sigurisë sot është e rrezikshme dhe kritike, andaj është e nevojshme që të gjitha agjencitë e sigurisë në Liban t’i monitorojnë nga afër operacionet izraelite që po ndodhin rreth Libanit, operacionet që po ndodhin rreth Bejrutit, e të cilat përkojnë me operacionet e mëdha në Libanin jugor. Ajo që kërkohet nga forcat e sigurisë dhe ato ushtarake është që të monitorojnë nga afër çdo lëvizje të dyshimtë”, ka thënë Mawlawi.
Mes viktimave në sulmin e së premtes janë Ibrahim Akil, komandanti kryesor i Hezbollahut, i cili ishte në krye të Forcave elitare të grupit Radwan, si dhe dhjetëra anëtarë të grupit militant që u patën mbledhur në bodrumin e objektit të goditur me raketë.
Në një përditësim të ushtrisë izraelite të shtunën thuhet se në sulmin e së premtes janë vrarë 15 anëtarë të Hezbollahut. Anëtarët ishin takuar në Dahieh, bastion i njohur i grupit të mbështetur nga Irani në kryeqytetin libanez, sipas Forcave Izraelite të Mbrojtjes.
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar të premten për thellimin e armiqësive në të gjithë rajonin dhe ka kërkuar ulje të menjëhershme të tensioneve nga të gjitha palët. Ka alarmuar se rajoni është në prag të katastrofës.
Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarriq u ka thënë gazetarëve se janë shumë të shqetësuar për përshkallëzimin e shtuar dhe ka bërë thirrje për përmbajtje maksimale.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve për depërshkallëzim të menjëhershëm. Gjithashtu u bëjmë thirrje që të kthehen menjëherë te ndërprerja e armiqësive dhe ta zbatojnë plotësisht Rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit. Rajoni është në prag të një katastrofe. Të gjitha përpjekjet duhet të përqendrohen te gjetja e një zgjidhjeje diplomatike”, ka deklaruar Dujarriq.
Ai ka thënë se Forcat e Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) po vazhdojnë mandatin për të ndihmuar në shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm, si dhe për të mbështetur qasjen humanitare në Libanin jugor.
E lideri suprem i Iranit, Ajetollahu Ali Khamenei, e ka akuzuar Izraeli se po kryen krime kundër fëmijëve dhe jo luftëtarëve të Hezbollahut.
Ai ka thënë se në pamundësi për t’i lënduar luftëtarët e vërtetë në Palestinë, Izraeli po e shfryn zemërimin mbi fëmijët e vegjël.
“Nuk po lufton luftëtarët, por njerëzit e zakonshëm. Në pamundësi për të lënduar luftëtarët e vërtetë në Palestinë, ata po e shfryjnë zemërimin e tyre keqdashës mbi fëmijët e vegjël, mbi pacientët e spitaleve dhe mbi shkollat e mbushura me fëmijë të vegjël”, është shprehur ai.
Sulmi vdekjeprurës i së premtes ndodhi disa orë pasi Hezbollahu i nisi bombardimet më intensive kundër Izraelit, duke e shënjestruar veriun e shtetit me rreth 140 raketa.
Hezbollahu, i mbështetur nga Irani dhe Izraeli, ka këmbyer sulme në kufirin Izrael - Liban dhe në Siri qëkur grupi militant më 8 shtator 2023 – në shenjë solidariteti për palestinezët për shkak të nisjes së luftës në Gazë – e sulmoi Izraelin. Aktualisht po konsiderohet se tensionet janë në nivelin më të lartë që nga viti 2006.