Botë

Letrat e fundit të alpinistit që nuk u kthye kurrë nga Everesti

Alpinisti

Mallory dhe Irvine në kamp në Tibet, imazhi i fundit i burrave përpara se të zhdukeshin një shekull më parë  Foto: AP

Megjithatë, edhe pse Mallory ka qenë i përkushtuar ndaj gruas së tij, ai prapëseprapë në mënyrë të përsëritur është kthyer në Himalaje, pa marrë parasysh frikën e saj të madhe sa i përket sigurisë së tij. “Ka pasur diçka brenda tij që e ka shtyrë”, ka thënë Green. “Mund të ketë qenë eksperienca e luftës, ose mund të ketë qenë karakteri i tij”

George Mallory është i njohur si një nga alpinistët e parë britanikë që është përpjekur të ngjitet në lartësinë marramendëse të Malit Everest gjatë viteve  ’20 – derisa mali ia ka marrë jetën atij.

Gati një shekull më vonë, letrat e sapodigjitalizuara nxjerrin në pah shpresat dhe frikët e Malloryt sa i përket ngjitjes së Everestit, deri në ditët e fundit para se të zhdukej, ndërsa po shkonte drejt majës së tij.

Më 8 qershor të vitit 1924, Mallory dhe një alpinist tjetër Andrew Irvine janë ndarë nga ekipi i ekspeditës gjatë ngjitjes për në majë dhe nuk janë parë më kurrë – të gjallë.

Fjalët e Malloryt, prapëseprapë, janë në dispozicion për t’u lexuar online të plota për herë të parë. Kolegji Magdalene, Cambridge, ku Mallory ka studiuar nga viti 1905 deri në vitin 1908, kohëve të fundit ka digjitalizuar qindra letra të korrespodencës dhe dokumente të tjera të shkruara dhe të marra nga ai.

Gjatë 18 muajve të fundit, arkivistët kanë skanuar dokumentet në përgatitje për njëqindvjetorin e zhdukjes së Malloryt. Kolegji do të shfaqë një përzgjedhje të letrave dhe gjërave private të Malloryt në ekspozitën “George Mallory: Magdalene to the Mountain”, që do të hapet më 20 qershor.

Letrat e Everestit përshkruajnë përgatitjet e përpikta dhe testimet e pajisjeve të Malloryt, si dhe optimizmin e tij për perspektivat e tyre. Por letrat gjithashtu tregojnë anën e errët të alpinizmit: motin e keq, problemet e shëndetit, ngecjet dhe dyshimet.

Disa ditë para zhdukjes së tij, Mallory kishte shkruar se shanset ishin “50 me 1 kundër nesh” në letrën e fundit për gruan e tij Ruth, e datuar më 27 maj të vitit 1924.

“Është kohë e keqe”, ka shkruar Mallory. “Jam duke i menduar përpjekjet e jashtëzakonshme, lodhjen dhe rraskapitjen, duke shikuar jashtë derës së tendës dhe jashtë botën e mbuluar me borë dhe shpresën që zhduket”.

Ai ka vazhduar ta përshkruajë një rast afër vdekjes gjatë një ngjitjeje të fundit, ku toka poshtë këmbëve të tij ka rënë, duke e lënë atë të bllokuar “gjysmë të verbër dhe pa frymë”, pesha e tij që mbështetej vetëm nga sëpata e akullit e futur në një të çarë teksa ka ndenjur i varur mbi “një vrimë të thellë të zezë”.

Letrat e tjera që Mallory i ka ndarë me gruan e tij i ka shkruar gjatë kohës sa kanë qenë miq, teksa ishte duke shërbyer në regjimentin e artilerisë së Britanisë gjatë Luftës së Parë Botërore. Përgjatë udhëtimeve të tij, lidhja dhe shkrimet me Ruthin e kanë ndihmuar atë të mbajë stabilitetin e nevojshëm gjatë kohëve sfiduese, ka thënë drejtoresha e projektit Katy Green, aktiviste e kolegjit në Kolegjin Magdalene.

