Udhëheqësit e Bashkimit Evropian insistuan të enjten se s’mund të merren vendime për të ardhmen e Ukrainës pa pëlqimin e vetë Ukrainës apo prapa shpinës së partnerëve të sajë në Evropë, raporton agjencia “AP”.
Pozicioni i Ukrainës është i pasigurt pas mbi 1000 ditë luftë.
Rusia vazhdon të përparojë në fushëbetejë, duke shtyrë vijën e frontit gradualisht drejt perëndimit, pavarësisht se po pëson humbje të mëdha. Rrjeti energjetik i Ukrainës është i rrënuar dhe Ukraina po e ka të vështirë të gjejë rekrutë.
Në një shfaqje solidariteti në një samit në Bruksel me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shumë liderë të Bashkimit Evropian përsëritën qëndrimin se asgjë s’do të vendoset për Ukrainën pa pëlqimin e Ukrainës, dhe asgjë s’do të vendoset për sigurinë në Evropë pa evropianët.
Donald Trump do të marrë postin e presidentit të SHBA-së më 20 janar dhe ai ka premtuar t’i japë fund luftës në Ukrainë shumë shpejt. Ai ka folur për marrëdhëniet e tij me presidentin rus Vladimir Putin.
Shumë evropianë janë të shqetësuar se kjo mund të rezultojë në një marrëveshje jo të mirë për Ukrainën.
Shqetësimi tjetër është se Putini thjeshtë do të përdorë rastin për t’u riarmatosur dhe për të shkaktuar më shumë luftë. Liderët evropianë thonë se prioritet është të forcohet Ukraina, nëse Zelensky vendos se është koha për t’u negociuar.
Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se është e rëndësishme të “sigurohet ndihma afatgjatë për Ukrainën”.
“Duhet të jetë e qartë se ne jemi të përgatitur për ta mundësuar mbështetjen për aq kohë sa është e nevojshme”, tha Scholz.
I pyetur për Trumpin, Scholz tha se pështypja e tij nga biseda me presidentin e zgjedhur të SHBA-së është se bashkëpunimi mes Evropës e SHBA-së është i mundur. Ai tha se parimi është gjithmonë “asnjë vendim në dëm të Ukrainës”.
Një mesazh të ngjashëm ka dhënë edhe kryeministri i Luksemburgut, Luc Frieden.
E kryeministri i Holandës, Dick Schoof, tha se Ukraina duhet të jetë vendi që “përcakton kushtet se a mund të zhvillohen bisedimet”. E Zelensky tha se ka nevojë për më tepër unitet SHBA – BE.
“Vetëm së bashku SHBA dhe Evropa mund ta ndalin Putinin dhe ta shpëtojnë Ukrainën. Është e vështirë të përkrahet Ukraina pa ndihmën amerikane”, tha Zelesky.