Botë

Kushtetuesja ia ndalon Zumas kandidimin në zgjedhjet e Afrikës së Jugut

Jacob Zuma

AFP

Gjykata më e lartë në Afrikë të Jugut ia ka ndaluar ish-presidentit Jacob Zuma që të kandidojë në zgjedhjet parlamentare javën e ardhshme, raporton “BBC”. 

Gjykata Kushtetuese ka vendosur se dënimi i tij me 15 muaj burgim për mospërfillje të gjykatës e skualifikon atë nga kandidimi. 

Zuma u dënua në vitin 2021 për refuzimin për të dëshmuar në një hetim që hetonte korrupsionin gjatë presidencës së tij që prëfundoi në vitin 2018. 

Ai bëri fushatë nën flamurin e partisë së sapoformuar uMkhonto weSizwe (MK). 

Sekretari i përgjithshëm i partisë MK, Sihle Ngubane, ka thënë se partia është e zhgënjyer me vendimin, porse kjo s’do të ndikojë në fushatën e partisë për zgjedhjet e 29 majit. 

“Ai është ende lideri i partisë. Vendimi s’ndikon aspak në fushatën tonë”, tha Ngubane. 

Afrikano-jugorët do të votojnë për partitë politike, me kandidatët në krye të listave që do të marrin ulëse parlamentare në varësi të numrit të votave që partitë marrin. 

Komisioni Zgjedhor tha se emri i Zumas do të hiqet nga listat e kandidatëve për deputetë, ndërsa konfirmoi se imazhi i tij do të mbetet në fletëvotimet së bashku me logon e partisë së tij.