Libri “Liria” i ish-kancelares gjermane Angela Merkel ka shënuar rezultate të jashtëzakonshme në javën e parë të shitjeve që konfirmojnë me të drejtë statusin e një prej librave më të kërkuar për këtë vit.
Sipas informacioneve të kompanisë Media Control, e cila merret me analizën e shitjeve të librave në Gjermani, libri i Merkelit që në javën e parë shiti më shumë se 200 mijë kopje, çka e renditi atë ndër librat më të suksesshëm të vitit 2024.
“Asnjë libër tjetër nuk pati fillim kaq të shkëlqyeshëm këtë vit. Vetëm pak ditë pas botimit, libri i Merkelit, të cilin ajo e shkroi në bashkëpunim me këshilltaren e saj Beate Baumann, dominoi listat e ‘bestseller’ në vitin 2024”, ka thënë kompania.
Në librin “Liria. Kujtime 1954 – 2021”, ish-kancelarja gjermane bën vështrim për jetën e saj, por edhe tregon detaje të shumta nga karriera politike.
Kujtimet e Merkelit tërhoqën vëmendje për shkak të pjesëve në të cilat përshkruan takimet dhe bashkëpunimet me politikanë të shumtë. Takimet me presidentin rus Vladimir Putin, ajo i përshkroi si “shumë interesante”.
Ajo iu referua veçanërisht takimit të vitit 2007 dhe akuzoi Putinin se kishte sjellë një qen në sallë për të treguar fuqinë e tij, duke qenë se Merkeli kishte treguar më parë se kishte frikë nga qentë.
Megjithatë, nga ana tjetër, Putini ka thënë se nuk kishte dijeni për këto informacione dhe i kërkoi falje Merkelit.