Lideri i Partisë së Veprimit Demokratik (SDA) Bakir Izetbegovoviq, Presidenti i Aleancës për një Ardhmëri më të Mirë në BeH (SBB), Fahrudin Radonçiq dhe udhëheqësi i Frontit Demokratik (DF) Zhelko Komshiq, e kanë porositur udhëheqësin e Unionit të Demokratëve të Pavarur (SNSD) Millorad Dodik dhe zyrtarëve të Republikës Serbe (RS) që të mos kalojnë vijën e kuqe.
Izetbegoviqi në deklarimin e tij tha se çdo kërcënim ndaj integritetit territorial të Bosnjës e Hercegovinës do të marrë përgjigje të fuqishme.
“Asnjë pëllëmbë e këtij shteti nuk mund të shkëputet. Një gjë e tillë çon në prishje të paqes. I paralajmërojmë përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, e veçanërisht Zyrën e Përfaqësusit të Lartë, se është koha e fundit që të ndërmerren hapa për krizën të cilën e ka shkaktuar Dodiku. Veprimet e deritanishme të bashkësisë ndërkombëtare vetëm sa i kanë inkurajuar”, tha ai, raporton Klix.ba.
Tutje, ai tha se nga Serbia kërkon që të respektojë në përpikëri marrëveshjen e Dejtonit, në veçanti nenin 1 të tij.
“Reagimet e buta dhe jo bindëse të Vuçiqit kur në praninë e tij dhe të patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Dodiku kërcënon me shkëputje dhe me dëmtim të integritetit territorial të BeH-së. Ky nuk është kërcënim vetëm ndaj BeH-së, por ndaj tërë rajonit. Nuk do të pranojmë asnjë shantazh. Nuk do të mbështesim largimin e gjykatësve të huaj nga Gjykata Kushtetuese, për këtë mund të diskutohet vetëm kur BeH-ja avancon fuqishëm në rrugën kah anëtarësimi në BE dhe NATO”, tha lideri i SDA-së, transmeton Koha.net.
Ai i bëri thirrje HDZ-së (Unioni Demokratik Kroat) që të nis procesin e vendosjes së pushtetit në Federatën e Bosnjë e Hercegovinës duke emëruar presidentin e FBeH-së. Po ashtu, tha se Bosnja ka gjasa që të marrë 140 milionë euro grante dhe se tani kjo gjë është në rrezik të mos ndodhë.
Nga ana tjetër, Radonçiq tha se sot, si koalicion qeverisës, kanë kryer një obligim moral dhe shtetëror që të paraqesin qëndrimin e forcave atdhetare në BeH pas deklarimeve të ditëve të fundit nga Dodiku dhe autoritetet në RS.
“Këtë s’po e bëjmë për t’i frikësuar qytetarët, por për t’i thënë Dodikut dhe politikës separatiste se ekzistojnë bija të kuqe të cilat nuk guxojnë të kalohen. Pas këtyre reagimeve, presim që të bëhet një korrigjim i kërkesave të cilat askush s’mund t’i pranojë”, tha ai.
Edhe Zhelko Komshiq i bëri thirrje Millorad Dodikut që t’i kthehet punës në institucionet e BeH-së siç parashihet me Kushtetutë dhe me ligjet e BeH-së.
“Dëmin nga veprimet e tij në masën më të madhe do ta bartin qytetarët e RS-së për shkak të tërheqjes së investitorëve potencialë si pasojë e atmosferës së pasigurisë. Së dyti, këtu në Presidencë keni shumë marrëveshje dhe kontrata të natyrës financiare. Pjesa më e madhe e këtyre parave duhet të shkojnë në RS. Kjo është arsyeja pse ky lloj i politikës është i panevojshëm dhe dëmton ata njerëz për të cilët ai thotë se i intereson”, tha Komshiqi.
“Shteti i BeH-së dhe sovraniteti e integriteti i saj nuk janë diçka që mund të diskutohet për to. As institucionet e vendit, përfshirë Gjykatën Kushtetuese dhe gjykatësit e huaj, nuk janë çështje që diskutohen. Për të negociuar për to, duhet të bëhet reformë gjithëpërfshirëse e sistemit. Pse s’na pëlqejnë vendimet e gjykatave, nuk do të thotë se ato nuk duhet zbatohen”, u shpreh Komshiqi.
Ai i bëri thirrje Dodikut që t’u kthehet punëve të përditshme të parapara me pozitën që mban.