Në shtet të kapur dhe të dështuar
Kosovarët e njohën Libanin me anë të dy figurave: Pashko Vasa, guvernatori i Libanit gjatë 1882-1892, e Nehat Islami, korrespondenti i gazetës “Rilindja” në Bejrut gjatë viteve ‘70 të shekullit të kaluar. Nehat Islami gjatë qëndrimit të tij na zbuloi shumë fakte për vitet e Pashko Vasës në Liban, për monumentet që i ndërtoi atje dhe për varrin e tij në Hazmije të Bejrutit, prej nga eshtrat u bartën në një ceremoni të madhe për në Shkodër më 1978.
Nga ana tjetër, lexuesit e shumtë të “Rilindjes” në atëkohë përcillnin për ditë raportet e N.Islamit për luftën civile 1975-1990, që e dërrmoi atë vend që quhej “Zvicra e Orientit” deri në vitet ‘60 të shekullit të kaluar. Kuptohet lufta zgjati shumë, sikurse tani në Siri, për shkak se Libani u bë fushëbetejë për shumë fuqi rajonale e më gjerë, pasi që ishte pjesë e Luftës së Ftohtë 1946-1990.
Atëherë, gati të gjithë libanezët besonin se erdhi koha për njëfarë pajtimi, për kërkim të të pagjeturve, për rindërtimin e vendit dhe përtëritjen e rolit të Libanit si vend i lirë, demokratik, në një rajon të trazuar. Mirëpo, liderët e rinj ose “prinat e luftës”, siç janë quajtur, tani kërkonin ndarjen e interesave midis tyre me anë të kapjes së shtetit, me çka lindi një Liban tjetër.
Vërtet, emri i këtij shteti me sipërfaqe gati sa Kosova (10.452 km) lidhet me Malin e Libanit, i cili e ndan prej jugut deri në veri Sirinë prej Mesdheut. Mali i Libanit ishte strehë shumëshekullore e dy sekteve: maronitë të krishterë dhe druzë myslimanë. Për arsye të brendshme dhe të jashtme shpërtheu më 1860 një konflikt që mori përmasa fetare dhe intervenime ndërkombëtare. Si pasojë, Porta e Lartë krijoi më 1861 një njësi autonome me emrin Mali i Libanit, me një guvernator osman të krishterë dhe një këshill administrativ me kompetenca të shumta dhe me forcë lokale. Në krye të kësaj njësie autonome erdhi rilindësi Pashko Vasa, i cili vazhdoi atje dy mandate (1883-1892) dhe la shumë gjurmë për vendësit.
Mirëpo, me humbjen që pësoi Perandoria Osmane në fund të LPB-së më 1918, forcat arabe aleate me Britaninë e Madhe dhe Francën, që u ngritën kundër sundimit osman pasi që iu premtua “shteti i pavarur arab”, e shpallën më 8 mars 1920 pavarësinë e Sirisë së madhe, që përfshinte Malin e Libanit. Mirëpo, Britania dhe Franca kishin planin e vet për këtë rajon qysh nga 1916-a, kështu Franca mori një hise të mirë duke përfshirë Libanin dhe Sirinë. Forcat franceze zbarkuan në bregdet dhe marshuan drejt Damaskut në korrik të vitit 1920, duke filluar kështu sundimi francez në Liban e Siri, që vazhdoi de facto deri më 1945.
Në krye të administratës koloniale, që u arsyetua me “mbrojtjen e të krishterëve prej myslimanëve” dhe krijimin e një shteti për të krishterët vendas, ishte gjenerali H.Gouraud, i cili me direktiva të Parisit e shpalli më 1 shtator 1920 krijimin e “Libanit të Madh” me një sipërfaqe të dyfishuar, duke përfshirë fusha pjellore me shumicë myslimane rreth Malit të Libanit. Kështu, u krijua një shtet me shumicë krishtere nën mandatin francez, duke krijuar mekanizma që reflektonin dominimin e shumicës mbi pakicën që ishte kundër sundimit francez. Me kohë, u paraqit lëvizja patriotike, që përfshinte të krishterët dhe myslimanët, për një shtet të pavarur duke ndarë më 1943 pushtetin midis presidentit maronit dhe kryeministrit mysliman, me çka u krijua tani miti për “Zvicrën e Orientit”, i cili e ngjalli Libanin në saje të turizmit që u bë bartës kryesor i zhvillimit të ri ekonomik.
Mirëpo, me kalimin e kohës realiteti demografik-konfensional u ndryshua dhe krijoi hapësirë për intervenime rajonale dhe më gjerë. Kështu, me përfundimin e luftës civile më 1990 me anë të Marrëveshjes së Taefit (5.11.1989), e cila e pranoi faktin se Libani nuk është më shtet me shumicë të krishterë, por tani shtet i përbashkët 50/50 , në bazë të së cilës ndahen vendet e Parlamentit dhe vendet udhëheqëse në administratë publike, duke mbajtur parimin e ndarjes së kompetencave midis presidentit të krishterë maronit, kryeministri mysliman sunnit dhe kryeparlamentar mysliman shiit.
