Clarin organizoi për ushtrinë amerikane ta merrte ekipin e saj në autokolona në zona të largëta që t’i trajnojnë fermerët, duke i fuqizuar afganët që t’ia mësojnë njëri-tjetrit aftësitë. Ata hapën edhe kanale për të siguruar ujë të pastër
Ushtarët amerikanë i thërrisnin ata “djemtë e Karolinës”. Ata i kthyen fermat në zonë lufte duke i rrezikuar jetët e tyre për programin që ajo ndërtoi, duke shprehur besimin e saj se diçka e thjeshtë si pemët e mollës mund ta ndryshojnë botën.
Afganët e arsimuar universitarë kanë ndihmuar që toka në një rajon të varfër të Afganistanit Lindor, e goditur nga thatësira, të kthehet në kopshte dhe pemishte të gjelbëruara që ende ushqejnë familjet vendase sot.
Në këtë proces, 12 specialistë të bujqësisë, të gjithë burra tradicionalë afganë, formuan një lidhje të thellë e të papritur me shefen e tyre, një grua amerikane e cila kishte punuar si këshilltare e Departamentit të Bujqësisë së SHBA-së në këtë rajon për dy vjet.
Tani Caroline Clarin është duke u përpjekur t’i shpëtojë ata një nga një, duke e bërë të gjithën nga shtëpia-fermë në Minnesota e vitit 1910, të cilën ajo e ndan me gruan e saj. Çifti ka tërhequr fondet e pensionit për ta ndihmuar një grup burrash që ndajnë të njëjtën dashuri për bujqësinë.
Clarin i ka ndihmuar pesë nga ish-punonjësit e saj dhe familjarët e tyre të hyjnë në SHBA që nga viti 2017, teksa gruaja e saj i ka ndihmuar ata t’i rindërtojnë jetët e tyre në Amerikë.
Qëkur talebanët morën pushtetin në gusht, mesazhet nga ata që kanë mbetur po rriten shpejt dhe Clarin thotë se “mund ta ndiejë panikun duke u shtuar” derisa dimri po vjen e mungesat e ushqimit kanë filluar të rriten. Ajo i ka rritur përpjekjet e saj, duke punuar me orë të tëra e duke ndjekur me zell aplikimet e tyre për viza. Clarin u bën thirrje senatorëve të ushtrojnë presion në mënyrë që të mos lëngojnë sikurse mijëra aplikime për viza në sistemin e ngecur për afganët, të cilët e mbështetën Qeverinë amerikane gjatë luftës së gjatë.
Ajo ka frikë se ekipi i saj do të vritet nga talebanët, megjithëse Qeveria e re ka premtuar se nuk do të hakmerret kundër afganëve që ndihmuan Amerikën. Gjithashtu, ajo dëshiron t’u japë atyre një të ardhme.
Prej kur forcat amerikane u tërhoqën, më shumë se 70 mijë afganë kanë ardhur në SHBA dhe mijëra të tjerë po lëshohen në bazat ushtarake amerikane derisa agjencitë e zhvendosjes po përpiqen të mbahen.
Clarin e di se nuk mund t’i shpëtojë të gjithë, por ajo është e vendosur t’i ndihmojë ata që mundet.
Pasi u largua nga Afganistani në vitin 2011, ajo u pushtua nga zemërimi që programi i saj u shkatërrua pasi Qeveria amerikane ndryshoi prioritetet e saj.
“Kur hipa në aeroplan, ndjeva sikur e lashë familjen time në pistë”, ka thënë ajo. “Ndihesha sikur i braktisa”.

Mesazhi nga Afganistani
Një nga miqtë e saj që u arratis së fundmi ishte Ihsanullah Patan, kopshtar, kishte pritur për shtatë vjet për vizë të veçantë emigruese. Pasi i shkroi Clarinës se dy nga miqtë e tij të afërt ishin vrarë, ajo tërhoqi një shumë prej 6,000 dollarësh nga fondi i pensionit, me qëllim që ta marrë atë dhe familjen e tij në një fluturim mallrash për në Minnesota përpara se talebanët ta merrnin kontrollin mbi vendin këtë verë.
