Botë

Kthehet në shtëpi pas 22-vjetësh indiania që u mashtrua për një vend pune

Rrëfimi i Hamida Banu

Një indiane ka thënë se është trafikuar në Pakistan për mbi dy dekada dhe më në fund është kthyer në shtëpi - 18 muaj pasi nipi i saj e pa atë në një video në Youtube.

BBC-ka raportuar se Hamida Banu ka rrëfyer se i ka kaluar vitet e fundit si një “kufomë e gjallë”, e bllokuar në vendin fqinj dhe e pa pasur mundësi të kontaktonte familjen.

Ajo u mashtrua duke e dërguar në Pakistan pasi kishte pranuar një vend pune në vitin 2002, e që doli i rremë. Si India ashtu edhe Pakistani, që ndajnë raporte të ftohta diplomatike, kryen kontrolle të gjera mbi identitetin e saj përpara së shtetësia indiane t’i konfirmohej në tetor.

“Më mashtruan dhe më dërguan në Pakistan duke më premtuar Dubain. E tolerova ndarjen për 23 vjet”, ka deklaruar gruaja tash 73-vjeçare, pasi kaloi në Indi nëpërmjet kufirit tokësor.

Në 2002-n, Banu i mbështeti financiarisht katër fëmijët e saj pas vdekjes së burrit duke punuar si kuzhiniere në Katar, Dubai dhe në Arabinë Saudite. Asaj iu afrua një agjent rekrutimi i cili i kishte thënë se do ta ndihmonte me një punë në Dubai.

Agjenti i kërkoi asaj t'i paguante 250 dollarë, por në vend të Dubait, ajo tha se u dërgua në qytetin Hyderabad në Pakistan dhe u mbajt në një shtëpi për tre muaj.

Ajo më vonë u martua me një shitës ambulant në Karachi, që vdiq gjatë pandemisë Covid-19. I ka thënë BBC-së se bashkëshorti kurrë s'i kishte bërë dëm.

Historia e saj u bë e njohur në korrikun e 2022-s, pasi gazetari indian Khalfan Shaikh, pa videon ku shfaqej Banu, e filmuar nga një aktivist dhe e shpërndarë në Youtube.

Si përfundim, familjarët e gjetën atë.

“Mos më pyet se ku kam qenë. Më kishe munguar gjithë këtë kohë. Nuk qëndrova këtu me dëshirë, por s'pata tjetër zgjidhje”, ka deklaruar Banu, duke iu drejtuar nipit.

Banu ka thënë se nuk e besonte se do të kthehej në vendlindje.  Gruaja u shpreh e lumtur që u kthye në Indi, por tha se nuk dëshiron të jetë barrë e askujt.