Linja ajrore gjermane Lufthansa ka zgjatur pezullimin e fluturimeve të saj drejt Teheranit të enjten, për shkak të situatës në Lindjen e Mesme, e cila është në gatishmëri për hakmarrjen iraniane për një sulm të dyshuar ajror izraelit në ambasadën e Iranit në Siri.
Një agjenci iraniane e lajmeve ka publikuar një raport arab në platformën sociale X, duke thënë se të gjitha hapësirat ajrore mbi Teheranin janë mbyllur për manovrat ushtarake, mirëpo më vonë e fshiu raportin duke e mohuar se ka lëshuar lajme të tilla, raporton Reuters.
Rajoni dhe Shtetet e Bashkuara janë në gatishmëri pas paralajmërimeve nga Irani se do të hakmerret për sulmin e 1 prillit, kur aeroplanët izraelitë dyshohet se kanë bombarduar konsullatën e Iranit në Siri.
Lufthansa ka thënë të enjten se ka suspenduar fluturimet për dhe nga Teherani, deri me gjasë 13 prill, duke e zgjatur suspendimin për dy ditë më shumë.
Një zëdhënës ka thënë se ka vendosur që të mos operojë me fluturime nga Frankfurti për në Teheran fundjavën e kaluar, për të shmangur nevojën e zbarkimit të ekuipazhit për të kaluar natën në Teheran.
Lufthansa dhe filiali i saj, Austrian Airlines janë dy kompanitë e vetme perëndimor të fluturimeve, të cilat bëjnë udhëtime për në kryeqytetin iranian, e cila shërbehet kryesisht nga kompanitë ajrore turke dhe ato të Lindjes së Mesme.
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei ka thënë se Izraeli “duhet të ndëshkohet dhe do të ndëshkohet” për sulmin, i cili la të vdekur shtatë anëtarë të Korpusit të Gardës Revolucionare iraniane.
Izraeli i cili ka nisur një luftë në Rripin e Gazës gjashtë muaj më parë, kundër grupit të mbështetur nga Irani, Hamas, nuk e ka konfirmuar se qëndron prapa sulmit në Damask, por Pentagoni e ka konfirmuar këtë.
Në një përgjigje ndaj Khameneit, ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz ka deklaruar se Izraeli do të kundërpërgjigjet nëse Irani e sulmon Izraelin nga toka e vet.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre besojnë se sulmet e mëdha me raketa ose dron nga Irani ose përfaqësuesit e tij kundër objektivave ushtarake dhe qeveritare në Izrael janë të pashmangshme, raportoi Bloomberg të mërkurën, duke cituar burime sigurie të SHBA dhe Izraelit.
Sekretari i shtetit, Antony Blinekn, në një bisedë telefonike me ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, e ka bërë të qartë se SHBA-ja do të qëndrojë krah Izraelit, kundër çdo kërcënimi nga Irani, sipas Departamentit të Shtetit.
Grupet e mbështetura nga Irani kanë hyrë në përleshje në të gjithë rajonin që kur Izraeli nisi sulmin e tij në Gaza në përgjigje të një sulmi të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor që vrau 1,200 njerëz, sipas të dhënave izraelite.
Më shumë se 33,000 palestinezë janë vrarë që atëherë nga bombardimet izraelite, sipas ministrisë së Shëndetësisë të Gazës.