Lideri i opozitës së Senegalit, pak i njohur, 44-vjeçari, Bassirou Diomaye Faye, është emëruar si president i vendit të hënën, më pak se dy javë pasi u lirua nga burgu për të kandiduar në zgjedhje.
Kundërshtari i Fayet, i cili u mbështet nga presidenti aktual Macky Sall, pranoi humbjen bazuar në rezultatet paraprake.
Fitorja e Fayet pasqyroi zhgënjimin e të rinjve në vendin me papunësinë e lartë dhe shqetësimet për qeverisjen në kombin e Afrikës Perëndimore, shkruan AP.
Faye, i cili u mbështet nga lideri popullor i opozitës Ousmane Sonko, është zotuar të mbrojë Senegalin nga korrupsioni dhe ndërhyrja nga fuqitë e huaja.
Sonko, i cili gjithashtu u lirua më 14 mars pas muajsh burgim, u ndalua të kandidonte për shkak të një dënimi paraprak dhe Faye kandidoi në vend të tij.
Faye është një ish-taksambledhës dhe ishte pak i njohur derisa Sonko e emëroi atë si trashëgimtarin e tij. Ai vjen nga një qytet i vogël në Senegalin qendror.
Ai e praktikon fenë e tij islame dhe ka dy gra. Faye ishte burgosur për akuza të ndryshme, duke përfshirë shpifjen.
Më shumë se 7 milionë njerëz u regjistruan si votues në Senegalin me rreth 17 milionë banorë. Për të fituar, kandidatët duhej të siguronin më shumë se 50% të votave. Zgjedhjet e së dielës ishin të parat pas futjes së kufizimeve të mandatit, që e ndaluan ish-presidentin Sall të kërkonte një mandat të tretë.