Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thirrë liderët nga vendet kryesore të Bashkimit Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar në Pallatin Elysee të hënën, për një takim urgjent se si të merren me SHBA-në nën presidentin Donald Trump.
Lëvizja vjen pas një sulmi diplomatik njëjavor mbi Ukrainën nga administrata Trump, sidomos pas deklaratave të fuqishme të zëvendëspresidentit amerikan, J.D Vance në Konferencës e sigurisë në Munih që u zhvillua fundjavën e kaluar, raporton AP.
Fjalimet nga Vance dhe sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth gjatë vizitave të tyre të para zyrtare në Evropë javën e kaluar, vunë në pikëpyetje si angazhimet e Evropës për sigurinë, ashtu edhe parimet e saj themelore demokratike.
Macroni ka thënë se qortimet e tyre thumbuese dhe kërcënimet për mosbashkëpunim përballë rrezikut ushtarak, ndiheshin si një tronditje për sistemin.
Pika e kthesës erdhi kur Trumpi vendosi të përmbysë politikën me vite të SHBA-së duke zhvilluar bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, me shpresën për t'i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë.
Më pas, i dërguari special i Trumpit për Ukrainën dhe Rusinë të shtunën përjashtoi përfshirjen e evropianëve të tjerë në çdo bisedim paqeje në Ukrainë.
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock e ka quajtur javën “një moment ekzistencial”.
Që nga Lufta e Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Evropës Perëndimore kanë ecur së bashku teksa përballeshin me Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë, deri në veprimet gjithnjë e më agresive të Rusisë së sotme pranë kufijve të saj.
Macroni do të ketë të hënën pasdite bisedime me liderët e Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Polonisë, Spanjës, Holandës, Danimarkës dhe Bashkimit Evropian, për mënyrën se si të merren me problemin e sigurisë në Evropë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte gjithashtu do të marrë pjesë.
Zyrtarët francezë kanë thënë se nuk pritet që liderët të dalin me vendime të forta përtej shfaqjes së unitetit të liderëve evropianë.
"Ka një erë uniteti që fryn mbi Evropën, siç ndoshta nuk e kemi ndjerë që nga periudha e COVID-it”, ka thënë ministri i Jashtëm francez, Jean- Noel Barrot, duke iu referuar pandemisë në 2020 kur 27 kombet e BE-së duhej të qëndronin krah për krah për të shmangur një katastrofë shëndetësore.
LEXO EDHE: