Një lëvizje gjermane kundër izolimeve dhe vaksinimit ndaj COVID-19, e lidhur me të djathtën ekstreme të vendit, ka rekrutuar me qindra fëmijë nëpërmjet një grupi privat online
Vajza që flet nëpërmjet altoparlantit nuk duhet të ketë më shumë se 15 vjet.
“Kam folur nëpër demonstrata të tillë (më herët), thotë ajo, para se t’ia niste valës së kritikave adresuar Qeverisë gjermane për izolimet dhe programin e vaksinimit kundër COVID-19. “Ata thonë: ‘I kemi mbyllur! T’i detyrojmë të vaksinohen! Vetëm atëherë do t’i lejojmë që të dalin përsëri!’”, bërtet ajo, duke shtuar se ishte shoqëruar në shkollë nga policia, shkaku i refuzimit për t’iu përmbajtur kufizimeve.
Këto fjalë vajza po i thoshte në njërën prej një sërë demonstratash të organizuara nga “Querdenken”, një lëvizje kjo kundër izolimit në Gjermani. Përkthyer thjesht si “mendimtarët anësorë”, grupi përbën një koalicion të ngushtë të lëvizjeve që përhapin teori të pabaza konspiracioni – si idenë se maskat janë vdekjeprurëse apo se vaksinat do ta ndryshojnë ADN-në. Dhe e këtilla në YouTube të saj dhe të të rinjve të tjerë që flasin nëpër organizime po përhapen vazhdimisht nëpër rrjetet sociale.
Agjencia britanike e lajmeve BBC ka nisur një hulumtim me një grup privat të bisedës mes nën 18-vjeçarëve në aplikacionin Telegram, të udhëhequr nga figurat më të shquara të “Querdenkenit”.
Kush janë ata?
Lëvizja “Querdenken” është shfaqur fillimisht gjatë verës së shkuar dhe ka rrokur vëmendjen ndërkombëtare kur njëra prej demonstratave të saja në Berlin përfundoi me përpjekjen për bastisjen e ndërtesës së Parlamentit gjerman.
Grupi pretendon të mos ketë ndonjë lidhje partiake, por disa prej figurave të tij kyç ka lidhje të dokumentuara me të djathtën ekstreme. “Querdenkeni” ka gjeneruar një gamë të gjerë mbështetësish – jo vetëm nga e djathta ekstreme, por edhe nga radhët e hipikëve, spiritualistëve dhe disa të krishterëve ungjillorë.
“Ka ngjallur një kulturë të re yjesh të mediave sociale që iniciojnë dezinformata, shesin produkte brendi dhe bëjnë thirrje për donacione nga pasuesit e tyre”, ka raportuar BBC-ja.
Njëri prej tyre është Samuel Eckert, ish-predikues ungjillor, i cili e drejton kanalin publik Telegram, që ka më shumë se 120.000 ndjekës.
Sipas ekspertit të shkencave kompjuterike, Josef Holnburger, i cili e ka studiuar rritjen e lëvizjes, Telegrami është njëri prej kanaleve më të popullarizuara në Gjermani. Ndërkaq Eckerti e promovon vazhdimisht edhe kanalin e tij të dytë privat “SE Youngsters” i cili, thotë ai se, është i dedikuar për fëmijë dhe të rinj të moshave prej 10 deri 17 vjeçare – ndonëse mosha minimale për përdorimin e Telegramit është 16 vjeç.
Në uebfaqen e Eskertit ekziston një faqe e regjistrimit dhe ka proces verifikimi për të garantuar se fëmija i interesuar përnjëmend është nën 18-vjeç. Telegrami megjithëkëtë nuk u është përgjigjur kërkesave të BBC-së për t’iu përgjigjur pyetjeve rreth grupit.
Informatat e brendshme
Protestat e organizuara nga lëvizja anti-vaksinim “Querdenken” në Stuttgart (foto: “tagesschau.de”)
Nëpërmjet një burimi të brendshëm, BBC-ja ka biseduar me një aktivist online që ka siguruar qasje në kanal. Ai ka treguar se aty ekziston një dhomë komunikimi me përmbajtje të fortë të teorive të jashtëzakonshme konspirative për COVID-19, si dhe se zhvillohen biseda për shëndetin e rënduar mendor, ikjet nga shkolla dhe bullizmi.
BBC-ja ka mbrojtur identitetin e burimit shkaku i sigurisë dhe e ka identifikuar vetëm si “DatenLiebe”. Ai e ka vrojtuar grupin – i cili ka më shumë se 300 anëtarë – që nga vjeshta e shkuar.
“Ajo që më ka befasuar është se fëmijët kanë pasur biseda krejtësisht rastësore, po flisnin për motin apo për kafshët e tyre shtëpiake... në atë që duket krejtësisht e parrezikshme”, ka theksuar ai. “Por atyre gjithashtu u përcillen përmbajtje nga kanalet e rrezikshme të Telegramit, si AQnon”.
