Lideri republikan i Senatit, Mitch McConnell ka thënë se përkrahja e tij për Ukrainën është “e fortë si guri”.
Në fjalimin e tij në Senat, ai tha se kërcënimi i Rusisë është i ndërthurur me Iranin, Kinën e Korenë e Veriut pasi po “punojnë së bashku për ta minuar Amerikën dhe Perëndimin”.
Por, ai thotë se kauza e Ukrainës nuk “ka qenë gjithmonë e njohur në Washington”.
“Për gati dy vjet, populli i Ukrainës ka sfiduar pritshmëritë botërore. Ata kanë gjunjëzuar ushtrinë e dytë më të fuqishme në botë, dhe kanë penguar aspiratat imperialiste të Putinit”, ka thënë McConnell.
Ai tha se Ukraina mund të fitojë nëse Perëndimi vazhdon ta mbështesë.
Por, ai ka përmendur edhe vendosmërinë e tij për të marrë “nën kontroll” kufirin jugor të SHBA-së, që është arsyeja pse republikanët po kundërshtojnë pakon e radhës së ndihmës ushtarake për Ukrainën.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka arritur në SHBA për të tentuar t’i bindë politikanët amerikanë për pakon e re të ndihmës ushtarake.
Ai ka nisur takimin me presidentin e SHBA-së Joe Biden.