Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka thënë se Rusia do të jetë gjithmonë e gatshme për dialog, pavarësisht se forcat ruse kanë nisur një sulm të madh ushtarak në Ukrainë.
“Fatkeqësisht, miqtë tanë perëndimorë nuk e respektojnë të drejtën ndërkombëtare, duke u përpjekur ta shkatërrojnë atë dhe të promovojnë atë që ata e quajnë ‘rend të bazuar në rregulla’”, ka thënë Lavrov, raporton agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti.
"Ne patëm diskutime intensive dhe të detajuara me kolegët tanë amerikanë, me anëtarë të tjerë të NATO-s. Shpresojmë se ka ende një shans për t'iu kthyer të drejtës dhe detyrimeve ndërkombëtare”, ka shtuar ai.
Lavrov ka thënë se Rusia "do të jetë gjithmonë e gatshme për një dialog që do të na kthejë përpara drejtësisë dhe parimeve të kartës së OKB-së".