Botë

Liderët e BE-së pajtohen në parim që Ukrainës t’i jepen përfitimet nga asetet e ngrira ruse

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord në parim që një pjesë të madhe të fitimeve të krijuara nga asetet e ngrira ruse, t'ia japin Ukrainës.

Propozimi mund të gjenerojë deri në 3 miliardë euro këtë vit, dhe miliardi i parë mund t’i jepet Ukrainës në korrik, ka thënë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen të enjten, në përfundim të ditës së parë të Samitit të liderëve të BE-së, që po mbahet në Bruksel, raportoi The Guardian.

“U thashë liderëve se nëse jemi të shpejtë tani në përfundimin e propozimit, ne mund të disbursojmë miliardin e parë më 1 korrik. Kështu që varet nga ne”, është shprehur ajo, duke shtuar se kishte mbështetje të fortë për të përdorur të ardhurat për “qëllime ushtarake për Ukrainën”.

Von der Leyen po ashtu ka bërë të ditur se BE-ja është duke shikuar për mundësinë që t’i rriten tarifat Rusisë për grurin, përfshirë edhe grurin e vjedhur ukrainas, i cili hyn në tregun e BE-së.

Marrëveshja vjen pas pothuajse një viti të negociatave mbi bazën ligjore për sekuestrimin efektiv të 190 miliardë eurove të mbajtura në depozitimin qendror belg të letrave me vlerë, Euroclear.

Rruga për një marrëveshje u hap pasi formulimi u modifikua për të adresuar kundërshtimin e Hungarisë ndaj parave që përdoren për të armatosur Ukrainën.

Se si do të ndahen fondet ende nuk është vendosur, por propozimi ishte që të përdorej 90% për programet ushtarake dhe 10% për rindërtimin, me potencialin që disa para të devijoheshin për financimin e BE-së për misionet paqeruajtëse në mbarë botën për të përmbushur kërkesat e Hungarisë.

Lëvizja është ende e ngarkuar me rrezik ligjor. Ekziston mundësia që paratë të kthehen pas luftës nëse Rusia fillon veprime ligjore.

Të mërkurën, Kremlini ka thënë se një veprim i tillë do të ishte një shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar, por diplomatët e BE-së thanë se të gjithë ishin dakord që fitimet ose interesat e krijuara nga asetet e ngrira mund të përdoren në Ukrainë.

Volodymyr Zelensky u kishte kërkuar liderëve të BE-së të rrisin mbështetjen me më shumë mbulim ajror për të mbrojtur qytetet lindore nga bombardimet ruse, duke përfshirë lirimin e aseteve të ngrira.

“Agresori duhet të paguajë çmimin më të lartë për luftën – kjo është në përputhje me frymën e ligjit”, u tha ai udhëheqësve të BE-së në një video-adresim.