Botë

Kurdët do të kërkojnë federalizimin e Sirisë

Kurdet

Foto: Associated Press

Kurdët e Sirisë do të kërkojnë një sistem federal në Siri pas rënies së presidentit Bashar al-Assad. Një zyrtar i lartë kurd ka thënë se ky sistem do të lejonte autonomi rajonale dhe forca të sigurisë, duke shprehur vendosmëri në vizionin decentralizues të kundërshtuar nga presidenti i përkohshëm, ka raportuar agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kërkesa për sistem federal ka marrë momentum pas alarmeve të shpërndara në minoritetet përreth Sirisë pas masakrave ndaj Alawitëve gjatë muajit të kaluar, derisa grupet kurdë kanë akuzuar presidentin e përkohshëm, Ahmed al-Sharaa dhe grupin e tij islamik për vendosjen e kursit të gabuar për Sirinë e re dhe për monopolizim të fuqisë.

Partitë rivale të kurdëve të Sirisë, duke përfshirë edhe grupin dominues në verilindjen e udhëhequr nga kurdët, janë marrë vesh për një vizion të përbashkët politik – duke përfshirë federalizim – muajin e kaluar. Ata akoma nuk kanë dalë zyrtarisht me propozimin.

Grupet kurdë kanë marrë kontrollin e pothuajse afër një të katërtës të territorit sirian gjatë luftës civile 14-vjeçare. Forcat Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, muajin e kaluar kanë nënshkruar një marrëveshje me Damaskun për bashkimin e trupave të qeverisjes kurde dhe forcave të sigurisë me qeverinë qendrore.

Derisa janë të vendosur për atë marrëveshje, zyrtarët kurdë kanë kundërshtuar mënyrën se si islamikët që po udhëheqin Sirinë janë duke e formësuar tranzicionin nga regjimi i Bashar al-Aassadit, duke thënë se ata kanë dështuar të respektojnë diversitetin e Sirisë pavarësisht premtimeve për përfshirje.

Badran Jia Kurd, zyrtar i lartë në administratën e udhëhequr nga kurdët, ka deklaruar se të gjitha fraksionet kurde janë pajtuar për një “vizion të përbashkët politik” që thekson nevojën për “një sistem demokratik, pluralistik dhe federal”.

Kurdët e Sirisë thonë se qëllimi i tyre është autonomi brenda Sirisë – jo pavarësi.

Presidenti i përkohshëm i Sirisë, al-Sharaa e ka kundërshtuar sistemin federal, duke thënë se nuk ka mbështetje popullore dhe nuk është në interesin më të mirë të Sirisë.