Andrew Irvine (rreshti i pasmë, majtas) dhe George Mallory (rreshti i pasmë, i dyti nga e majta) ishin anëtarë të ekspeditës britanike të malit Everest të vitit 1924  Foto: (Royal Geographical Society)

“Ajo ishte ‘gur themeli’ i shtëpisë, i ka thënë ai vetes në letra”, ka thënë Green. Aktivistja ka rrëfyer për një letër në të cilën Mallory i ka thënë Ruthit: “Jam shumë i lumtur që ti nuk lëkundesh, sepse unë nuk do të isha stabil pa ty”.

Megjithatë, edhe pse Mallory ka qenë i përkushtuar ndaj gruas së tij, ai prapëseprapë në mënyrë të përsëritur është kthyer në Himalaje, pa marrë parasysh frikën e saj të madhe sa i përket sigurisë së tij.

“Ka pasur diçka brenda tij që e ka shtyrë”, ka thënë Green. “Mund të ketë qenë eksperienca e luftës, ose mund të ketë qenë karakteri i tij”.

Dokumentet e karakterit të tij

Në total, koleksioni përfshin rreth 840 letra nga viti 1914 deri në vitin 1924. Ruthi i ka shkruar rreth 440 prej tyre për Malloryn, duke ofruar këndvështrime të detajuara të jetës së përditshme të grave në shekullin XX, ka thënë Green.

Së bashku, letrat u kanë ofruar lexuesve një pikëpamje të rrallë të figurës së tij, ka thënë Jochen Hemmleb, autor dhe alpinist i cili ka qenë pjesë e ekspeditës që e ka gjetur trupin e Malloryt në vitin 1999.

“Ato janë shumë personale. Janë dokumente të karakterit të tij. Ato sigurojnë njohuri unike të jetës së tij dhe sidomos të ekspeditës së vitit 1924 – gjendjen e tij mentale, planifikimin e saktë, ambiciet e tij”, ka thënë Hemmlebi. “Ka shumë vlerë fakti që këto janë tani të digjitalizuara dhe në dispozicion për t’u lexuar nga të gjithë”.

I ngrirë në vend

Tri prej letrave të digjitalizuara – të shkruara nga vëllai, motra dhe një shok i familjes së Malloryt – janë gjetur në trupin e Malloryt nga ekspedita kërkuese e cila është ngjitur në Everest për t’i gjetur kufomat e Malloryt dhe Irvinet.

Letra e digjitalizuar tregon një pjesë të korrespondencës përfundimtare që Mallory i shkroi gruas së tij, Ruthit, datë 27 maj 1924  Foto: AP

Më 1 maj të vitit 1999, anëtari dhe alpinisti i ekspeditës, Conrad Anker, ka gjetur një kufomë të ngrirë në lartësinë mbidetare rreth 8138 metra dhe e ka identifikuar atë si Mallory, për shkak të një etikete të emrit që ishte qepur në rrobat e tij.

“Trupi i Malloryt ishte varrosur aty ku ishte sipas kërkesës së familjes”, ka thënë Anker.

“Meqë kam kryer rikuperime të trupave në vende të tjera, është shumë e mundimshme dhe e rrezikshme rikuperimi nga ajo lartësi mbidetare”, ka shtuar ai. “Kemi mbledhur disa nga gjërat e tij personale dhe jemi kthyer në Shoqërinë Mbretërore Gjeografike, shoqëri dhe organ profesional për gjeografinë me qendër në Mbretërinë e Bashkuar”, duke i përfshirë tri letrat që janë skanuar më vonë në Kolegjin Magdalene.

Mali Everest, pika më e lartë në vargmalet Himalaje, është gjithashtu mali më i lartë në botë, me lartësi 8850 metra mbi nivelin e detit në kufirin mes Nepalit dhe Tibetit – rajon autonom i Kinës. Emri tibetian i tij është Chomolungma, që do të thotë “perëndeshë - nënë e botës” dhe emri nepalez është Sagarmatha, që do të thotë “perëndeshë e qiellit”.

Megjithatë, këta emra kanë qenë të panjohur për topografët britanikë të shekullit XIX që e kanë hartuar terrenin e rajonit dhe në vitin 1865, Shoqëria Mbretërore Gjeografike e ka quajtur majën “Mali Everest”, pas topografit George Everest, ish-topograf i Indisë.

Mallory ka marrë pjesë në të tri vizitat e para në shpatet e Everestit; në vitin 1921, 1922 dhe 1924. Kur ai është zhdukur në vitin 1924, ai ishte rreth dy javë afër ditëlindjes së tij të 38-t.

