Udhëheqësja e partisë së ekstremit të djathtë të Francës “Tubimi Kombëtar”, Marine Le Pen, ka paralajmëruar se presidenti, Emmanuel Macron nuk do të mund të dërgojë trupa në Ukrainë si shef i ushtrisë, nëse partia e saj formon qeverinë e ardhshme.
"Shefi i Forcave të Armatosura, për presidentin, është një titull nderi, pasi është kryeministri ai që e ka kontrollin”, ka thënë kryesuesja e “Tubimit Kombëtar” në parlament, në një intervistë për gazetën Le Telegramme, raporton BBC.
Franca voton të dielën në rundin e parë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Sondazhet e fundit të opinionit thonë se “Tubimi Kombëtar” mund të fitojë 36% të votave, megjithëse mund të mos ketë shumicën absolute që i nevojitet për të kontrolluar parlamentin.
Si president, Macroni është komandant i përgjithshëm dhe tradicionalisht luan një rol kyç në politikën ndërkombëtare dhe të mbrojtjes të vendit të tij.
Ai ka qenë ndër liderët më të fortë të Evropës në mbështetje të Ukrainës që nga pushtimi i plotë i Rusisë, dhe ai ka refuzuar të përjashtojë dërgimin e trupave "nëse Rusia vendos të shkojë më tej", duke theksuar se Rusia nuk mund të fitojë në Ukrainë. Që atëherë ai është mbështetur nga një pjesë e vogël e vendeve të tjera.
Por Le Pen ka deklaruar se beson se nëse udhëheqësi i “Tubimit Kombëtar”, Jordan Bardella bëhet kryeministri i ardhshëm i Francës, atëherë kompetencat e presidentit do të reduktohen.
"Jordani nuk ka ndërmend të nisë një grindje me të, por ai ka vendosur linjat e kuqe, presidenti nuk do të jetë në gjendje të dërgojë trupa”, është shprehur Le Pen.
Nëse “Tubimi Kombëtar” fiton një shumicë absolute në parlament, ajo thotë se Macroni nuk do të ketë zgjidhje tjetër veçse të emëronte liderin 28-vjeçar të partisë së saj në krye të qeverisë. Kjo do të nënkuptonte ndarjen e pushtetit - e njohur në Francë si bashkëjetesë, midis një presidenti dhe një qeverie nga një parti e veçantë, që nuk është parë në vend që nga viti 2002.
Pa 289 vendet e nevojshme për një shumicë absolute në Asamblenë Kombëtare, Bardella ka thënë se nuk do të jetë kryeministër i një parlamenti të varur.
Aleati i Macronit, François Bayrou, ka akuzuar Le Pen se ka vënë në pikëpyetje kompetencat e presidentit sipas Kushtetutës franceze për emërimin e posteve civile dhe ushtarake të shtetit, kryesimin e forcave të armatosura dhe këshillit të mbrojtjes.