Ismail Haniyeh ka qenë pjesë e Hamasit për dekada, në vitet e fundit duke drejtuar operacionet politike të grupit militant nga mërgimi dhe duke u shfaqur si një nga udhëheqësit kryesor gjatë luftës me Izraelin në Gaza, shkruan CNN.
Hamasi dhe media shtetërore iraniane thanë të mërkurën se 62-vjeçari u vra në kryeqytetin iranian Teheran. Hamasi pretendoi se Haniyeh u vra në një “sulm” izraelit në rezidencën e tij, ndërsa ushtria izraelite nuk ka pranuar të komentojë.
Vdekja e Haniyehit, që u njoh si "i gjalli që ecën", i jep goditje të rëndë Hamasit në një kohë kur tensionet po shpërthejnë në të gjithë Lindjen e Mesme për luftën në Gaza dhe ngre pikëpyetje për të ardhmen e negociatave midis Izraelit dhe Hamasit.
Si udhëheqës politik i Hamasit, ai ishte kyç në bisedimet me ndërmjetësit ndërkombëtarë gjatë bisedimeve të bllokuara të pengjeve dhe armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit, pas sulmit të grupit në Izrael më 7 tetor.
Haniyeh lindi në një kamp refugjatësh pranë qytetit të Gazës dhe iu bashkua Hamasit në fund të viteve 1980 gjatë Intifadës së Parë, ose kryengritjes.
Prindërit e tij ishin refugjatë të dëbuar nga Askalani, i cili më vonë u bë i njohur si qyteti izraelit Ashkelon.
Ai u burgos disa herë në Izrael për pjesëmarrje në kryengritje, përpara se të deportohej dhe të kthehej në Gaza – ku iu bashkua Hamasit.

Haniyeh u emërua pjesë e “udhëheqjes kolektive” sekrete në vitin 2004 pas vdekjes së dy liderëve të mëparshëm të Hamasit, Sheikh Ahmed Yassin dhe Abdel Aziz Rantisi, në një sulm nga Izraeli.
Në vitin 2017 u bë shefi politik i grupit militant. Menjëherë pas kësaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shpallën “terrorist global”.
Ky vendim erdhi gjatë një periudhe tensioni mes Uashingtonit dhe palestinezëve për shkak të vendimit për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit, vendim i marrë nga presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Donald Trump.
Pavarësisht nga vendimi i SHBA-së – dhe ndryshe nga udhëheqja ushtarake e Hamasit – Haniyeh udhëtoi në mbarë botën, duke u takuar me figura botërore si kreu politik i organizatës. Ai u fotografua duke u takuar me presidentin iranian Masoud Pezeshkian në Teheran të martën – një ditë para se të vritej.
Bisedimet për armëpushimin dhe lirimin e pengjeve
Sulmi i befasishëm i Hamasit më 7 tetor bëri që të paktën 1.500 luftëtarë të grupit militant të hynë brenda në Izrael, në një sulm që vrau të paktën 1.200 njerëz dhe rreth 200 të tjerë u morën peng.
Sulmet izraelite në Gaza kanë vrarë më shumë se 39 mijë palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, dhe kanë shkaktuar katastrofë humanitare.
Në muajt që nga ajo kohë, Haniyeh kishte qenë figurë kryesore që merrte pjesë në negociatat ndërkombëtare mbi konfliktin, duke përfshirë lirimin e pengjeve izraelite që po mbahen në Gaza.
Ai kishte treguar gatishmëri për të arritur marrëveshje nëse Izraeli tërhiqej nga Gaza – duke thënë në maj se janë për të arritur marrëveshje me ndërmjetësit, por se çdo propozim do të duhej të pushonte përgjithmonë luftimet në enklavë.
Në atë kohë, Haniyeh pati thënë se kërkesat e tyre synonin të ndalonin “agresionin kundër popullit tonë, që është pozicion kyç dhe logjik që hedh themelet për të ardhmen më të qëndrueshme”.
Si përgjigje, Izraeli i ka quajtur këto kërkesa “të papranueshme”, me kryeministrin Benjamin Netanyahu që u zotua të vazhdojë të luftojë derisa Hamasi të shkatërrohet - duke i lënë negociatat në ngecje pasi të dyja palët këmbejnë fajin.
Kohët e fundit në fillim të korrikut, Haniyeh ishte në kontakt me ndërmjetësit në Katar dhe Egjipt për të diskutuar idetë për përfundimin e luftës, duke rritur shpresat se të dy palët mund të ishin në prag të një marrëveshjeje.
Duke pasur parasysh rolin e tij, vdekja e Haniyehit “do të ketë ndikim të rëndësishëm në ato negociata”, ka thënë të mërkurën analisti politik dhe i politikës së jashtme, Barak Ravid.
Gjatë gjithë luftës, ai ka vazhduar takimet me liderë dhe zyrtarë të tjerë botërorë – duke përfshirë diplomatin kinez Wang Kejian, i cili u takua me Haniyehin në Katar në mars, gjatë së cilës diskutuan për luftën në Gaza.
Haniyeh e ka ndierë edhe dëmin personal të luftës në Gaza. Në prill, policia izraelite arrestoi një nga motrat e tij me akuzën e komunikimit me anëtarët e Hamasit. Nëntë ditë më vonë, sulmet ajrore izraelite vranë tre nga djemtë e tij dhe katër nga nipërit e tij.
Më pas, Haniyeh këmbënguli se vdekja e tyre nuk do të ndikonte në vazhdimin e bisedimeve për armëpushim dhe lirimin e pengjeve.