Sipas DatenLiebe, praktikisht “çdo lloj” konspiracioni “që mund t’u shkojë në mendje” kundër vaksinave dhe COVID-19 qarkullon në këtë grup.
“Ata thonë bukur qartë se ose nuk mendojnë që koronavirusi përnjëmend ekziston apo se është vetëm një grip”, ka thënë ai. Duke folur për BBC-në, burimi ka bërë të ditur gjithashtu se anëtarët ndiejnë “mosbesim të fuqishëm në institucionet shtetërore” dhe shumica besojnë se vaksinat kundër COVID-19 ose nuk funksionojnë, ose janë akoma më të dëmshme sesa vetë sëmundja. Ai ka specifikuar se disa anëtarë të grupit kanë rrëfyer se janë larguar nga shkolla ngase nuk mundën ta përballonin presionin e rregullave të bartjes së maskave apo se janë ngacmuar nga shokët e tyre të klasës.
BBC-ja ka biseduar edhe me nënën e dy vajzave që janë anëtare të grupit. Sikurse vajzat e saj, edhe nëna beson po ashtu se COVID-19 nuk është më i rrezikshëm sesa gripi, ani pse dëshmitë përherë më të forta tregojnë se është si më vdekjeprurës ashtu edhe mund të shkaktojë probleme të gjata shëndetësore.
Nëna ka thënë gjithashtu se nuk e ka ndërmend që ta marrë vaksinën kundër sëmundjes.
Megjithëkëtë, ajo është e prerë në pretendimin se vajzat e saj i kanë krijuar bindjet e tyre në mënyrë të pavarur dhe se nuk janë ndikuar prej saj apo shfrytëzuar nga Samuel Eckerti dhe lëvizja “Querdenken”.
“Gjithnjë i kemi mësuar që të mendojnë me kokën e tyre”, ka thënë ajo për BBC-në.
Fëmijët si propagandë
Siguria e fëmijëve ka qenë përherë një narrativë e fuqishme në teoritë e konspiracionit, nisur prej atyre antisemtike që pa ndonjë bazë i akuzojnë hebrenjtë për vrasjen e fëmijëve e deri te “Qanoni” i ditëve moderne, i cili pretendon se liderët botërorë janë të përfshirë në trafikimin e fëmijëve me qëllime seksi.
Në të njëjtën kohë shumë prindër kanë shfaqur shqetësime legjitime lidhur me atë se si masat e izolimit, përfshirë mbylljen e shkollave dhe distancimin fizik, kanë ndikuar në shëndetin mendor dhe në arsimimin e fëmijëve të tyre.
Gazetari Marc Röhig, nga revista gjermane “Der Spiegel”, beson se Eckerti po mundohet që ta shfrytëzojë këtë frikë të tyre.
“Caku i tij kryesor janë prindërit e shqetësuar”, ka thënë ai për BBC-në. “Mund t’i keni dy narracione. Njëra është që të luftoni për vetë lirinë tuaj... Por mund gjithashtu të thoni: le të luftojmë për fëmijët tanë dhe për të ardhmen e tyre”.
Eckerti nuk u është përgjigjur pyetjeve të BBC-së për t’i komentuar rastet. Megjithëkëtë, ai thotë në llogaritë e tij nëpër mediet sociale se grupi i Telegramit i dedikohet kryekëput takimit dhe mbështetjes mes vetë të të rinjve skeptikë ndaj COVID-19.
“Ai nuk ndihet i turpëruar që t’i shfrytëzojë ata edhe për përmbajtjet e tij. Ai ka hapur një kanal të veçantë në YouTube për postimin e videove nga fjalimet e tyre, dhe aty fëmijët rëndom shfaqen përkrah tij në ngjarje apo në transmetime direkte të videove”, ka shkruar BBC.
Derisa ekspertët pretendojnë se lëvizja “Querdenken” nuk duket se po rritet, ata kanë paralajmëruar se ajo po bëhet më radikale. Zyrtarët në shtetin Baden Württemberg, në jugperëndim të Gjermanisë e kanë vënë grupin nën vrojtim, si një kërcënim potencial sigurie. Ndërkaq protestuesit janë bërë përherë më ekstremë në veprimet e tyre, duke i sulmuar gazetarët gjatë demonstratave dhe madje duke i vënë nën shënjestër të sulmeve qendrat e vaksinimit.
“Jam përnjëmend i shqetësuar për këtë fakt, ngase këta janë vërtet fëmijë”, ka thënë DatenLiebe, burimi i brendshëm i BBC-së. “Dhe ata shkojnë në shkolla të përnjëmendta dhe ndiejnë dhembje fizike shkaku i një realiteti që në fakt nuk ekziston”.