Kur Clarin i mori ata në aeroportin e Minneapolis në mesnatë, për tri orë të vozitjes së kthimit në Fergus Falls, ajo ishte e mbushur me lumturi.
“Ndihesha sikur djali im u kthye në shtëpi”, ka sqaruar ajo.
Patan erdhi në Minnesota me shafran, me bajame afgane dhe 5 kilogramë çaj të gjelbër afgan për ta ndarë. Ai gjithashtu u dha Clarinës dhe gruas së saj, Sheril Raymond, fara të preshit të butë afgan për kopshtin e tyre.
Ishte anëtari i parë që iu bashkua grupit të Clarinës pasi ajo u dërgua në provincën Paktika. Si i diplomuar i ri e plot vetëbesim, Patan shkroi gjithë çka nevojitej në rajon. Këto do të bëheshin baza e programit të saj: farat, pemët dhe aftësitë për të mbjellë kopshte dhe pemishte.
Patan i konsideron Clarin dhe gruan e saj familje. Tre djemtë e tij dhe vajza i thirrin ato “teto”.
Në fakt, ai ka vendosur të jetojë afër Fergus Falls, qytet me 14 mijë banorë, në vend se të shkojë në një qytet më të madh me një komunitet të shpërngulur afgan.
I rrethuar nga toka bujqësore që shtrihen në kufirin e Dakotës Veriore, horizonti i qytetit dominohet nga depot e drithërave dhe majat e kishës luterane të Betlehmit, që është një reflektim i rrënjëve skandinave të rajonit.
E vetmja familje tjetër afgane në vend është ajo e kushëririt të tij. Sami Massodi, i cili ka diplomë në menaxhimin e blegtorisë, po ashtu punoi për ekipin e Clarinës në Afganistan dhe ka ardhur në vitin 2017. Ai dhe familja e tij kishin jetuar në fermën e tyre para se të vendoseshin në Fergus Falls.
Është një vend ku fqinjët bëjnë vizita të paparalajmëruara vetëm për të thënë “si je” e njerëzit e përshëndesin postierin në emër. Është fort republikan. Fergus Falls është selia e qarkut të Otter Tail County, e cila votoi dy herë për ish -presidentin Donald Trump.
Mirëpo njerëzit në qytet thonë se familja dhe shoqëria janë në rend të parë ndaj pikëpamjeve politike dhe se kanë një ndjeshmëri të gjerë për luftën e emigrantëve, pasi prindërit, gjyshërit e stërgjyshërit e shumë njerëzve erdhën nga Norvegjia, Suedia e Danimarka.
Vetëm disa muaj pasi erdhën, familja e Patanit tashmë ndihet si në shtëpi, kryesisht për shkak të Raymond.
Ajo i ndihmoi fëmijët e tyre të regjistroheshin në shkolla, gjeti një dentist për dhëmbin e infektuar të 9-vjeçares Sala, dhe e regjistroi Patanin për sigurinë e makinës, gjë që ishte diçka e re për 35-vjeçarin.

Mësimet në anglisht
Raymond futi në radhë orët e anglishtes, shërbimet shtetërore dhe federale për emigrantët e rinj. Ajo e dërgoi Patanin në vendtestimin më të afërt për patentë shofer që ishte një orë larg. Pasi dështoi dy herë shkaku se anglishtja e tij nuk ishte mjaft e mirë, ai pyeti nëse kishte ndonjë test në gjuhën e tij kombëtare Pashto, në Virxhinia apo në Kaliforni. Por nuk kishte. Kështu që, Raymond gjeti një tjetër vend, edhe një orë tjetër më larg, që do ta lejonte atë t’i rishikonte gabimet e tij. Në përpjekjen e tij të tretë, ai kaloi.
Clarin ka gjetur një dele për Bajram, ndërkohë që Raymond shikonte video në Youtube se si të theret bagëtia sipas parimeve “hallall”, pasi kasapi më i afërt është një orë larg, në Fargo të Dakotës Veriore.
Për Patanin, ato kanë qenë vendi më i rehatshëm në një vend të huaj.
