Botë

Lideri suprem i Iranit refuzon bisedimet me SHBA-në

Khamenei

Lideri suprem i Republikës Islamike të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka thënë të shtunën se ka refuzuar mbajtjen e bisedimeve të reja ndërmjet vendit të tij dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me arsyetimin se qëllimi i vërtetë i bisedimeve do të ishte vendosja e kufizimeve mbi raketat me rreze dhe ndikimit të Iranit në rajonin e Lindjes së Mesme, raporton AP.

Reagimi e Khameneit erdhi një ditë pas deklaratave nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili ka shprehur dëshirë për të negociuar një marrëveshje të re bërthamore me Iranin.

Khamenei ka thënë se kërkesat amerikane do të ishin si ushtarake ashtu dhe të lidhura me ndikimin rajonal të Iranit.

“Negociatat e tyre nuk kanë për qëllim që të zgjidhin çështjet. Ata negociojnë për të diktuar vullnetin e tyre”, ka shtuar ai.

Në mandatin e tij të parë si president, Trumpi kishte vendosur që në mënyrë të njëanshme të largohet nga marrëveshja nukleare e arritur në vitin 2015 midis Iranit dhe administratës së atëhershme të Barack Obamës.