Botë

Lavrov: SHBA-ja e gatshme ta shikojë “esencën e problemit”

Sergei Lavrov

Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Lavrov, ka vlerësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe njëkohësisht ka kritikuar vendet evropiane sa u përket pozicioneve të tyre në raport me Ukrainën, transmeton BBC.

Duke folur në një konferencë për shtyp në Kazakistan, ai ka thënë se Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe po “injorojnë tërësisht shkaktarët rrënjësorë të situatës së tanishme”, teksa SHBA-ja “është e gatshme të shikojë brenda esencës së problemit”.

Lavrovi ka ripërsëritur se Ukrainës i duhet të bëjë lëshime territoriale si pjesë e marrëveshjes së paqes, si dhe ka sugjeruar se SHBA-ja e ka mbështetur këtë ide.

“Ata e kuptojnë se rikthimi në kufijtë e vitit 1991, ashtu siç po kërkon Zelensky, është i pamundur”, ka deklaruar Lavrov.

Sipas tij, marrëveshja përfundimtare duhet të jetë “e besueshme, e fortë, e qëndrueshme, dhe se mund të arrihet vetëm nëse eliminohen shkaktarët rrënjësorë të konfliktit”.