Megjithatë, ai vit solli ndryshime të reja në saje të zhvillimeve dramatike me invadimin irakian të Kuvajtit. Atëherë, kryetari sirian, Hafez Asad, shënoi një kthesë të madhe duke u rreshtuar në anën e SHBA-së e duke dërguar forca siriane për çlirimin e Kuvajtit. Si kundërvlerë ai mori vizën për dërgimin e forcave siriane në Liban në tetor 1990, për ta hequr me forcë gjeneralin Micheal Aoun, i cili e zuri pozitën e presidentit për të “shpëtuar Libanin” prej intervenimeve të huaja. Me këtë u shënua fillimi i “mandatit sirian” në Liban, i cili vazhdoi deri në vrasjen e kryeministrit Rafik Hariti më 2005.
Gjatë “mandatit sirian” u fuqizua prania iraniane në Liban me anë të partisë së re Hezbullah (Partia e Zotit), e cila arriti me anë të ndihmave iraniane ta rekrutojë shumicën e myslimanëve shiitë në strukturat e saj ushtarake, ekonomike dhe arsimore-kulturore. Duke marrë parasysh se elementi shiit u rrit, ndërkohë dhe u bë nja 35% e popullsisë, tani u krijuan struktura paralele (ushtarake, ekonomike, arsimore, financiare etj.) me ato të shtetit formal, pra një mini-shtet (me një fuqi të madhe ushtarake) në shtetin formal. Kështu, tani ky “mini-shteti” u bë me potenciale ushtarake (me tanke e raketa) sa që ta provokojë Izraelin dhe të përballet me të në luftën e vitit 2006 që zgjati 36 ditë (në krahasim me luftën 6-ditëshe të 1967-s).
Ndonëse Siria u detyrua t’i tërheqë forcat e saj në prill të 2005-s në saje të vendimit të Këshillit të Sigurimit 1559, Damasku arriti ta ruajë ndikimin me anë të krijimit të një aleancë të re midis partisë Hezbullah dhe partisë që e përkrahte gjeneralin Awn të kandidohet për president të Libanit më 2016. Kështu u krijua një shtet dyfish i kapur: një herë me kapjen e shtetit me anë të Hezbullahut, si dhe me anë të legalizimit të kësaj partie (e akuzuar me terrorizëm) nga ana e kreut maronit të shtetit. Kjo aleancë prodhoi pasoja negative në politikë e në ekonomi, pasi shtetet e Gjirit tani me orientim anti-iranian (që shpallën Hezbullahun organizatë terroriste) shtrënguan presionet ndaj Libanit, kurse vetë Irani nuk ishte më në gjendje (për shkak të sanksioneve amerikane) t’i dërgojë më ndihmat si më parë.
Ndërkohë, me shpërthimin e revoltës kundër regjimit në Sirinë fqinje, ku Hezbullahu dërgoi forcat e veta për ta përkrahur regjimin, mbi një milion refugjatë sirianë erdhën në Liban duke krijuar kriza të reja politike e ekonomike me rritjen e papunësisë në vend. Kjo shkaktoi në tetor të 2019-s demonstrata kundër udhëheqësve maronitë, sunnitë dhe shiitë, që arritën ta kapin shtetin dhe ta rrjepin atë për gati 30 vjet, duke sunduar me anë të korrupsionit të sistemuar për shërbim të gjithë liderëve të konfesioneve që erdhën në pushtet në emër të mbrojtjes të atyre konfesioneve. Ndaj, parulla kryesore në demonstrata ishte “Të gjithë janë përgjegjës, të gjithë do të thotë të gjithë”.
Kjo kapje e shtetit u duk më së miri me shpërthimin katastrofal në portin e Bejrutit më 4 gusht 2020, në një depo të mbushur me nitrat e amonumit, që përdorën edhe për eksplodime. Ndonëse u formuan nën presion të reagimeve vendëse e botërore, disa komisione hetuese dhe gjykatës u ndërruan. Nuk u arrit gjer më tani, sepse gjykatësit janë pjesë e shtetit të kapur dhe ata nuk guxojnë t’i shpallin fajtorë ata që i kanë caktuar në pozitat e tyre.
Libani, duket tani, si disa shtete të tjera të Lindjes së Mesme që janë krijuar me intervenimin e fuqive të mëdha, në rrugë të mbyllur për shkak të gërshetimeve të interesave të fuqive rajonale (Turqia, Irani dhe Izraeli), duke pritur marrëveshjen midis fuqive të mëdha me Iranin, e cila mund të prodhonte një realitet të ri me qasjen e administratës së re amerikane në krye me Bidenin.
Analizë nga Muhamed Mufaku