Botë

Lavrov: S’na duhet ndihma e Perëndimit për ta hetuar sulmin e Moskës

Ministri i Jashtem i Rusise, Sergey Lavrov

Foto: Associated Press

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, ka thënë se Rusia nuk ka nevojë për ndihmën e Perëndimit për hetimin e sulmit që ndodhi në Moskë të premten e kaluar, e ku mbetën të vrarë më shumë se 130 persona.

“Nuk kemi nevojë për një ndihmë të tillë, e cila sigurisht se do të jetë manifestim i standardeve të dyfishta, dhe sipas të gjitha gjasave do të synojë të promovojë një teori të përshtatshme për Perëndimin se Shteti Islamik (grupi) e bëri atë, por Ukraina nuk kishte asnjë lidhje me të”, ka deklaruar Lavrov, raporton agjencia “AP”. 

Presidenti rus, Vladimir Putin, i cili ka deklaruar gjatë fundjavës se katër të dyshuarit e sulmit janë arrestuar teksa po mundoheshin të iknin në drejtim të Ukrainës, ka thënë po ashtu se hetuesit nuk kanë arritur të përcaktojnë se kush e ka urdhëruar sulmin. 

Një degë e IS-it e ka marrë përgjegjësinë, derisa inteligjenca amerikane ka thënë se ka informata që e konfirmojnë se grupi ishte përgjegjës.

Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se inteligjenca e shtetit të tij e sheh përgjegjëse të sulmit IS-in.

Mirëpo pavarësisht kësaj, presidenti Putin, vazhdon të deklarojë se sulmuesit ishin të lidhur me Ukrainën.