Koreja e Veriut e ka konfirmuar për herë të parë të mërkurën se po mban ushtarin amerikan Travis King, duke thënë se ai kaloi kufirin muajin e kaluar për t'i shpëtuar racizmit dhe keqtrajtimit në ushtrinë dhe shoqërinë amerikane, raportoi Reuters.
Mirëpo, kush është ushtari amerikan?
Travis T. King, i cili iu bashkua ushtrisë amerikane në janar të vitit 2021, është një skaut i kalorësisë me Forcën Rrotulluese Koreane, e cila është pjesë e angazhimit të sigurisë së SHBA-së ndaj Koresë së Jugut.
Ai ishte caktuar brenda Divizionit të Parë të Blinduar të SHBA-së dhe ishte bashkuar me një njësi në Divizionin e 4-të të Këmbësorisë, tha një zëdhënës i ushtrisë amerikane.
Ai ka fituar çmime si Medalja e Shërbimit të Mbrojtjes Kombëtare, Medalja e Shërbimit të Mbrojtjes Koreane dhe Shiriti i Shërbimit të Jashtëm.
Familja e tij është nga Racine në Wisconsin të SHBA-së.
Motivimi i King dhe vendndodhja e saktë mbeten të pakonfirmuara.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Koresë së Veriut “KCNA”, “ai ushqente ndjenja të këqija kundër keqtrajtimit çnjerëzor dhe diskriminimit racor brenda ushtrisë amerikane dhe donte të qëndronte në veri ose në një vend të tretë sepse ishte i zhgënjyer nga shoqëria e pabarabartë amerikane".
KCNA tha se ai u mbajt nga ushtria e Koresë së Veriut pasi kaloi, mirëpo nuk dha detaje.
Pentagoni tha të martën se nuk mund të verifikonte komentet e pretenduara të King, por se po punonte përmes të gjitha kanaleve për ta dërguar atë në shtëpi.
Xhaxhai i Kingut, Myron Gates, ka thënë për “ABC News” gjatë muajit gusht se nipi i tij, i cili është me ngjyrë, ka përjetuar racizëm gjatë vendosjes së tij ushtarake.
King kishte shërbyer gati dy muaj në paraburgim në Korenë e Jugut dhe po shoqërohej në Aeroportin Ndërkombëtar Incheon të Seulit për të fluturuar në shtëpi dhe për t'u përballur me masat e mundshme disiplinore, mirëpo ky udhëtim nuk ndodhi asnjëherë për të.
Ai i kishte thënë stafit të “American Airlines” se e ka humbur pasaportën e tij, ka njoftuar një zyrtar i aeroportit. I shoqëruar nga një punonjës i linjës ajrore me miratimin e një zyrtari të ministrisë së drejtësisë së Koresë së Jugut, King u largua nga zona e imbarkimit.
Ditën tjetër King iu bashkua një turneu me autobus në Zonën e Çmilitarizuar (DMZ) që ka ndarë dy Koretë që kur Lufta Koreane përfundoi në 1953 me armëpushim.
Përafërsisht 24 orë pasi u largua nga aeroporti, ai vrapoi drejt Koresë së Veriut derisa po bënte një turne në Zonën e Përbashkët të Sigurisë, e cila qëndron përtej kufirit.
Sarah Leslie, turiste nga Zelanda e Re, e cila ishte në turne me King, tha se e pa atë papritmas duke vrapuar përtej kufirit, ndërsa trupat amerikane dhe koreano-jugore u përpoqën ta ndalonin.
"E pashë atë duke vrapuar për pak sekonda dhe kjo është gjithçka që do të duhej për të kaluar kufirin", ka thënë ajo.
Dy zyrtarë amerikanë, të cilët folën në kushte anonimiteti, thanë se ai do të përballej me masa disiplinore ushtarake amerikane, pa treguar se me çfarë lidhej veprimi.