Botë

Liderët populistë bëhen bashkë për stërvitjet ushtarake

Stërvitjet ushtarake të së shtunës u mbajtën në aeroportin ushtarak në periferi të Beogradit. Në këto stërvitje u shfaqën aeroplanët luftarakë të prodhimit rus, MiG-29, dhe helikopterët Mil, por edhe sistemet kundërajrore ruse dhe dronët, që Serbia ka pranuar së fundmi.

Liderët populistë të Serbisë dhe Hungarisë kanë mbikëqyrur stërvitjet ushtarake në Serbi të shtunën. Në këto stërvitje të përbashkëta ushtarake, dy shtetet i kanë prezantuar armët më të rënda që kanë në dispozicion.

Këto stërvitje ushtarake janë mbajtur në kohën kur lufta në Ukrainë po vazhdon dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor po përballet me tensione.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, pa paralajmërim ka arritur në Serbi. Ai është mirëpritur nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se ishte i lumtur që “edhe një herë po mirëpriste një mik të madh të Serbisë.

“Raportet serbo-hungareze janë në nivelin më të lartë në historinë e shteteve tona”, ka shkruar lideri populist i Serbisë në Instagram.

Të dy liderët kanë lidhje politike dhe ekonomike me Rusinë, pavarësisht agresionit të Moskës në Ukrainë. Raportet e tyre me Moskën kanë qenë cak i mospajtimeve me shtetet evropiane dhe Shteteve të Bashkuara.

Edhe pse Serbia zyrtarisht kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, Vuçiqi ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë, apo që publikisht ta dënojë luftën në Ukrainë.

Ndërkaq, Hungaria është anëtare e BE-së dhe NATO-s, por Orbani ka kritikuar sanksionet ndaj Moskës, që lidhen me luftën. Qeveria e tij po ashtu ka thënë se nuk do të arrestonte presidentin rus, Vladimir Putin, nëse ai do të hynte në Hungari, pavarësisht se ndaj liderit rus ka një urdhërarrest të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime të pretenduara të luftës në Ukrainë.

Stërvitjet ushtarake të së shtunës u mbajtën në aeroportin ushtarak në periferi të Beogradit. Në këto stërvitje u shfaqën aeroplanët luftarakë të prodhimit rus, MiG-29 dhe helikopterët Mil, por edhe sistemet kundërajrore ruse dhe dronët, që Serbia ka pranuar së fundmi.

Rritja e arsenalit ushtarak të Serbisë ka rritur shqetësimet në mesin e disa shteteve fqinje, që kanë shprehur frikën se mund të kërcënohet paqja e brishtë në rajonin që ishte mbërthyer nga luftëra të përgjakshme në vitet ’90.

Vuçiq ka thënë se komandantët ushtarakë serbë po shikojnë se si po zhvillohet lufta në Ukrainë dhe po planifikojnë blerjet e ardhshme të pajisjeve ushtarake, në përputhje me rrethanat.

“Serbia, asnjëherë në historinë e saj nuk ka pasur ushtri më të fortë”, ka thënë Vuçiqi.

Ndërkaq, Orbani një ditë më parë iu përgjigj me një fjalë deklaratës së djeshme të sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, se Ukraina i përket aleancës.

Në Twitter, Orban ka shpërndarë intervistën e Politicos, në të cilin është përcjellë deklarata e Stoltenbergut, dhe ka shkruar një pyetje të shkurtër: “Çfarë?”.

Orbani ka reaguar pasi Stoltenbergu deklaroi për herë të parë që nga fillimi i agresionit rus se Ukraina duhet të jetë anëtare e aleancës më të fortë ushtarake në botë. Ai e bëri këtë gjatë një takimi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Kiev.

Nuk është hera e parë që Orbani vë në pikëpyetje marrëdhëniet mes NATO-s dhe Bashkimit Evropian ndaj luftës në Ukrainë, edhe pse vendi i tij është anëtar i të dyja aleancave.

Ai është ndër ata që besojnë se BE-ja është përgjegjëse për vazhdimin e luftës. Ndër të tjera ai ka thënë se nuk ishte një luftë hungareze. Përveç kësaj, Hungaria gjithashtu po bllokon anëtarësimin e Suedisë në NATO.