“Kur shkojmë në shtëpinë e tyre ndihemi sikur shkuam në Afganistan dhe sikur po i takojmë të afërmit tonë”, ka shpjeguar ai.
Ai ka mall për vendlindjen e tij, për festat familjare. Gruaja e Patanit ende i gatuan ushqimet e tyre tradicionale, si Bolani Afganistani, një bukë e skuqur e mbushur me perime që edhe Clarin e shijonte bashkë me të në Afganistan.
Atje ishte Patani dhe ekipi i saj që kujdeseshin për atë të ndihej si në shtëpinë e saj.
Ishte koha më e gjatë kur ajo dhe Raymond ishin të ndara qëkur filluan të takoheshin më 1988.
Raymond, e cila kujdesej për pulat, derrat dhe kafshët e tjera në fermën e tyre shpesh bënte thirrje me video, duke qëndruar në linjë edhe pasi Clarin flinte gjumë.
Martesa e çiftit
Dy vjet pasi Clarin u rikthye, u martuan në gusht të 2013-s, pasi martesat mes gjinisë së njëjtë u legalizuan në Minnesota.
Homoseksualiteti ende shihet si tabu a diçka e pahijshme në Afganistan, ku lidhjet mes gjinisë së njëjtë janë të paligjshme.
Megjithëkëtë, asnjë prej familjeve afgane nuk ka pyetur rreth martesës së tyre as nuk kanë shprehur paragjykime, ka vënë në pah çifti. Patani i quan ato “motrat” e tij.
“Kemi shumë respekt për ato”, ka theksuar ai.
Të dy, Clarin e Patan, flasin me shumë pasion për bujqësinë, duke përshkruar në detaje se si bëhet korrja e mirë e mollës dhe të shmangen sëmundjet.
Clarin organizoi për ushtrinë amerikane ta merrte ekipin e saj në autokolona në zona të largëta që t’i trajnojnë fermerët, duke i fuqizuar afganët që t’ia mësojnë njëri-tjetrit aftësitë. Ata hapën edhe kanale për të siguruar ujë të pastër. Ata punuan së bashku me fermerët për të mbjellë pemë, të ndërtojnë pengesa nga guri dhe ta kontrollojnë rrjedhën e ujit. Ata shpërndanë fara për 1,200 familje, të cilët që atëherë i kanë ndarë farat me më shumë njerëz.
Programi i trajnoi rreth 5,000 fermerë nga Paktika që nga viti 2009 deri në 2011.
Ata u ofruan kultivuesve serra, mollë, pajisje krasitjeje dhe grante të vogla. Ata iu mësuan fermerëve zgjidhje të prekshme, përfshirë përdorimin e kovave më linja pikimi për të ujitur kopshtet dhe për të kursyer ujin.
Talebanët u përpoqën të sabotonin besimin që ata ndërtuan me fermerët, ka treguar Clarin. Një herë, një eksploziv shpërtheu në një kovë të kuqe, si ato që shërbenin për ujitje.
Patani tani mban kontakt me disa nga fermerët në Paktika dhe me mburrje ua tregon fotot nga Iphone të kërcejve të vegjël, të cilët ai i shpërndau e që tani janë lisa disa metra të gjatë.
Nga një fermer mori mesazhin që nga korrja e tij po ushqehet familja e tij dhe miliona të tjerë në vend që po përballen me urinë.
Kjo i ofron pak ngushëllim pasi e pa atdheun e tij të bjerë në duart e talebanëve. Të bën të ndihesh mirë, ka thënë ai, ta di se puna ime ka lënë diçka që zgjat dhe që “njerëzit po përfitojnë prej saj. E edukuam një brez dhe këta baballarë do t’u tregojnë djemve të tyre”.
Patanit i mungon karriera e tij në Afganistan. Shumë punëdhënës amerikanë nuk i njohin diplomat nga universitetet afgane, kështu që ai planifikon t’i kthehet shkollës që ta fitojë diplomën amerikane. Tash për tash, ai po trajnohet për vozitjen e një kamioni mallrash, një fushë e mbushur me shumë mundësi: Kishte 21 vende pune në zonë kur ai filloi mësimet e tij këtë muaj.
Përktheu: Blerta Haxhiu