Shumë kanë spekuluar nëse Mallory dhe Irvine kanë mundur ta arrinin majën e Everestit. Alpinistët janë parë për herë të fundit pasditen e 8 qershorit nga anëtari dhe gjeologu i ekspeditës Noel Odell, i cili ka qenë duke ecur pas tyre dhe i ka parë nga distanca. Odelli më vonë ka gjetur disa nga pajisjet e tyre në kamp, por nuk ka pasur gjurmë të Malloryt dhe Irvinet askund.

“Mallory ka rrezikuar shumë duke marrë parasysh faktin që e ka pasur një familje që e priste në shtëpi dhe tre fëmijë të vegjël”, ka thënë Hemmlebi. “Ne nuk e dimë nëse ka qenë e papërgjegjshme ndërmarrja e asaj përpjekjeje të fundit, sepse nuk e dimë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Mund të ketë ndodhur që në fund, ai thjesht ka pasur fat të keq”.

Afër dhe larg

Disa dekada pas vdekjes së Malloryt, sherpa Tenzing Norgay dhe alpinisti i Zelandës së Re, Edmund Hillary, janë bërë personat e parë që kanë arritur majën e Everestit, më 29 maj të vitit 1953. Në vitet pas kësaj, qindra të tjerë janë përpjekur ta ngjisin Everestin, me rreth 4000 njerëz që e kanë arritur majën. Më shumë se 330 alpinistë kanë vdekur duke u përpjekur, që nga mbajtja moderne e të dhënave, sipas Bazës së të Dhënave të Himalajeve, e cila ruan të dhënat e të gjitha ekspeditave në Himalaje; disa nga këta trupa mbesin në mal, të ngrirë aty ku kanë rënë ose të dukshëm nga alpinistët që kalojnë pranë tyre.

“Nëse je jashtë në këtë mjedis, ti bën paqe me vdekjen tënde dhe me vdekjen e të tjerëve”, ka thënë Ankeri. “Je rreth 8000 metra mbi nivelin e detit dhe kur ka ndryshime të motit ose sistemit tënd trupor i bie funksioni për shkak të mungesës së oksigjenit, atëherë kjo bëhet serioze shumë shpejt”.

Kur alpinistët janë afër majës së malit, ata shpesh vazhdojnë edhe nëse janë nën kushte të rrezikshme për shkak të të ashtuquajturës “ethe të majës”, shtytje për ta arritur majën edhe nëse kjo u kushton me sigurinë e tyre. Është e panjohur nëse Mallory ka qenë i pushtuar nga ethja e majës kur ka vdekur, por ai mund të ketë menduar se reputacioni i tij varej nga arritja deri te pika kryesore.

“Ky do të ishte momenti përcaktues në jetën e tij”, ka thënë Ankeri.

Për krahasim, anëtari i ekipit të Malloryt, Edward Norton, kishte tentuar të ngjitej katër ditë më parë, por është kthyer afërsisht në të njëjtën lartësi ku Mallory dhe Irvine janë parë për herë të fundit.

“Kam biseduar me një nga djemtë e Edward Nortonit disa vjet më parë”, ka thënë Hemmlebi. “Kur e kam pyetur: A mendon se ka qenë fat që babai yt ka mbijetuar, kurse Mallory ka vdekur? Ai më tha: ‘Jo, unë mendoj se ka pasur një dallim, babai im, Edward Norton, nuk ka pasur nevojë për malin”.

Si alpinist, Hemmlebi e ka marrë këtë mesazh afër zemrës.

“Ka pasur diçka që unë personalisht e kam mësuar nga Mallory”, ka thënë ai. “Ti duhet të jesh shumë i suksesshëm që të mos bëhesh i varur nga suksesi i majës”.

Një shekull ka kaluar që nga vdekja e Malloryt, por digjitalizimi i këtyre letrave siguron që historia e tij të vazhdojë të tregohet, ka thënë Hemmlebi.

“Kjo do të vazhdojë përtej jetës sime, jam i sigurt për këtë”, ka shtuar ai. “Në njëfarë mënyre, është ekspeditë që nuk përfundon kurrë”.

Përgatiti: Latra Gashi